×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Lladrovci i kundërvihet Haxhiut: Ma kadal ministre, mos e kap historinë për bishti

    Insajderi
    27 June 2023 - 23:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, iu është kundërpërgjigjur ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi kjo e fundit ka publikuar emrat e deputetëve që e kanë votuar Marrëveshjen e parë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Nga kjo marrëveshje, ministrja Haxhiu pretendoi se ka dalë “Zajednica”.

    Lladrovci, me anë të një postimi në ‘Instagram’, i cili ishte pjesë e deputetëve që votuan këtë marrëveshje më 2013-ën, tha se është krenar me votën e tij, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Unë isha njëri nga deputetët që votova atë ligj dhe fare nuk pendohem as kërkoj falje, siç sot kërkon Ministrja. Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i ka hapur rrugë integrimit të serbëve të katër komunave të veriut në institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

    “Sa merreni me vitin 2013, pse nuk i konsultoni aleatët se çka është më mirë për Kosovën, aleatët dinë më shumë se ju. Qeverisja është përgjegjësi jo propagandë. Ma kadal Ministre, mos e kapni për bishti historinë e re të Kosovës!”, ka thënë më tej ai.

    Drejtuesja e dikasterit të Drejtësisë gjatë ditës ka kërkuar kërkimfaljen nga të gjithë deputetët që votuan këtë marrëveshje. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark