Lladrovci: Drenasin e kanë qeverisur Jakup Krasniqi me vëllezër e nipa - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Lladrovci: Drenasin e kanë qeverisur Jakup Krasniqi me vëllezër e nipa

    Insajderi
    13 December 2016 - 23:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fushata parazgjedhore për zgjedhjet në balotazh për kryetar të Drenasit po vazhdon të mbahet nëpër fshatrat e këtij qyteti, dhe kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci ka mbajtur të martën mbrëma një tubim pikërisht në fshatin e kryetarit të Këshillit Kombëtar të NISMA-s, Jakup Krasniqi, në Negrovc.

    Pikërisht në fshatin e Jakup Krasniqit të NISMA-s, kandidati i së cilës është balotazh me Lladrovcin, kandidati i PDK-së, ka lëshuar akuza ndaj anëtarëve të kësaj partie, duke i reaguar deklarimeve të NISMA-s se me humbjen e PDK-së, “çlirohet Drenasi”.

    “Drenasin e kanë qeverisë, Jakup Krasniqi me vllazen e nipa. Drenasin e ka qeverisë Isa Xhemajlaj me motra e djem, kështu që na jemi në rregull në këtë drejtim”, ka thënë Lladrovci në tubimin në shkollën “Jusuf Gërvalla” në Negroc.

    Lladrovci ka treguar edhe arsye se pse nuk ka vendosur që të bëjë marrëveshje me asnjë prej kandidatëve që kanë qenë në zgjedhjet e 4 dhjetorit për kryetar të Drenasit.

    “Ne do ta qeversimin me qytetarin, prandaj edhe unë nuk kam bërë marrëveshje, bash me kërkon hiq, kam bërë marrëveshje vetëm me ju qytetar”, ka thënë Lladrovci në një video të siguruar nga Insajderi.

    Një nga premtimet e Lladrovcit i bërë gjatë këtij tubimi ka qenë edhe investimet prej 17 milionë eurosh për vitin 2017.

    Lladrovci ka premtuar edhe rrugë më katër korsi.

    “Po ua them shkurtimisht, 3 milionë e gjysmë janë investime kapitale të komunës që ato ndahen për kokë banori, 5 milionë janë për rrugën katër korsi, nga Polluzha në drejtim të Kronit të Mbretit, 2 milionë euro janë tashmë që i kemi fut në buxhet për rrugë, kanalizime dhe ujësjellës”, ka thënë Lladrovci.

    Balotazhi i zgjedhjeve për kryetar të Drenasit mbahet me 18 dhjetor./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark