Libri i Veton Surroit, “Këmbët e Gjarprit” erdhi i përkthyer sot në Serbi në kuadër të edicionit të tretë të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”, i cili provon që të jetë pikërisht kundër krijimit të mureve të larta e të pakapërcyeshme, më shumë kulturore sesa politike.
Vetë Surroi i pranishëm në Beograd, dhe për më tepër në gjuhën serbe, tregon se pyet gjithmonë veten se kur përfundojnë luftërat, a kanë përfunduar ato, duke nxjerrë një paralele mes Francës e Gjermanisë së vitit 1968.
“Ballkani është kësisoj sepse luftërat nuk kanë përfunduar dhe kësisoj nuk janë ndërtuar as marrëdhënie të mira. Bosnja shembull është një shoqëri e mbajtur fort për Marrëveshjen e Dejtonit, me obligime kantonale dhe me të tjera komplikime administrative, Serbia mendon se Kosova është krahinë e saj ndërsa Kosova mendon se katër komunat e saj me shumicë serbe janë pjesë funksionale”, ka thënë Surroi në Beograd, njofton KultPlus.com.
“Këmbët e Gjarprit” që në serbisht vjen si “Zmijske Noge” është libër mbi elitat e Ballkanit, mbi patriarkatin, maskulinitetin, një libër që tregon se sa shoqëritë ballkanase janë të ngjashme.
“Këmbët e gjarprit” është po ashtu polemikë politike që, duke përshkruar personazhet politike – prej kryeministrit në detyrë dhe ministrit të Jashtëm, deri tek ish-deputetë, politikanë, luftëtarë dhe një ish-rektor – nxjerr një diagnozë të rëndë për sistemin që e sundon Kosovën, e që, pashmangshëm, do të nxisë reagime, përkrahëse e kritikuese, nga pozicione që tashti të paparashikueshme.
Dragoljuc Zharkoviq, redaktor në Vreme, e ka quajtur librin e publicistit Surroi si padyshim një libër të rrezikshëm.
“Është libër nga i cili ofanzivët e Serbisë do të nxjerrin vetëm atë që iu konvenon, dhe kësisoj nuk do të jetë një analizë e mirë e librit. Prandaj nuk e di nëse është ide e mirë që libri të përkthehet edhe në gjuhën serbe. Librin do ta shfrytëzojnë shumë si aktakuzë ndaj kosovarëve, se ata në të vërtetë i bëjnë këto gjëra, dhe këta nuk i shpikin” ka treguar Zharkoviq.
Promovimi i librit të Surroit është miksuar edhe me debatin mbi politikën aktuale në Ballkan, me secilin shtet më të gjymtuar se tjetri, e me probleme të njëjta. /Insajderi.com