Lufta për shkollat “guleniste” shkakton tensione të reja në Bosnjë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Lufta për shkollat “guleniste” shkakton tensione të reja në Bosnjë

    Insajderi
    27 July 2016 - 22:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një sherr mes shkollave private në Bosnjë të lidhura me Fethullah Gulen, i akuzuar si udhëheqës i grushtit të dështuar të shtetit në Turqi dhe autoriteteve turke në Ankara mund të përkeqësojë ndasitë brenda Bosnjës, bëri të ditur një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare për Reporter.al.

    “Të importosh konflikte nga vende të tjera bë Bosnjë dhe të detyrosh qytetarët tanë të shprehin mbështetjen e tyre për një nga palët, kjo do të krijojë ndasi të reja në shoqërinë tonë,” tha Esref Kenan Rasidagic, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Sarajevës për BIRN.

    Presidenti i Turqisë Recep Tayyp Erdogan ka kritikuar shkollat në rajon, për të cilat besohet se janë të lidhura me lëvizjen “Hizmet”, e cila ka për udhëheqës shpirtëror Gulen.

    Por denoncimet e qeverisë së Turqisë për këto shkolla janë rritur në mënyrë të ndjeshme pas grushtit të dështuar të ushtrisë më 15 korrik. Presidenti i Turqisë Erdogan pretendon se Gulen dhe ndjekësit e tij janë përgjegjës për grushtin e shtetit.

    Shkollat e lidhura me lëvizjen Hizmet kanë vepruar në Bosnjë që nga fundi i luftës së viteve 1990, sipas faqes së internetit të kësaj lëvizjeje.

    Pas përpjekjes për grusht shteti, media në Bosnjë ka spekuluar se këto institucione janë duke vepruar nën emrin e një organizate të quajtur “Bosna Sema”, e cila përfshin 15 shkolla në shumë qytete të vendit, përfshirë Sarajevën, Senicën, Bihaçin, Tuzlën dhe Mostarin. Bosna Sema drejton gjithashtu Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës.

    Javën e kaluar, ambasadori turk në Bosnjë Cihad Erginay i bëri thirrje autoriteteve vendëse të ndërmerrnin masa kundër këtyre shkollave, pa i përmendur ato me emër.

    “Ne presim që qeveritë nga e gjithë bota të luftojnë kundër kësaj organizate terroriste për shkak se ne kemi parë se… ata infiltrojnë institucionet shtetërore; [për të kundërshtuar këtë fenomen] është detyrë si e institucioneve ashtu edhe prindërve të cilët dërgojnë fëmijët e tyre në këto shkolla,” pretendoi Erginay.

    Ai theksoi se disa vende sakaq kanë ndërmarrë masa kundër këtyre institucioneve arsimore dhe nxitën qeverinë e Bosnjës të bëjë të njëjtën gjë. Azerbajxhani dhe Uzbekistani janë mes këtyre vendeve që ndërhynë kundër këtyre shkollave, sipas agjencisë kroate të lajmeve Hina.

    “Kjo organizatë nuk kërcënon vetëm Turqin,” deklaroi Erginay për televizionin Face TV të Sarajevës.

    Sherret mbi shkollat e Gulen janë përhapur edhe në Kroaci. Ambasadori turk në Kroaci Ahmet Tuta i tha televizionit Nova të hënën se pjesë të organizatës “terroriste” të Gulen janë të shtrira në Kroaci.

    “Është një shkollë gjuhësh të huaja që punon [në Kroaci], e cila po përpiqet të organizojë gjithashtu aktivitete të tjera, por autoritetet kriate janë shumë të kujdesshme për të parë se çfarë po bëjnë. Shpresoj që ky bashkëpunim mes Kroacisë dhe Turqisë do të vazhdojë,” tha Tuta duke shtuar se “raportet e shërbimeve sekrete i janë dërguar autoriteteve Kroate.”

    Ndërsa autoritetet e Bosnjës nuk reaguan ndaj fjalëve të Erginay, disa anëtarë të Partisë Boshnjake për Veprim Demokratik, e cila ka krijuar lidhje të fuqishme me Erdogan gjatë viteve të fundit, paralajmëruan se shkollat që ndjekin parimet e Gulen përbëjnë një problem për vendin.

    “Ne nuk kemi nevojë për këto shkolla, ne kemi sistemin tonë,” deklaroi Salmir Kaplan, një anëtar i parlamentit të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, një nga qy entitetet e Bosnjës, për agjencinë turke të lajmeve Anadolu. Kaplan argumentoi se zgjidhja më e mirë është mbyllja e këtyre shkollave.

    Bosna Sema, në një deklaratë për shtyp, pranoi se ky fondacion frymëzohej nga Gulen, por mohoi të kishte lidhje me të.

    “Shkollat e Bosna Sema janë shkolla boshnjake që veprojnë në respekt të rregullave vendëse,” deklaroi Orhan Hadzagic, zëdhënësi i Bosna Sema, duke vërejtur se “përveç idesë fillestare të aktivitetit, kjo shoqatë nuk ka lidhje me Gulen.”

    Hadzagic e përshkroi presionin nga institucionet turke si, “një aksion në ndërhyrje të punëve të brendshme të vendit tonë,” dhe bëri thirrje që qeveria e Bosnjës të reagojë.

    Esref Kenan Rasidagic thotë gjithashtu se shkollat e lidhura me Gulen rregullohen nga ligji i Bosnjës dhe se mbyllja e tyre do të jetë e vështirë.

    “Para së gjithash, ato nuk janë shkolla turke, ato veprojnë sipas ligjit të Bosnjës; e dyta, nuk do të jetë e lehtë për autoritetet që thjeshtë t’i mbyllin ato për shkak se sistemi arsimor në vendin tonë është shumë i fragmentarizuar,” tha Rasidagic.

    Ai vërejti se, në çdo rast, autoritetet e Bosnjës duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur nga sherret politike të vendeve të tjera.

    “Nëse ne vendosim të mbyllim shkollat që janë pjesë e lëvizjes Gulen në Bosnjë, atëherë çfarë do të ndodhë ditën kur qeveria e Turqisë do të ndryshojë? A duhet të mbyllim ne institucionet arsimore turke të tjera gjithashtu?”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark