×
  • Lajme
  • Lajme

    Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon dënimin e gazetarit Vehbi Kajtazi

    Insajderi
    23 March 2016 - 22:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lidhja Demokratike e Kosovës që qeverisë me vendin ka kërkuar dënimin e gazetarit Vehbi Kajtazi, për shkak se siç pretendohet shantazhin kundër kryeministrit, Isa Mustafa dhe dëmit që ia ka bërë vendin në arenën ndërkombëtare.

    Kolegjiumi i pesë degëve të LDK-së së Prishtinës, të cilat udhëhiqen nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili është sekretar i Përgjithshëm i LDK-së së Isa Mustafës, ka kërkuar që kryeredaktori i Insajderit, Vehbi Kajtazi “ta marrë dënimin e merituar” për shkrimin e tij, që qiti në pah faktin se vëllai i kryeministrit Isa Mustafa, ka kërkuar azil në dy vende të BE-së.

    Nëpërmjet një komunikate, këto pesë degë të LDK-së, kërkojnë që ndaj gazetarit të ndërmerren masa dënuese.

    “Njëherit, ky Kolegjium fton organet përgjegjëse të marrin masa adekuate në përputhje me ligjin ndaj këtyre dukurive dhe shkelësve të ligjit, të cilat me këto akte jo ligjore janë duke i bërë dëme jo vetëm kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, por gjithë Kosovës”, thuhet në komunikatë.

    Këto pesë degë të LDK-së e kanë quajtur gazetarin Kajtazi edhe shantazhues.

    “Shantazhin e fundit, të cilën i bëri gazetari Vehbi Kajtazi, flet më së miri se puna dhe angazhimi në krye të qeverisë me kryeministrin Mustafa, është duke i penguar dikujt, andaj qarqet të cilat nuk ia donë te mirën Kosovës dhe zhvillimit te saj, porositin shantazher si ky tani Vehbi Kajtazi, për të degraduar personalitetin e Kryeministrit, si dhe lidershipin e Kosovës, duke u munduar t’i jepet hije të keqe shtetit të Kosovës, si brenda e po ashtu edhe në nivelin ndërkombëtar”, shkruan në reagimin e degëve të LDK-së.

    Kolegjiumi i pesë degëve të LDK-së, së Prishtinës, fton opinionin e gjerë që të mos bien pre e këtyre dukurive negative, të cilat janë të porositura nga qarqet e caktuara të cilën Kosovën nuk duan ta shohin në sferën e zhvillimeve politike, ekonomike si dhe në zhvillimet e patjetërsueshme të qarqeve dhe instancave ndërkombëtare, e atyre që Kosovën nuk duan që në këtë mandatë qeverisës të ndodh liberalizimi i vizave, si dhe qasjet tjera zhvillimore ekonomike etj.

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark