×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Përzierja e naftës – rrëfimi për sekretet e industrisë që shteti synon t’ia zbus kontrollin

    Insajderi
    28 July 2021 - 15:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Përzierja e naftës -Rrëfimi tronditës i dëshmitarit” është dokumentar i transmetuar kohë më parë nga InDoks. Përmes rrëfimit të ekspertit, dokumenteve ekskluzive dhe intervistave të personave me ndikim në industrinë multimilionëshe të derivateve, sillen para publikut sekretet e këtij sektori. Sa kontrollohet nafta që hyn në vend? Kush janë ata që e përziejnë atë me produkte tjera në dëm të qytetarëve? Kush po kërkon më pak kontroll mbi këtë sektor? Çka po bënë Qeveria e Kurtit për ta disiplinuar këtë industri?

    Visar Duriqi / Donjeta Islami

    Në kushte anonimiteti një ekspertë veturash ka rrëfyer se si bëhet përzierja e derivateve në Kosovës. Dëshmitari së fundi është fokusuar në testimin e cilësisë së derivateve që ofrohen në tregun kosovar nga industria e derivateve. Ai me shembuj konkret tregon se çfarë derivatesh ofrohen, e mbi të gjitha cilat janë dëmet që ato shkaktojnë tek prona e qytetarëve- vetura.

    “Naftë e blerë në pompën e benzinës, ku shihet edhe cilësia e saj – shumë ngjyrë e gjelbër e qelur. Tash e provojmë me vaj të djegur, ku filtrohet ai vaji i djegur i mbeturinave të veturave, edhe do e provojmë me vaj të lule diellit të reciklum gjithashtu”, shprehet dëshmitari.

    Përtej rrëfimit të tij, përmes këtij hulumtimi të realizuar është mësuar se çfarë nafte shitet në Kosovë. Sa përzihet ajo me produkte të tjera e vajra? Kush e bënë këtë aktivitet ilegal në Kosovë? Çka thonë të dhënat e Doganave të Kosovës? Çka po bënë Qeveria e re për ta disiplinuar industrinë multi-milionshe të derivateve?

    Përgjigje për këto pyetje kanë dhënë njerëz nga industria.

    Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari që po e shfrytëzon foltoren e Kuvendit për të sulmuar paraardhësit e saj në atë karrige që sot ajo ulet. Po e kritikon një vendim që ishte marrë për të vendosur kontroll mbi cilësinë e naftës, dhe për ta shfuqizuar atë vendim, e me veprimet e të cilës për çudi, pajtohet vet industria e derivateve. Rëndom përfaqësues të industrive multi-milionëshe pajtohet me Qeverinë kur zvogëlohet niveli i kontrollit. Rrjedhimisht, rritet profiti.
    Në anën tjetër, ndryshimi i Udhëzimit administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ku kontrolli i cilësisë së naftës nga trupat inspektuese private i kaloi Doganës së Kosovës është mirëpritur nga biznesmeni që përfaqëson industrinë multi-milionëshe të naftës, Fadil Berjani.

    “Sa i përket këtij Udhëzimit Administrativ, unë përshëndes ministren Rozeta Hajdari, e ka bo një punë shumë të drejt, shumë reale sepse bizneset nuk paguajnë. Kjo është një vendim i qëllum, mendoj që ky udhëzim u anulu pjesërisht, ka mbete për me u anulu edhe pigmentimi ose ngjyrosja ku shpresoj dhe besojmë që ministrja Hajadri do ta merr edhe këtë vendim të qëlluar”, tha ai.

    Ndaj kësaj industrie u vendos një kontroll që përfshinte shënjezimin e naftës kur ajo hynte në kufi, si pjesë e një kontrolli të më vonshëm të cilësisë, dhe jo vetëm të sasisë. Heqja e këtij mekanizmi, që ende nuk është bërë në tërësi, por është nisur nga Ministrja Rozeta Hajdari po i pëlqen shumë atij.

    E ish-ministri i Industrisë, Vesel Krasniqi në episodin e së shtunës foli për cilësinë e dyshimtë të naftës që u shitet kosovarëve. Edhe pse i sulmuar në publik, ai thotë që është i gatshëm të flas edhe para prokurorëve, nëse vendimi i tij për të shtuar më shumë kontroll mbi këtë industri multi-milionëshe ka qenë në kundërshtim me ligjin.

    “Është mirë, i bëjë thirrje ministres që të merret me programe dhe kërkesa të qytetarëve të Kosovës dhe të nxjerri akte ligjore e nënligjore të cilat kanë në procedurë dhe gjitha ato që i përmendi gjatë deklaratës ato kanë qenë në proces dhe asnjë akt ligjor apo nënligjor nuk është bë nga ministrja, do të thotë të gjitha kanë qenë në pritje në zyrën e sekretarit të Qeverisë së Kosovës për tu procedu në qeveri e pastaj në parlamentin e Kosovës. Deklaratat të tilla politike sigurisht nuk na bëjnë mirë as neve”, ka thënë ish-ministri.

    Në këtë intervistë të gjatë, ai ka treguar se pse iu desh që të vendoste kontrollin. Se pse Dogana ishte e pamjaftueshme për ta bërë kontroll. Se nga cila anë e Kosovës, para vendimit të tij, nuk kontrollohej aspak se çfarë nafte po hynte. Dhe se çka ndodh me naftën që përpunohet brenda vendit, e që dyshohet se përzihet me vajra e produkte tjera të dëmshme.

    “Unë kam dal në teren, në Dogana gjegjësisht në pikën e Morinës dhe së bashku Doganën atëkohë ka qenë ushtrues detyre i Doganës,… dhe kemi dalë dhe kemi marrë derivate të naftës për më së paku 5 maune, të cilat sapo kanë hy në territorin e Kosovës dhe do të them që në atëkohë, se është bë shumë bujë e madhe që Dogana e ka laboratorin e vet dhe ka kapacitetet eveta që mund ta bëjë kontrollin dhe cilësinë e naftës dhe them të drejtën janë dëshmi të gjalla, janë data, procese që vet Dogana i ka ftu trupa e autorizum që unë në atëkohë I kam gjetë. Dy trupa të autorizume dhe i kanë thirrë trupat në pamundësi për të bë kontrollin, verifikimin e cilësisë së naftës dhe ato trupa të autorizuara nga Ministria e Tregtisë që i ka ftu Dogana e kanë bë, por jo laboratori për të cilën është bë shumë bujë dhe stafi i cili punon në Dogana apo në laborator dhe kjo është një”.

    Ish-ministri ka treguar se është bazuar në raportet e Komisionit Evropian të vitit 2017-2019, kur vendosi kur mori vendimin për ndryshimin e udhëzimit administrativ.

    “Kemi nxjerr një udhëzim administrativ, i cili ka luftimin e informalitetit përmes markimit apo shënimit të derivateve të naftës në pikat doganore dhe cilësinë e naftës është thënë që ky udhëzim është në kundërshtim me ligjin dhe nuk ka bazë ligjore”.

    “Unë mendoj që shumë mirë shënon tek ligji për tregti të brendshme të derivateve të naftës gjegjësisht tek ligji 2004-05 neni 11 decidivisht shënon kështu – paragrafi 11.1 “Ministria përkujdeset mbikëqyre dhe është përgjegjëse për furnizimi të sigurt, të rregulltë dhe cilësorë me derivate të naftës” – dhe kjo është baza kryesore ku ne jemi bazu me këtë udhëzim administrative dhe unë konsideroje që nuk ka shkelje ligjore por ka bazë ligjore dhe ajo që është më thelbësorja dhe më e arsyeshmja është që qytetarët e Kosovës në cdo kohë, masë ju servohet derivate pa përzierje”, deklaroi Krasniqi.

    Eksperti i veturave ka treguar se çka ndodhë me vet veturat kur ato përfundojnë duke djegur naftë që është përzier me vajra e produkte të tjera.

    “Ky është vaji që merret prej veturave, vaj i djegur i thonë kur riciklohet i hiqet sulfuri, një substancë sulfuri dhe kthehet në vaj të përpunuar. Tash ky vaj i përpunum qitet me naftë të pastër ku bëhet p,sh sasia e marrim këtë shishe, është një litër ku në pompa të benzinës ajo vlen 10 mijë litra ku kjo shishe e ka 300-400 mililitra ku në pompa të benzinës shtohet bohet deri 3-4 mili litra më shumë dhe bëhet përzierja do ta privojmë edhe me vaj të lule te diellit dhe me pa se si funksionon, se si punon vetura. Tash e qesim vajin e djegur komplet”.

    “Në pompa të benzinës kur shihet vaji që nuk e ka ngjyrën e gjelbër, shkon më shumë kah ngjyra e kaftë dije që nuk është vaj cilësorë por është vaj i përpunuar – naftë e përpunuar me gjithë vaj e përzier. Nafta nëse nuk e ka ngjyrën shumë më të qelur dihet se nëse vjen kah ngjyra e kaftë ose ngjyra më e mbylltë se e gjelbër apo e verdha, dije që është e përpunuar”.

    Ky ekspert ka treguar në këtë demonstrim se çka ndodh edhe me përzierjen e naftës me vaj luledielli, një praktikë që dyshohet se ndodh brenda territorit, pasi që nafta të jetë sjellë në Kosovë. InDoks e ka pasur të pamundur që të flasë direkt me Inspektoratin e Tregut që është nën ministrinë që drejtohet nga Ministrja Rozeta Hajdari. Të njëjtit nuk kanë pranuar që të japin as të dhëna se sa inspektime kanë kryer, sa raste të naftës së përzier kanë gjetur e te cilat kompani i kanë gjetur. Madje nuk kanë as raporte publike për inspektimet e tyre e as vendime eventuale dënimesh të shqiptuara.

    Pos problemit me Veriun e vendit, që siç e ka dëshmuar InDoks në dokumentarë të transmetuar më parë, është një lloj parajse për krimin e kontrabandën, ish-ministri Krasniqi në intervistë për Indoks, duke folur se pse iu desh që të vendoste më shumë kontroll mbi industrinë multi-milionëshe të naftës në vend për ti mbrojtur qytetarët, tregon edhe për mungesë kapacitetesh nga institucionet që tash Qeveria e re po do që t’ia besojë krejt kontrollin.

    “Unë kam vizitu edhe pjesën veriore të Mitrovicës disa pompa të benzinës dhe unë kam pa shumë shkelje në këtë pjesë, përveç që cilësia nuk është kontrollu asnjëherë të vetëm nga një Inspektoriat apo ministër, qeveri ne kemi marrë disa mostra kemi gjete pa arka fiskale dhe ka pasë futje ilegale të derivateve nga ajo pjesë”.

    Auditorët e brendshëm të Doganave që në vitin 2010 kishin gjetur një seri parregullsish kur audituanë atëherë njërin prej bizneseve që bënte përpunim të derivateve brenda territori të Kosovës, biznesin “Kulla Exim” e Adem Rrustemajt. Pos tjerash gjetën që lënda e parë e naftës e cila importohet nga rafineria është e liruar nga taksa e akcizës por në fakt auditorët kishin gjetur se “Kulla Exim” më shumë kishte importuar naftë të gatshme për treg.

    Në vitin 2019 Auditori i Përgjakshëm i Kosovës publikoi edhe një raport specifik për sektorin ë naftës dhe se si e mbikëqyr këtë industri shteti. Gjetjet ishin shqetësuese.

    Auditori gjeti se 50 % e naftës e benzinës hyn në Kosovë e dogana ua kontrollon veç dokumentet. Më shumë se 40 % e naftës hyn në formë të lirë- dhe është emëruar si kanali i gjelbër. Vetëm 6% të naftës i bëhej testimi laboratorik. Kurse vetëm 1% të naftës që hynte në vend kontrollohej pas zhdoganimit.

    Auditori po ashti kishte konstatuar në këtë raport që ka dyshime se ka përzierje të naftës me produkte të tjera dhe kjo ndodhë brenda territorit e po ashtu jepte vërejtje serioze për mungesë kontrolli të shtetit.

    Fadil Berjani, kryetari i Shoqatës së naftëtarëve ka shpjeguar pse kanë këkuar që Dogana ta bëjë kontrollin e cilësisë së naftës.

    “Shoqata e Naftarëve gjithmonë ka kërkuar që të kontrollohet në kufi dhe kjo është arrite, është duke e kontrollu Dogana e R. Kosovës, ku ka investu në laborator 1.2 milionë euro do të thotë e ka laboratorin më të mirin në regjion dhe kjo kontroll e cilësisë ka arritë deri në 12% dogana. Kur dihet se ish-ministrat nuk kanë arrit as 1-2% ta kontrollojnë cilësinë, tash në Dogana po kontrollohet prej 10 deri në 12-13%. Statistika nuk kemi, por e shohim se monitorimi bëhet dy herë në vit, në hyrjet në kufi edhe atje po kontrollohet 10-15%, kështu që ne nuk jemi kurrë të kënaqur me kontrollin e cilësisë ne gjithmonë kemi kërku dhe kërkojmë sa më shumë të kontrollohet cilësia”.

    Për Insajderin ministria që drejtohet nga Rozeta Hajdari, ka treguar që në vend aktualisht operojnë 4 prodhues/përpunues të naftës, e që importojnë lëndë të parë pa akcizë. Ata thonë që po e kontrollojnë naftën brenda tregut vendor përmes Inspektoratit të Tregut.

    Por, kur janë pyetur për dyshimet për përzierje të jashtëligjshme të naftës nga kompanitë kosovare brenda territorit, në këtë ministri thonë vetëm që po bashkëpunojmë me institucionet relevante për të siguruar zbatimin e ligjit.
    Në këtë ministri kanë bërë me dije se Inspektorati i Tregut ka realizuar 270 testime më 2020, ndërsa gjatë 2021-tës ka kryer deri tani 353 testime. Testime për rezultate krahasuese nuk ka, pasi që marrëveshja me Republikën e Shqipërisë nuk është përmbyllur ende, meqë Shqipëria nuk ka pasur laborator të akredituar.

    Të pyetur për mënyrën se si po e sigurojnë që nafta që shitet në vend është ë sigurt për kosovarët, në Ministrinë e Rozeta Hajdarit thonë se në bashkëpunim me Doganën, është siguruar se nafta që hyn në treg është e kontrolluar nga një laborator i akredituar. Thonë po ashtu se Ministria tani po punon për të funksionalizuar edhe laboratorin mobil, për çka së pari duhet krijuar baza ligjore me ligjin e ri, që është dërguar për miratim në Kuvend.

    Në Doganat e Kosovës nuk kanë pranuar që të flasin para kamerës për InDoks por në një përgjigje me shkrim ata thonë që, që nga fillimi i majit po e zbatojnë vendimin e Ministres Hajdari që Dogana kryen kontrollin e cilësisë së karburanteve.

    Ata thonë që procedura e kontrollit të derivateve bëhet përmes sistemit të riskut ku bëhet përzgjedhja e ngarkesës me derivate, mostrimi, testimi laboratorik dhe në fund bëhet lirimi i ngarkesës nëse analiza del në përputhje me udhëzimet në fuqi dhe standarde ndërkombëtare.

    Në këtë institucion shpjegojnë që vet bizneset që importojnë naftë në vend janë të obliguara që të sjellin një raport nga një mekanizëm i akridituar që nafta është cilësore- pra kontrolli i dokumenteve bëhet nga Dogana.
    Dogana e Kosovës thotë që nuk ka dërguar mostra për testime në laboratorë tjerë por ka kërkuar nga importues që të dëshmojnë se analizat janë kryer në ndonjë laborator të akredituar, e në mungesë së dëshmisë janë marrë mostra dhe është testuar ngarkesa me shpenzime të importuesit.

    Në këtë institucion thonë që për dy vitet e fundit kanë gjetur 8 ngarkesa (autobote) me derivate të naftës kanë rezultuar të mos jenë në përputhje me udhëzimet në fuqi, por askush nuk është ndëshkuar- pos qe ngarkesat i kthejnë mbrapa në vendin eksportues.

    InDoks ka siguruar të dhëna për importin e naftës në Kosovë për vitin 2019 dhe vitin 2020. Në vitin e fundit, pas ndërprerjes së shumë aktiviteteve biznesore kishte për shkak te pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid19. Në këtë periudhë kishte rënë në masë të madhe edhe transporti publik dhe ai i veturave private, pasi herë pas here kishte orë policore me afat të gjatë.

    Megjithatë, duke krahasuar të dhënat e vitit pa pandemi, dhe atij me pandemi del që në vitin 2019 janë importuar më shumë se 790 milionë litra të të gjitha llojeve, kurse në vitin 2020, atë të pandemisë, janë importuar mbi 750 milionë litra derivatesh të llojeve të ndryshme. Në vitin 2020 del që vajra për djegie dhe vajra motorike janë importuar shumë më shumë se sa në vitin 2019. Apo, afro 18 milionë litra më shumë.

    Derisa ministrja Hajdari thotë që profesionistet kanë qenë të shtypur, InDoks ka siguruar një komunikim të qershorit të këtij viti ku një kompani e fuqishme e derivateve në vend kërkon nga Agjencia e Metrologjisë që të bëjë verifikim të pajisjeve të saj.

    Kërkesa në fillim u refuzua pasi që në këtë punë po dërgojë njeriu që kërkohej që të dërgohej paraqiste konflikt interesi- ishte nga departamenti i metrologjisë shkencore dhe jo nga ai i metrologjisë ligjore, siç kërkohet me standarde. Kjo i ishte bërë e qartë ministres Hajdari në shkresa zyrtare, por megjithatë ajo në fund mori vendimin që t’ia plotësonte kërkesën kësaj kompanie private ani pse ishte informuar me shkrim se kishte konflikt interesi.
    Kryetari i Shoqatës së Naftarëve shpreht se cilësia e naftës në Kosovë është e njëjtë sikurse në shtetet e regjionit. Derisa mohon se ka pasur ankesa për derivate pa cilësi.

    InDoks e ka pasur të pamundur që të marrë përgjigje nga Inspektorati i Tregut, e të ketë qasje në raportet e tyre. Në anën tjetër, edhe kompanitë që merren me riparim veturash kanë hezituar që të flasin për rastet e veturave që kanë rregulluar, motorët e të cilave janë dëmtuar nga cilësia e keqe e naftës.

    Në mars të këtij viti në Shqipëri nisi një hetim për të ashtu-quajturën “nafta virgjin”. “Virgin” është një nënprodukt nafte, që del nga sasia bruto e prodhimit, me synim për t’u bërë benzinë. Për futjen e këtij produkti në tregun shqiptar, atë kohë u arrestuan 13 persona. Ata akuzoheshin edhe se kanë kryer qarkullimin e naftës “virgin”, duke e hedhur atë në treg të papastër, me efekt ndotës në ambient dhe me dëmtim për automjetet.

    Mediat shqiptare raportuan që edhe Doganat e Kosovës po mblidhnin të dhëna për këtë produkt në Kosovë, por që nga ajo kohë më nuk ka kumtesa nga ky institucion nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim në këtë drejtim.

    Dëshmitari ka shpjeguar se ka disa mënyra se si mund ta kuptoni se vetura juaj nuk është në rregull, më konkretisht është prishur për shkak të cilësisë së dobët të naftës.

    “Kualiteti i naftës në pompa të benzinës, nëse vërehet në zhurmë të motorit që ska vërejt më herët, zhurma e motorit mundet me qenë kur ska mjaft vaj të vetin, mirëpo nëse është servisi i krym edhe dëgjohet një zhurmë krejt komplet tjetër e motorit dije që ajo pomp e derivateve nuk e ka qat naftë cilësore – e cila mundet me qenë kombinim e përzime me vaj të lule të diellit ose motorik.

    “Kështu që nëse vëreni njëfarë zhurme diçka të motorit, ju kisha propozu mos qitni mo pompë të benzinës, por ndërrojeni”, tha eksperti i veturave./InDoks/Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark