Libia – një vatër e rrezikshme konflikti para dyerve të Evropës – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Libia – një vatër e rrezikshme konflikti para dyerve të Evropës

    Insajderi
    12 March 2017 - 13:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjendja në shtetin afrikano-verior është alarmuese, paralajmëron Gerd Müller. Të dërguarit e OKB-së raportojnë për tortura, për gjendje të mjerueshme në kampe, ku izolohen pas gardheve me gjemba qindra vetë që vuajnë nga uria. Müller kërkon një plan Marshall për Afrikën.

    Libia u la vetëm

    Në një intervistë me gazetën “Neuen Osnabrücker Zeitung” (NOZ), ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller kërkon që këto kampe të vihen nën mbikëqyrjen e OKB-së. Sipas Müller, 200.000-300.000 vetë ndodhen në kushte të papërfytyrueshme. OKB dhe BE duhet të reagojnë, dhe „të krijojnë struktura në këtë vatër konflikti”.

    Müller kritikon bashkësinë ndërkombëtare që e ka lënë vendin në kaos, pasi shtetet e NATO-s në vitin 2011 e bombarduan masivisht Libinë për të rrëzuar, diktatorin, Muamar al-Gaddafi. Nuk ka pasur plan për periudhën pas Gaddafit. Shteti u shpërbë, milicët u ngjitën në pushtet.

    Ndihmë për të ndihmuar veten

    “Duhet të shkojmë tek njerëzit tani”, kërkon ministri gjerman i Zhvillimit. Ai ka folur me njerëz që kishin përjetuar tortura, apo me ata që kanë përshkuar rrugën e mundimshme përmes Saharës.

    Gjermania po jep shembullin e para duke ngritur gjashtë qendra konsultimi për migrantët në Tunizi, Marok e në vende të tjera në Afrikë për të ofruar ndihmë për ta.

    Politikani kristiansocial e quan “turp që bashkësia ndërkombëtare i ikën përgjegjësisë së saj”.

    Ai kërkon një menaxhim ndërkombëtar të krizës në kontinentin afrikan dhe një fond të OKB-së me së paku 10 miliardë euro, me një përqasje të shpejtë në rast katastrofe. Një shumë minimale krahasuar me shumën që kërkohet për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes në NATO.

    Politika më e mirë për paqen është politika e zhvillimit, ka kërkuar Müller, që shpreson në mbështetjen amerikane edhe nën Donald Trump. „Kemi nevojë për amerikanët si superfuqi humanitare”, ka thënë Müller./DW/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark