Liverpooli raportohet se ka kontaktuar një trajner të njohur, teksa spekulimet rreth të ardhmes së Arne Slotit po shtohen çdo ditë e më shumë. Presioni mbi Slotin është rritur ndjeshëm pas humbjes së gjashtë në kampionat këtë sezon, të shtunën, kur skuadra pësoi një disfatë të rëndë 3-0 ndaj Nottingham Forest në “Anfield”.
“The Reds” numërojnë vetëm 18 pikë pas 12 ndeshjeve dhe gjenden në gjysmën e poshtme të tabelës, duke e bërë mbrojtjen e titullit të Premierligës thuajse të pamundur.
Pas kësaj humbjeje, një përditësim i ri nga Fabrizio Romano hedh dritë mbi të ardhmen e Slotit. Ai thekson se, nëse Liverpooli vendos ta shkarkojë trajnerin, klubi do të duhet të paguajë një shumë të lartë kompensimi, pasi kontrata e Slotit është e vlefshme deri në vitin 2027.
Ndërkohë, një listë trajnerësh të mundshëm për ta zëvendësuar atë ka dalë tashmë, dhe një raport i ri zbulon se një emër i ri ka hyrë në radarin e klubit. Sipas “Bayern Space”, të njëjtit që raportuan të parët transferimin e Florian Wirtzit te Liverpooli verën e kaluar, drejtori sportiv Richard Hughes ka kontaktuar agjentin e Julian Nagelsmann për të eksploruar mundësinë e ardhjes së tij në të ardhmen.
Agjenti Volker Struth ka marrëdhënie të ngushta me Bayern Munichun, gjë që lidhet me interesimin e vazhdueshëm të bavarezëve për Nagelsmannin. Raporti thekson se Bayerni është informuar se Liverpooli ka zhvilluar bisedime “të lira” dhe “parandaluese” me agjentin, me qëllimin për të kuptuar synimet afatgjata të trajnerit gjerman në rast se Slot shkarkohet.
Megjithatë, Liverpoolit i është bërë e ditur se 38-vjeçari nuk do të largohet nga Gjermania para Kupës së Botës së verës së ardhshme, në asnjë rrethanë. Por, në varësi të paraqitjeve të Gjermanisë, një largim i hershëm nga kontrata shihet si i mundur, sidomos për një klub me “peshë historike” si Liverpooli.
Për më tepër, besohet se Jurgen Kloppi po “udhëzon Liverpoolin drejt sigurimit të Nagelsmannit” dhe madje “përflitet” se ai mund të merret në konsideratë për të zëvendësuar trajnerin aktual të Gjermanisë, nëse ky i fundit kalon te Liverpooli.
Nëse Nagelsmann merr drejtimin e Liverpoolit, ai mund të rikthejë edhe shkëlqimin e Florian Wirtzit, i cili ka pasur vështirësi të mëdha adaptimi në Premierligë pas transferimit prej 116 milionë paundësh. Edhe pse ishte një sensacion te Bayer Leverkusen sezonin e kaluar, ai ende nuk ka arritur të tregojë vlerën e tij në “Anfield”.
Nagelsmanni, që e drejton 22-vjeçarin në kombëtare, besohet se mund të nxjerrë versionin më të mirë të tij. Trajneri gjerman e ka mbrojtur Wirtzin mes kritikave, duke thënë se lojtari shpesh zhgënjehet nga moskonvertimi i rasteve që ai krijon.
“Liverpooli mund ta ndihmonte duke shënuar disa nga rastet që ai krijon,” tha Nagelsmann, kur u pyet për paraqitjet e Wirtzit këtë sezon. “Duket sikur atyre nuk u pëlqen ta gjuajnë topin,” përfundoi ai.