Vetëm pak orë më parë, një zjarr i rëndë ka pushtuar sërish Londrën. Kësaj here, ka rënë në zonën e quajtur “Camden Market”, e cila është një nga atraksionet turistike më të preferuara të vendit.
Më shumë se 70 zjarrfikës, kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të normalizuar gjendjen.
Rreth orës 3:00 (ora lokale) u njoftua se gjendja ishte nën kontroll por gjithsesi turmat e njerëzve vazhdonin të ishin ende në panik nga frika e një tjetër rindezieje.
Nga njoftimet e para është bërë me dije se 3 kate dhe tarraca e një ndërtese janë përfshirë pothuajse krejtësisht në flakë. Për sa i përket të lënduarve, ende nuk ka asnjë informacion.
Zona në të cilën ka rënë zjarri është shumë e populluar nga turistët. Në të ndodhen më shumë se 1000 dyqane, restorante dhe qendra të ndryshme argëtimi.
Që prej shkurtit të 2008, ky është zjarri i 2-të masiv që bie pikërisht në të njëjtin vend. E ndërsa në rang vendi, kujtojmë se për Londrën është hera e 2-të brenda pak kohësh, që ndodh një tragjedi e tillë.