Insajderi
Op-Ed

Lufta kundër terrorizmit në Evropë – masat dhe legjislacioni që duhet të miratohen

Insajderi
20 February 2026 - 14:34
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Lufta kundër terrorizmit në Evropë – masat dhe legjislacioni që duhet të miratohen
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Autor: Qendra Europiane për Studime mbi Luftën Kundër Terrorizmit dhe Inteligjencën – Gjermani dhe Holandë.

Përktheu nga Arabishtja: Zyhdi Hajzeri – Jurist

Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm se faza e ardhshme do të shënojë dyfishim të kërcënimeve të sigurisë, në krye të të cilave janë aktivitetet e grupeve “xhihadiste” dhe rrymave të ekstremit të djathtë, në dritën e përshkallëzimit të luftërave dhe konflikteve ndërkombëtare, si lufta e Ukrainës, mundësia e rritjes së tensioneve sërish në Lindjen e Mesme, si dhe shtimi i grumbullimit ushtarak amerikan në rajonin e Detit të Karaibeve. Këto të dhëna të sigurisë dhe politike përbëjnë një klimë të përshtatshme për rritjen e sulmeve terroriste dhe aktivitetit të grupeve ekstremiste në realitet dhe në hapësirën kibernetike, gjë që e ka shtyrë Bashkimin Evropian të vendosë një strategji që bashkon aspektet e inteligjencës, sigurisë, ligjit dhe shoqërisë, në nivelet kombëtare dhe evropiane.

Masa inteligjente dhe operative

Komisioni Evropian gjatë periudhës (2024–2029) përqendrohet në forcimin e rolit të Agjencisë Europol në luftën kundër terrorizmit dhe në vendosjen e planeve për sigurinë kibernetike dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Ky hap përbën vazhdimësi të agjendës së Bashkimit Evropian për luftën kundër terrorizmit të vitit 2020, e cila u zhvillua derisa u arritën objektivat strategjikë të punës së Europol për periudhën (2026–2028), në mënyrë që ajo të jetë qendra e informacionit penal në bllokun evropian, përfshirë mbledhjen e të dhënave dhe ofrimin e mbështetjes operative të shpejtë, si platformë ndihmëse për policinë evropiane përmes përdorimit operacional të bazave të të dhënave të Bashkimit, si SIS, VIS, EES, ETIAS dhe Eurodac.

Europol synon të zvogëlojë boshllëqet në inteligjencën penale dhe të përqendrohet në të dhënat që rrjedhin nga hetimet e drejtpërdrejta. Do t’i japë përparësi mbledhjes së të dhënave që e realizojnë këtë qëllim, si komunikimet që janë dekriptuar ligjërisht dhe serverët e internetit të përdorur për qëllime ekstremiste dhe kriminale, gjë që do t’u mundësojë shteteve anëtare transferimin e shpejtë të të dhënave nga depozitat kombëtare të të dhënave dhe përmirësimin e përthithjes së informacionit në mënyrë të rrjedhshme nga palët përkatëse, si ofruesit e shërbimeve online, sektori bankar dhe platformat e tregtimit të kriptomonedhave.

Blloku evropian synon të krijojë një njësi të posaçme për koordinimin e punës së Europol në lidhje me ndërveprueshmërinë operative dhe organet e inteligjencës, për të mbështetur hetimet financiare dhe gjurmimin e kriptomonedhave dhe krimet kibernetike, si dhe për të krijuar një program trajnimi dhe orientimi analitik për rritjen e numrit të analistëve strategjikë të kualifikuar në shtetet anëtare dhe në Europol, dhe për të përmirësuar koordinimin e brendshëm për monitorimin e inteligjencës nga burimet e hapura përmes qendrave të Europol. Do të zhvillohen gjithashtu platforma e ekspertëve të Europol “EPE” dhe platforma e ekspertëve të rrjetit operativ “ONEP”, në përputhje me zhvillimet teknike dhe nevojat e përdoruesve.

Roli i Europol bëhet më i spikatur se kurrë për shkak të rritjes së ekstremizmit. Tetëdhjetë e pesë për qind (85%) e hetimeve penale varen nga aftësia e organeve të zbatimit të ligjit për të pasur qasje në informacionin digjital. Me përhapjen e digjitalizimit dhe mbështetjen e grupeve ekstremiste në inteligjencën artificiale, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë masa për t’u përballur me terrorizmin kibernetik dhe për të lehtësuar qasjen në prova digjitale për të gjitha krimet, përmes miratimit të rregullave të provave elektronike duke filluar nga gushti 2026. Europol do të synojë të investojë në platforma që mund të kontribuojnë në koordinimin operacional, ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta dhe shkëmbimin e mjeteve dhe ekspertëve, përmes koordinimit të reagimit ndaj kërcënimeve të sigurisë në kuadër të programit “EMPACT” gjatë ciklit të tij të ardhshëm (2026–2029), për të arritur mjetet e duhura për luftimin e terrorizmit.

Europol intensifikon bashkëpunimin me partnerët në zonën Shengen, me Interpolin dhe me agjencitë e drejtësisë së brendshme, si Frontex, për të përmirësuar bashkëpunimin operacional brenda kornizave ligjore dhe për të nxitur kulturën e inovacionit në luftën kundër kërcënimeve të sigurisë. Komisioni do të propozojë mbështetjen e Agjencisë Frontex përmes rritjes së numrit të rojeve kufitare trefish, duke arritur në (30) mijë individë, si dhe pajisjen e agjencisë me teknologji të avancuara mbikëqyrjeje dhe qasje në shërbime qeveritare të fuqishme për monitorimin e kufijve të Bashkimit, të cilat do të vendosen deri në vitin 2027, gjë që forcon aftësinë për zbulimin e krimeve ndërkufitare, identifikimin e individëve dhe luftimin e mekanizmave të falsifikimit të identitetit. Komisioni do të vlerësojë mekanizmin e identitetit digjital deri në fund të vitit 2026, për t’u përballur me rreziqet e sigurisë dhe terrorizmin ndërkufitar.

Legjislacion dhe reforma ligjore

Bashkimi Evropian konsiderohet një nga donatorët kryesorë në nivel global në fushën e ndihmës teknike për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, dhe rrjeti i hetuesve financiarë kundër terrorizmit përbën boshtin kryesor për ndërtimin e kapaciteteve të hetuesve të financimit të terrorizmit. Ligjvënësit e bllokut evropian miratuan më 30 maj 2024 një paketë të re rregullash për luftën kundër pastrimit të parave, e cila zbatohet për një periudhë trevjeçare, duke kontribuar në zbulimin dhe parandalimin e financimit të terrorizmit përmes autoritetit “AMLA”. Këto rregulla do t’i mundësojnë Europol-it në vitin 2026 të mbështesë njësitë e inteligjencës financiare gjatë kryerjes së analizave të përbashkëta dhe mund të ftohet të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit të përgjithshëm për ligjin kundër pastrimit të parave si vëzhgues.

Modeli i raportimit rregullator të unifikuar në nivel të bllokut evropian do të zbatohet në korrik 2026 për të forcuar masat e raportimit të aktiviteteve të dyshimta. Disa nga dispozitat më të rëndësishme në paketën e luftës kundër financimit të terrorizmit pritet të hyjnë në fuqi në korrik 2027, për t’u përballur me krimet financiare të përhapura në bllokun evropian dhe për të zgjeruar listën e subjekteve të detyruara për të garantuar respektimin e rregullave kundër pastrimit të parave, përfshirë shërbimet e komunikimit përmes telefonisë mobile, platformat e financimit kolektiv, ndërmjetësit e kredive konsumatore dhe hipotekare, si dhe tregtarët e mallrave me vlerë të lartë.

Komisioni do të paraqesë në vitin 2026 një paketë legjislative për zhvillimin e mjeteve për përballjen me kërcënimet kibernetike dhe terrorizmin ndërkufitar. Masat e Bashkimit Evropian në vitin 2026 vazhdojnë në lidhje me rregullat e monitorimit të përmbajtjes terroriste në internet përmes rregullores “TCO”, për heqjen e përmbajtjes ekstremiste elektronike brenda një ore në disa raste. Pjesë të legjislacioneve, si Ligji për Inteligjencën Artificiale dhe legjislacioni për identitetin digjital “eID”, do të hyjnë në fazë më të gjerë zbatimi në vitin 2026, duke ndikuar në mjetet e analizës dhe besueshmërisë në çështjet e terrorizmit.

Masa sociale dhe politika të ri-integrimit

Komisioni Evropian ka parashikuar në programin e tij për vitin 2026 rritjen e orientimit të financimit të Fondit Social Evropian “ESF+”, i cili përbën një instrument financiar për periudhën (2021–2027) me buxhet prej (142.7) miliardë euro, për programet e aftësimit profesional dhe rehabilitimit të kategorive më të dobëta dhe më të ekspozuara ndaj ekstremizmit, përmes ofrimit të mbështetjes për kalimin në tregun e punës përmes arsimit dhe trajnimit, si dhe sigurimit të vendeve të përshtatshme të punës për këto grupe, po ashtu edhe për ekstremistët, të burgosurit dhe të kthyerit nga ISIS-i. Viti 2026 do të shënojë nisma për rritjen e cilësisë së vendeve të punës përmes vendosjes së pagave të drejta, trajnimeve dhe sigurimit të standardeve të sigurisë, si dhe përgatitjes së planeve për luftimin e varfërisë përmes mbështetjes financiare për grupet e synuara dhe ofrimit të strehimit të përballueshëm dhe shërbimeve gjithëpërfshirëse, gjë që lehtëson procesin e ri-integrimit të të papunëve dhe personave të rrezikuar nga ekstremizmi në shoqëri, përmes programit të punësimit dhe inovacionit social “EaSI” me buxhet prej (762) milionë euro për periudhën (2021–2027).

Komisioni ka shpallur zbatimin e hapave për lidhjen e procedurave të azilit me programet e integrimit, trajnimit dhe qasjes në tregun e punës në vitin 2026. Programet e shëndetit mendor dhe mbështetjes sociale do të marrin parasysh nevojat e personave me aftësi të kufizuara, migrantëve të paintegruar dhe të burgosurve ekstremistë. Blloku evropian ka lançuar projektin e skemave të punësimit sezonal dhe të drejtë “SaFE” për periudhën (gusht 2025 – gusht 2026), për të trajtuar mungesën e theksuar të fuqisë punëtore në sektorët e bujqësisë dhe turizmit, si dhe për të përmirësuar programet e lëvizshmërisë së punëtorëve sezonalë nga jashtë bllokut. Bashkimi Evropian do të vazhdojë zbatimin e strategjisë për luftimin e antisemitizmit (2021–2030), përmes orientimit të masave për mbrojtjen e komuniteteve hebraike në shtetet anëtare dhe ofrimit të mjeteve për luftimin e islamofobisë, si pjesë e mbrojtjes dhe integrimit në shoqëri.

Kornizat evropiane dhe koordinimi i sigurisë

Komisioni Evropian bashkëpunon me shtetet anëtare dhe agjencitë e Bashkimit Evropian për të zhvilluar qasjen e Unionit ndaj sigurisë së brendshme në nivelet strategjike dhe operative, përmes identifikimit të ndikimeve të mundshme të sigurisë të iniciativave të reja dhe mbajtjes së takimeve periodike të grupit të projektit të Komisionit për sigurinë e brendshme evropiane. Kjo do t’i sigurojë Unionit mënyra të reja për shkëmbimin e informacionit dhe analizimin e sfidave të sigurisë së brendshme, me qëllim garantimin e sigurisë operative. Komisioni do të rishikojë gjithashtu kornizën e qeverisjes së sigurisë institucionale dhe do të themelojë një qendër të integruar për operacionet e sigurisë “ISOC”, për mbrojtjen e personelit, aseteve materiale dhe operacioneve në të gjitha lokacionet e Komisionit, si dhe do të forcojë kapacitetet e tij operative dhe analitike për identifikimin dhe përballjen me kërcënimet hibride.

Bashkimi Evropian kujdeset të mbështesë kapacitetet e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, përmes forcimit të mbrojtjes së qytetarëve dhe infrastrukturës, si dhe zbatimit të planeve të veprimit të financuara nga Unioni, si vazhdimësi e një plani të përbashkët veprimi të nënshkruar më 31 tetor 2025. Komisioni dhe Europol bashkëpunojnë me vende të treta për të siguruar të dhëna biometrike mbi individët që paraqesin kërcënim terrorist, përfshirë luftëtarët e huaj, dhe këto të dhëna mund të përfshihen në sistemet e informacionit Shengen për të gjurmuar lëvizjet e udhëtimit të dyshimta. Po ashtu, po aktivizohet marrëveshja për transferimin dhe përpunimin e të dhënave të udhëtimit “PNR” me më shumë vende jashtë Unionit, duke vendosur korniza ligjore për qasjen në prova elektronike me vendet e treta.

Institucionet e Bashkimit Evropian po përgatiten për ndërtimin e partneriteteve teknike dhe forcimin e kapaciteteve të vendeve në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe rajonin e Sahelit afrikan, për të rritur aftësitë e policisë dhe drejtësisë penale në përballjen me “ujqërit e vetmuar” dhe grupet e armatosura. Gjithashtu lehtësohet koordinimi gjyqësor dhe ligjor ndërkufitar përmes agjencisë Eurojust, duke përfshirë kushte detyruese në marrëveshjet me vendet e treta, në mënyrë që të mos zbatohen praktika në kundërshtim me standardet evropiane. Blloku evropian ka theksuar më 6 tetor 2025, gjatë sesionit të 80-të të Kombeve të Bashkuara, angazhimin e tij në vitin 2026 për luftimin e terrorizmit dhe trajtimin e shkaqeve rrënjësore të ekstremizmit, si dhe komunikimin me përfaqësuesit e shoqërisë civile për rehabilitimin e viktimave të terrorizmit. Po ashtu, Unioni ka theksuar rrezikshmërinë e kërcënimit të ekstremizmit elektronik dhe shfrytëzimit të internetit për rekrutim dhe nxitje të dhunës.

Vlerësim dhe lexim i ardhshëm

– Ka gjasa që rreziqet e kërcënimeve terroriste të përshkallëzohen në të ardhmen dhe të bëhen edhe më komplekse, për shkak të vazhdimit të konflikteve në rajone të ndryshme të botës, rritjes së niveleve të varfërisë dhe papunësisë, si dhe zgjerimit të hendekut mes shoqërive në ofrimin e mundësive të arsimit dhe punës për qytetarët e tyre. Kjo u jep grupeve ekstremiste mundësinë të shfrytëzojnë këto rrethana dhe t’i vënë ato në shërbim të aktiviteteve të tyre. Për më tepër, këto grupe nuk mjaftohen më me mjetet tradicionale të përhapjes së ekstremizmit, por sulmet kibernetike, kriptomonedhat dhe inteligjenca artificiale gjenerative janë bërë mjete themelore për rekrutimin e anëtarëve të rinj dhe kryerjen e operacioneve ndërkufitare, çka nënkupton se vitet e ardhshme do të shënojnë një transformim të madh në treguesin global të ekstremizmit dhe mjetet e përhapjes së tij, veçanërisht duke pasur parasysh se organizatat “xhihadiste” si Al-Kaeda dhe ISIS kanë kaluar nga centralizimi në decentralizim dhe po shtrihen njëkohësisht në rajone të ndryshme gjeografike me kushte politike, të sigurisë dhe ekonomike të ndryshme.

– Evropa përballet me një provë thelbësore lidhur me aftësinë e saj për t’u përballur me ekstremizmin e dhunshëm, në përputhje me të dhënat aktuale mbi ndryshimin e strategjisë së grupeve ekstremiste në sigurimin e financimit dhe rekrutimit, në një kohë kur shtetet evropiane janë të angazhuara me çështje të ndërlikuara si migracioni, azili, shpenzimet ushtarake dhe industritë e përbashkëta të mbrojtjes, krahas luftës në Ukrainë dhe negociatave për përfundimin e saj. Kështu, Evropa gjendet përballë dy opsioneve: opsioni i parë është përballja me më shumë sulme terroriste dhe kërcënime kibernetike, gjë që rrit polarizimin në shoqëritë evropiane; ndërsa opsioni i dytë është zhvillimi i mjeteve të saj të sigurisë dhe legjislacionit dhe dhënia e kompetencave shtesë agjencive të zbatimit të ligjit për të forcuar koordinimin mes shteteve anëtare dhe për të përgjithësuar masat në nivelet kombëtare dhe evropiane.

– Përhapja e rrjeteve të ekstremizmit të organizuar dhe të paorganizuar në internet e detyron Evropën të ndjekë politika të rrepta për mbrojtjen e qytetarëve dhe infrastrukturës, të cilat përbëjnë objektiva të sulmeve kibernetike ekstremiste për depërtimin në institucionet qeveritare dhe të sigurisë nga organizatat “xhihadiste”. Njëkohësisht, Bashkimi Evropian vendos rregulla për përdorimin e rrjeteve sociale dhe kufizime mbi përmbajtjen ekstremiste, për ta bërë internetin një mjedis të sigurt për përdoruesit, veçanërisht për adoleshentët dhe të rinjtë që varen shumë prej tij dhe për këtë arsye janë më të ekspozuar ndaj ekstremizmit.

– Pritet që Evropa gjatë dekadës së ardhshme të fokusohet në miratimin e legjislacioneve që mbrojnë sigurinë e brendshme dhe të jashtme të Bashkimit Evropian, si dhe në zbatimin e programeve për rehabilitimin dhe integrimin e grupeve më të dobëta në shoqëritë evropiane, në mënyrë që të mos shfrytëzohen nga grupet ekstremiste. Po ashtu, pritet që të rritet përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve akademike në zbatimin e politikave për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit elektronik.

– Institucionet e Bashkimit Evropian janë të detyruara të ruajnë ekuilibrin gjatë hartimit të strategjive për luftën kundër terrorizmit, duke garantuar mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe trajtimin e shkaqeve rrënjësore të përhapjes së ekstremizmit, brenda një kornize që nuk bie ndesh me legjislacionin që garanton të drejtat dhe liritë. Kjo kërkon aktivizimin e punës së përbashkët ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit, organeve të inteligjencës, organizatave për të drejtat e njeriut dhe institucioneve të shoqërisë civile, për të ndjekur shkaqet e shfaqjes së fenomenit të terrorizmit, faktorët e përshkallëzimit të tij, treguesit e metodave të rekrutimit dhe lëvizjet e grupeve ekstremiste, me qëllim hartimin e zgjidhjeve të sigurta, shoqërore dhe politike të mbështetura nga garanci të të drejtave për përballjen me këtë dukuri dhe pasojat e saj.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark