Ligji i ri për tregtinë e derivateve i shkon për shtati matrapazëve të naftës - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Aktuale

    Ligji i ri për tregtinë e derivateve i shkon për shtati matrapazëve të naftës

    Insajderi
    12 August 2021 - 15:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Parim Olluri

    Një ligj i miratuar në heshtje, pa debat të madh publik, më shumë favorizon kompani të dyshimta të derivateve të naftës se sa që vihet në mbrojtje të interesave të konsumatorëve. Për herë të parë në Kosovë ka ndodhur që në vend se të jetë kritik të rreptë sikurse dikur, biznesmenët e naftës kanë përshendetur dhe janë të kënaqur me përmbajtjën e ligjit që rregullon tregtinë e naftës.

    Për gati një dekadë e gjysmë është përpjekje e vazhdueshme që të miratohet një ligj i mirëfilltë i tregtisë së derivateve të naftës. Një ligj që garanton cilësinë e derivateve të naftës dhe vihet në mbrojtje të konsumatorëve, të cilët ankohen çdo ditë për dëmtimin e veturave të tyre nga nafta e përzier e shitësve matrapaz.

    Qeveri pas qeverie nuk kanë arritur ta bëjnë këtë, për shkak të presionit të madh të parapolitikës që favorizon kompanitë multimilionëshe të derivateve të naftës.

    Një përpjekje për të rregulluar tregun e naftës është paralajmëruar në fillim të këtij viti. Pritjet ishin që legjislatura e re e kontrolluar nga partia e Albin Kurtit të veproj ndryshe nga qeveritë e kaluara. Ishte dhënë paralajmërimi që shitësit matrapaz të naftës do të dëmtoheshin rëndë nga qeveria e re.

    Por kjo nuk ndodhi.

    Ligji u ndryshua para disa javësh.  Me 22 korrik të këtij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim ligjin e ri nr. 08/L-018 për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.

    Përmbatja e ligjit të ri duket se është më shumë e ndikuar nga akterët e industrisë së naftës se sa që është e ndikuar nga interesi i qytetarëve.

    Përmbajtja është vetëm pjesërisht në përputhje me legjislacionin e BE-së.

    Edhe pse Qeveria nuk arriti që të përafrojë këtë ligj me legjislacionin e BE -së, është shënuar një “sukses” tjetër. është arritur që përbajtja e ligjit të jetë plotësisht në përputhje me kërkesat e kompanive të naftës.

    Ligji nuk parasheh nene të kontrollit strikt të naftës, por më shumë ia heqë barrën Qeverinë për kontrollimin e cilësisë së naftës duke paraparë kontrolle të buta të kësaj industrie.

    Derisa edhe në qeveritë e kaluar kanë ndodhur raste kur ligjet nuk kanë qenë në përputhje me legjislacionin e BE-së, në këtë rast ka ndodhur një zhvillim për herë të parë.

    Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që industria për të cilën përgatitet një ligj të jetë në përputhje të plotë me Qeverinë dhe të mos ketë asnjë ankesë. Kjo është e çuditshme.

    Bashkëveprimi mes naftëtarëve dhe qeveritarëve është konfirmuar edhe nga vetë  Fadil Berjani, kryetar i shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, i cili i në një deklaratë për media ka thënë se  “Rekomandimet tona gjitha janë inkorporuar në ligj. Kurrfarë kundërshtimi nuk ka pas shoqata e naftëtarëve.”

    është hera e parë që naftëtarët nuk kanë kurrfarë ankese kundër përmbajtjës së një ligji të sponzoruar nga Qeveria e Kosovës. Kjo është risi në Kosovë.

    Deklarimi i Berjanit konfirmon se ligji i ri është plotësisht në përputhje me interesat e bizneseve të naftës në Kosovë dhe asesi në shërbim të interesave të konsumatorëve.

    Me këtë veprim që kënaq industrinë e naftës, Qeveria e Kosovës ka shpërfillur ankesat e përditshme të konsumatorëve që flasin për dëmtim të veturave e mjedisit nga nafta e përzier. Ka shpërfillur dhjetëra raporte auditimi që rekomandojnë për shtrëngim të masave ligjore drejt kontrollit të naftës.

    Raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, thotë qartë se mungon një sistem për të siguruar cilësinë e naftës në tregun e rëndësishëm si dhe në atë të brendshëm. Ky raport i shtetit është shpërfillur nga qeveritarët e rinj.

    Insajderi ka raportuar për rastet aktive të përzierjes së vajit me substanca të tjera për të rritur volumin. Ky abuzim, çon në pasoja të rënda për mjedisin, shëndetin publik dhe pengon qeverinë të tatojë në mënyrë të mirëfilltë kompanitë e naftës.

    Edhe ky rast që dëshmon përzierjën e naftës është shpërfillur nga hartuesit qeveritar të ligjit të ri, të cilët janë vënë në shërbim të shitësve matrapaz të naftës.

    Këto veprime që i shkojnë për shtati abuzuesve të tregtisë me naftë tregojnë qartë se edhe qeveritarët e rinj, ngjashëm sikurse qeveritë e kaluara, janë të interesuar që t’i kryejnë favore mafiozëve e abuzuesve të industrisë së naftës. Duke ndikuar kështu që të dëmtohen qytetarët, mjedisi dhe vetë shteti që i kufizohej t’i mbledh tatimet kur industria lejohet që të punoj në të zezën. Ligji i ri i naftës është më shumë instrument që lejon funksionimin e mashtruesve të naftës se sa ligj që forcon kontrollin në këtë industri të ndjeshme.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark