Liverpooli ka identifikuar objektivin e parë të merkatos, në rast se themeluesi i “Amazon”, Jeff Bezos, i siguron klubit një injektim të madh financiar. Konsorciumi i amerikanit pritet të investojë 1.5 miliardë paund te klubi nga Merseyside.
Bezos, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 256 miliardë dollarë (192 miliardë paund), është personi i katërt më i pasur në botë dhe pjesë e një konsorciumi që po negocion për të blerë 30 për qind të aksioneve të Liverpoolit.
Në konsorcium bëjnë pjesë gjithashtu milioneri britaniko-indian Amit Bhatia dhe bashkëthemeluesi i “Facebook”, Eduardo Saverin.
Interesimi i 62-vjeçarit Bezos tashmë është konfirmuar nga pronarët aktualë të Liverpoolit, Fenway Sports Group (FSG).
Muajin e kaluar, një zëdhënës i FSG-së publikoi deklaratën e mëposhtme, duke konfirmuar interesimin e Bhatias:
“Një konsorcium investitorësh i udhëhequr, menaxhuar dhe përfaqësuar nga Amit Bhatia ka shprehur interes për të bërë një investim strategjik minoritar në Liverpool”.
Ndërsa konsorciumi i Bezos do të jetë i fokusuar në përfundimin e marrëveshjes, trajneri Andoni Iraola do të përqendrohet vetëm te forcimi i mëtejshëm i skuadrës përpara sezonit të tij të parë në krye të Liverpoolit.
Iraola dhe kapiteni Virgil van Dijk kanë sugjeruar të dy se “Të Kuqtë” kanë nevojë për përforcime të reja, pavarësisht se tashmë kanë afruar Victor Munoz nga Osasuna, Jeremy Jacquet nga Rennes dhe Ronald Araujo në huazim njëvjeçar nga Barcelona.
Liverpooli ka gjithashtu opsionin për ta blerë përfundimisht Araujo për 47.1 milionë paund.
Përpjekja e Liverpoolit për të transferuar sulmuesin e krahut të Paris Saint-Germain, Bradley Barcola, raportohet se ka ngecur. “Të Kuqtë” janë ende larg vlerësimit prej 128 milionë paundësh që klubi francez i ka vendosur yllit të kombëtares së Francës.
The Sun raporton gjithashtu se mesfushori i Bournemouth, Alex Scott, është një tjetër lojtar që intereson Iraolën, pasi të dy kanë punuar së bashku te Bournemouth.
Scott më parë kishte qenë objektiv i Chelseat, i cili kishte bërë një ofertë prej 64 milionë paundësh për të.
Megjithatë, Liverpooli nuk është i gatshëm të paguajë shumën prej 80 milionë paundësh që raportohet se Bournemouth kërkon për mesfushorin. Scott ka kontratë me klubin nga bregdeti jugor deri në vitin 2028.
Afati kalimtar i verës mbyllet më 1 shtator.