Me 27 tetor të vitit 2020 Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 29 persona për veprat penale për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, kontrabandë me mallra, shmangie tatimi dhe shpëlarje të parave, shkruan Insajderi.
Aktakuza është ngritur ndaj Safet Kyqykut, Armend Danqelit, Ardian kuqit, Zenun Zenunit, Besnik Aliut, Burim Bytyqit, Blerim Blakajt, Flakron Maqanit, Naser Pervetices, Nexhat Ejupit, Nehat Ejupi, Hasan Ejupit, Besim Bllaces, Trimor Dushkajat, Driton Shabanit, Burim Sadikut, Agron Limanit, Blerim Imerit, Petrit Nezirit, Avni Berishes, Afrim Rifatit, Idriz Jakupi, Istref Veliqit, Sabri Brahimit, Sami Baliut e Ramadan Nebijat, Burim Makiqit e Bekim Kyqykut.
Në këtë episod të InDoks, për herë të parë para publikut sillen detaje ekskluzive se përse u akuzuan pronarët e bizneseve të bixhozit, dikur të ligjshme në vend. Si e bënin ata shpëlarjen e parave, sipas Prokurorisë. Cilët nga biznesmenë, dikur të bizneseve të ligjshme të bixhozit tash janë kapur duke bërë bixhoz ilegal.
“Të pandehurit e lartcekur duke vepruar qoftë veç e veç apo në bashkëkryerje nga data e pacaktuar në vazhdimësi deri më datën 15.12.2017 duke vepruar me dashje dhe dijeni, gjithnjë me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore, organizuan lojëra të fatit për të cilat nuk ka qenë e dhënë licenca, leja apo koncesioni i organit kompetent”, thuhet në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar InDoks.
Safet Kyqyku
Emri i Safet Kyqykut është përmendur si i pari në një dosje të trashë të Prokurorisë që është në proces gjykimi në Prishtinë. Aty janë listuar 27 të akuzuar.
Ai ishte pronar i rrjetit të bastoreve Tipsport365. Sipas regjistrit të bizneseve kishte hiç më pak se 50 njësi, të shtrira në tërë territorin e vendit.
Dosja që është deponuar në Gjykatë për këtë të akuzuar thotë se ai u ka mundësuar klientëve të bastoreve të tij që të luajnë madje edhe në aparate të pa-licencuara që i kishte. Kjo praktikë është gjetur një në shumë e shumë raste, dhe madje atij iu gjetën edhe organizim i lojërave me qen, që edhe ashtu ishte i palejuar edhe me ligjin e vjetër.
Hetuesit kishin gjurmuar edhe në transaksionet e tij financiare, në shuma të mëdha, që herë shkrueshin si huazim e herë si kthim huazimi. Në disa raste, paratë ishin bartur edhe brenda familjes nga babai tek djali dhe më vonë ishin nxjerrë jashtë vendit përmes kompanive si MonyGram e ËeternUnion për të përfunduar te persona në Shqipëri, Maqedoni e deri në Bullgari. Dhjetëra transaksione që Prokuroria po i konsideron të dyshimta. Shuma totale e transaksioneve, mbi 340 mijë euro. Një pjesë të transaksioneve i kreu me një biznes krejt tjetër të tij, që nuk ishin bastoret, por një kompani për tregti.
Armend Danqeli
Armend Danqeli pronar i biznesit “Euro Game” akuzohet në bashkëkryerje me Safet Kyqykun kanë organizuar lojëra të fatit për të cilat nuk kanë pasur licencë. Danqeli, që kishte të regjistruar një biznes bixhozi me 30 njësi, akuzohet se shfrytëzonte lokalin e Kyqykut në Prizren për lojërat e fatit të “TipSport”, ky lokal ishte mbyllur paraprakisht nga ATK-ja. Derisa ishte hapur në mënyrë të paligjshme nga të pandehurit në fjalë. Aparate të pa-licencuara e mundësim i përdorimit të tyre nga klientët ishte gjetur në shumë raste gjatë hetimit.
Në lidhje me këta dy biznesmenë janë akuzuar edhe menaxherët që lidhen me bizneset e tyre si Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Blerim Blakaj e Burim Bytyqi.
Por, Burim Bytyqi del që të jetë më shumë se sa menaxher. Ai kishte një firmë me emrin “Financial Advising Services” ku ka bërë transaksione të shumta brenda e jashtë vendit. Prokurorisë iu deshën tri faqe të plota të mbushura me shumë të dhëna teknike që të ia përshkruanin gjykatës se pse e dyshojnë për shpërlarje të parave këtë të akuzuar. Në fund, dosja zbulon se ai ka qarkulluar mbi 700 mijë euro, dhe një pjesë e mirë e tyre janë shkruar si huazim e kthim borxhi.
Në raste të tjera të hetimeve për fajde, Prokuroria kur kishte parë raste të shumta të tilla si huazim e kthim borxhi, kishte ngritur dyshime edhe për fajde.
Po për transaksione të dyshimta që lidhen me Safet Kyqykun, Prokuroria ka akuzuar edhe Bekim Kyqykun. Ai depononte para kesh në bankë që shkonin në xhirollogarinë e Safet Kyqykut.
Ardian Kuqi
Ardian Kuqi po akuzohet duke qenë në dijeni dhe me dashja ka ndihmuar pronarin e “Euro Game”, Armend Danqelin si dhe pronarin e “TipSport365”, Safet Kyqykun në sigurimin e automateve që përdorën për veprimtarin e lojrërave të fatit. Kuqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “ndihma” ldihur me veprën organizim I skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Flakron Maqani
Në këtë aktakuzë me 27 persona është përfshirë edhe Flakron Maqani. Edhe ai ka pasur në pronësi biznese të regjistruara të bixhozit, derisa hetimi nxjerr se ai ka lënë klientët që të përdorin edhe aparate të palicencuara, por në disa raste kishte organizuar edhe lojëra komplet ilegale derisa ky biznes ishte i ligjshëm në Kosovë. Edhe atij i janë hetuar transaksionet, që për Prokurorinë janë të dyshimta, dhe vlera e tyre e kalon shumën 100 mijë euro. Si menaxher i bizneseve të Maqanit, i akuzuar në këtë rast është edhe Naser Pervetica.
Flakroni është vëllai i Mentor Maqanit. Ky i fundit është edhe më i njohur për Prokurorinë, derisa InDoks ka raportuar për të edhe në dokumentarë të tjerë. Ai është i bashkë-akuzuar në rastin e njohur si rasti i Ismet Osmanit-Currit, si dhe po ashtu në një dosje të madhe të Prokurorisë për kazinotë e paligjshme në Karaçevë.
Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi dhe Hasan Ejupi
Të tre nga Shtimja akuzohen se si pronarë të lokalit “Lumi Sport” në Prishtinë se bashkëkryerje kanë organizuar lojëra të fatit në mënyrë të paligjshme deri në vitin 2016. Aty përdoreshin automate të pa licencuara. Hetuesit kanë gjetur se Ejupët diku kanë nuk kishin as leje për baste as leje nga komuna, e në disa pika kishin leje për baste, por jo për lojëra të fatit, por megjithatë ata e bënin këtë biznes gjithsesi.
Dosja e Prokurorisë zbulon se hetimi i tyre ka gjetur se këta tre të akuzuar përmes xhirollogarisë së biznesit kanë bërë transaksione në Zvicër në shumën mbi 1.8 milionë euro.
Transaksionet e tyre shkojnë prej Kosovës në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, nëpër vende evropiane si Angli e Holandë, pastaj në Maltë e deri në vende afrikane si Gana. Transaksionet here kryheshin me xhirollogari e herë kryheshin me Ëestern Union. Prokuroria pretendon se këta persona dyshohen për shpërlarje parash pasi që në transaksionet e tyre qëllimisht kanë tentuar të hutojnë institucionet mbikëqyrëse duke bërë shumë transaksione si huazim e kthim huazimi, pastaj pazar i ditës e pagesa faturash. E kanë fshehur burimin e parave të dyshimta, duke i përzier ato me paratë e fituara në mënyrë të ligjshme, pretendon Prokuroria.
Bashkë me ta janë akuzuar edhe njerëz të ndërlidhur me ta, kryesisht menaxherë në biznesin “Lumi Sport” si Besim Bllaca, Trimor Dushakja, Driton Shabanit, Burim Sadiku, Arber Hoti dhe Agron Limani.
Burim Imeri
Blerim Imeri, pronar i lojërave të fatit “Matrix”, është pjesë e aktakuzës së madhe të Prokurorisë. Edhe ai dyshohet se në disa nga pikat e biznesit të tij ka organizuar edhe veprimtari të paligjshme bixhozi derisa vet bixhozi ishte i ligjshëm në Kosovë.
Bashkë me të janë akuzuar edhe Petrit Neziri që ishte menaxher i pikës në Prishtinë të “Matrix Shpk” Pos tij në lidhje me biznesin e Blerim Imerit është akuzuar edhe një tjetër ish-menaxher i tij, Avni Berisha, pastaj Afrim Rifati e Idriz Jakupi, po ashtu menaxherë në këtë biznes.
Transaksionet e këtij biznesi del që kryesisht janë kryer nga menaxheri Petrit Neziri. Janë dhjetëra transaksione që i ka fut Prokuroria në dosje, e aty përsëri figurojnë format si borxh e kthim borxhi, e para që qarkullojnë edhe nga Kosova për në Slloveni. Prokuroria po i konsideron të dyshimta. Shuma e transaksioneve që janë futur në dosje shkon në afro 300 mijë euro.
Istref Veliq e Sabri Brahimi
Sipas kësaj dosje pronari i “Game Plus”, Istref Veliqi dhe pronari i “TotoSport365”, Sabri Brahimi lokalet e të cilëve ndodhën në Isrog në bashkëkryerje kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për lojëra të fatit. Ata ju kanë mundësuar pjesëmarrëseve të ndryshëm përdorimin e 7 automateve për të zhvilluar lojëra të fatit. “Kajot , Racing Dogs, Keno “, ishin disa prej llojeve të automateve.
Veliqi përmendet edhe në një aktakuzë tjetër të ngritur më 8 janar 2021, ku janë edhe 12 persona të tjerë: Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Blerim Imeri, Skender Fetaj, Flakron Maqani, Armend Danqeli, Xhavit Krasniqi, Bylbyl Hebibi, Nexhat Ejupi, Habil Krasniqi, Kreshnik Myrtollari dhe Dodë Rica. Nga kjo aktakuzë Edmond Jakupi dhe Tahir Bërbatovci e kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 2 vite burgim me kusht.
Gazeta Insajderi ka tentuar që të kontaktoj të akuzuarit e përfshirë në këtë dosje, por edhe ata që ka arritur që ti kontaktoi kanë refuzuar që të flasin. Për çudi, as avokatët e tyre nuk kanë pranuar që të flasin për këtë aktakuzë dhe procesin gjyqësor.
Dokumentari i plotë – InDoks | Dosja e bixhozit