×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Lufta për merita- Dy projektet që po e “kacafytin” Përparim Ramën me pushtetin

    Insajderi
    27 September 2023 - 15:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Projekti i ngrohjes diellore “Solar4Kosovo” dhe organizimi i Lojërave Mesdhetare për vitin 2028 e kanë përfshirë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, në luftë me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje. Çështja e lokacionit për jetësimin e projektit së fundmi u bë “mollë sherri” në mes të Ramës dhe ministrit të Financave, Hekuran Muratit.

    Gazeta Insajderi

    Përgjatë ditës së djeshme, kryetari i kryeqytetit njoftoi se kishte nënshkruar marrëveshje për caktimin e lokacionit për projektin e ngrohjes diellore me Komunën e Obiliqit.

    “Nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi, për realizimin e projektit të Ngrohjes Diellore “Solar4Kosovo”. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është sigurimi i lokacionit për projektin e Ngrohjes Diellore “Solar4Kosovo”, në fshatin Shkabaj (Hadë e Re), i cili sipas ekspertëve të fushës është vend ideal për realizimin e këtij projekti”, u tha në njoftimin e Ramës.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Rama po tenton të marrë merita nga të tjerët, meqë sipas tij sigurimi i lokacionit për fillimin e këtij projekti është përcaktuar më 2022-ën, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Përparim, lokacioni është siguruar qysh në mars të vitit 2022. Shih postimin e Ministrit Aliu asokohe. Si Ministri e Financave e kemi siguruar madje edhe financimin për këtë projekt.  Marrëveshjet për financim i kam nënshkruar qysh në dhjetor të vitit 2022, ku pjesa më e madhe, mbi 54 milionë euro, janë grante që kemi siguruar nga Qeveria e Gjermanisë dhe nga BE”, u tha në deklarimin e Muratit, duke iu referuar postimit të vjetshëm të ministrit të Infrastrukturës për përcaktimin e lokacionit.

    Luftës për merita iu është bashkëngjitur edhe ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se projekti është rrezikuar për shkak të “tekave individuale”.

    “Mirë është me fol me Liburn Aliu edhe kush e ka nis këtë projekt e kush ka negociu fillimisht e kush i ka bo bashkë KfW e EBRD e kush i ka bo bashkë kryetarin e Obiliqit e Ministrin Aliu. Tjetëe është me nënshkru financimin e tjetër me i majt 20 takime me KfW me i lut për financim e mos me hup projektin për shkak të tekeve individuale”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti.

    Lidhur me këtë ka reaguar sërish Rama të mërkurën, i cili ka thënë se puna e tij po i pengon “ministrave të caktuar” të Qeverisë.

    “Një prej këtyre sulmeve ndodhi edhe dje, kur Kryeqyteti nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Obiliqit, për realizimin e projektit të Ngrohjes Diellore “Solar4Kosovo”. Me anë të kësaj marrëveshjeje ne si Kryeqytet kemi marrë përgjegjësinë që të kryejmë obligimet financiare që do të dalin nga procesi i shpronësimit të pronave të cekura në marrëveshje, sepse pa këtë shpronësim nga ana e Kryeqytetit nuk bëhet projekti”, ka thënë ndër të tjera ai.

    Kryetari i Prishtinës ka publikuar marrëveshjet për “Solar4Kosovo” dhe Lojërat Mesdhetare. Rama është akuzuar për marrje meritash edhe për çështjen e organizimit të eventit sportiv, pasi kishte mbajtur konferencën.

    Sipas marrëveshjes mes Komunës së Obiliqit dhe asaj të Prishtinës, kjo e fundit merr përgjegjësinë e shpronësimit të 16 pronave, të cilat figurojnë në emër të AKP-së në Llazarevë dhe Milloshevë.

    Marrëveshja e obligon komunën e Prishtinës që të investojë në krijimin e infrastrukturës së nevojshme për shpronësimin e këtyre pronave.

    Për çështjen e Lojërave Mesdhetare, një ditë pasi lajmëroi për arritje të marrëveshjes, mbajti një konferencë për media kryetari i Prishtinës. Megjithatë, kur ky i fundit kur u pyet për shumën që Komuna e Prishtinës do t’i ndajë për eventin sportiv, dha një përgjigje të çuditshme.

    “Çkado që t’ka nevojë. Po them jemi të fokusuar që këto lojëra të jenë lojëra fantastike, lojëra ashtu me pozitivitet…”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

    Për këtë, pati reaguar Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, i cili ka thënë se Rama s’ia ka as idenë më të vogël për Lojërat Mesdhetare.

    “Në vend se Përparim Rama të mbante konferencë për media mbi arrestimet e dy njerëzve më të afërm të tij, ai u përpoq të sjell ekskluzivitetin e Lojërave Mesdhetare 2030, punë për të cilën nuk e ka asnjë kontribut të vetëm. Më poshtë shihni bllokimet e tij në pyetjet konkrete dhe specifike për të cilat nuk e ka as idenë më të vogël”, u tha në reagimin e VV-së. /Insajderi.org/

    Karamboli i Lojërave Mesdhetare në Kosovë: Pushteti po thotë se po kushtojnë 250 milionë, njohësi 256 e Përparim Rama “s’ia ka as idenë më të vogël”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark