Komisioni Përzgjedhës i Komunës së Prishtinës ka propozuar për emërim katër kandidatë për pozitën Teknik i Radiologjisë në QKMF, ndërsa në redaksinë e Insajderit kanë mbërritur informacione që ngrenë pikëpyetje rreth mënyrës se si është zhvilluar procesi i testimit.
Sipas njoftimit të Sektorit të Burimeve Njerëzore, të datës 26 gusht 2026, kandidatja me më së shumti pikë është Ermira Zhitia, me 85 pikë. Pas saj janë renditur Diona Berisha me 84 pikë, Anjeza Maloku me 82 pikë dhe Alara Mustafa me 80 pikë.

Insajderi ka pranuar informacione se kandidatja Anjeza Maloku ka lidhje familjare me Lulzim Fushticën, i cili punon në Komunën e Prishtinës.
Mbetet e paqartë nëse kjo lidhje është deklaruar gjatë procesit të rekrutimit dhe nëse është shqyrtuar nga Komisioni Përzgjedhës për ndonjë konflikt të mundshëm interesi.
Ndërkohë, për kandidaten Alara Mustafa është raportuar se, pasi ka hyrë në test, është larguar nga salla pas rreth dy minutash.
Pikëpyetje janë ngritur edhe rreth pjesëmarrjes së Ermira Zhitias, e cila është renditur e para me 85 pikë.
Sipas informacionit, ajo ka marrë pjesë vetëm në testin me shkrim.
Për këto çështje, Insajderi i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës, përkatësisht Drejtorisë së Shëndetësisë, duke kërkuar sqarime për lidhjen familjare, mënyrën e zhvillimit të testimit dhe nëse gjatë procesit janë evidentuar parregullsi apo janë bërë verifikime nga Komisioni Përzgjedhës.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, Komuna e Prishtinës dhe Drejtoria e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas njoftimit zyrtar, katër kandidatët janë propozuar për emërim në bazë të pikëve të grumbulluara, ndërsa kandidatët e tjerë nuk kanë arritur pikët e nevojshme për t’u përzgjedhur si kandidatë fitues, në përputhje me rregulloren.
Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…