Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në këtë qytet ka shpalosur programin e tij për kulturë, rini dhe sport.
Ai këtu tregoi se do ta rregullojë këtë stadium dhe që do të ndërtojë poligone sportive aty ku ka nevojë, kurse këtë gjithsesi do ta bëjë në fshatin Tërstenik.
Lladrovci ka përmendur se krahas tre bibliotekave që ka komuna, ai do t’i ndërtojë edhe tri të tjera. Ka premtuar se atje do të bëhet edhe java e filmit amerikan, gjerman dhe francez.
Më tej, nën udhëheqjen e tij, Lladrovci ka thënë se sportistët në këtë komunë do të trajtohen si ambasadorët më të mirë, njofton Klan Kosova.
Lladrovci ka thënë se do të angazhohet edhe në botimin e librave që lidhen me historinë e Drenasit.
Për projektet për kulturë, rini e sport në vitin 2017, Lladrovci ka treguar se investimet kapitale arrijnë vlerën prej 270 mijë euro.