Nga Lionel Laurent
Nacionalizmi i vaksinave po përshkallëzohet në një botë ku Covid-19 është kudo. Megjithatë, ilaçet jetë-shpëtuese që duhen për t`a luftuar atë janë të pakta në dispozicion. Tundimi për të grumbulluar sa më shumë doza vaksinash për vete po rritet.
Por kjo gjë rrezikon që t`a zgjasë më shumë pandeminë, duke e zgjeruar akoma më shumë hendekun midis vendeve që janë në krye të procesit të vaksinimit dhe atyre që as nuk e kanë nisur ende atë. Pa u fokusuar tek shtimi i furnizimeve dhe ndarjen e dozave përtej kufijve kombëtarë, koronavirusi i ri do të jetë me më gjatë sesa mund t`a mendojmë.
Nëse tensionet midis vendeve po nxehen, kjo po ndodh për shkak se sasitë e vaksinave në dispozicion po mbarojnë. Bashkimi Evropian, i zemëruar nga një rënie drastike e dërgesave të pritshme të vaksinës nga kompania AstraZeneca Plc, ka lajmëruar pengimin e largimit të vaksinave nga territori i saj, në rast se prodhuesit e vaksinave nuk do të respektojnë zotimet që ka dhënë.
“Kjo është një garë kundër kohës. Ne nuk mund të humbasim kohë për shkak të vaksinave që nuk janë dorëzuar në kohë”- deklaroi komisioneri evropian mbi tregtinë, Valdis Dombrovskis. Sipas tij do të ketë përjashtime për disa vende fqinje dhe me të ardhura të ulëta.
Në teori, nuk ka asgjë të gabuar në vetvete tek ideja se dozat e blera me paratë e tatimpaguesve evropianë, duhet të mbrohen me mish e me shpirt për të mirën e po këtyre të fundit. Për shembull, qeveria SHBA-së, ka të ashtuquajturën të drejtën e“ecjes përpara” për të marrë vetë pronësinë e patentave të ilaçeve,nëse ajo sheh që vetë prodhuesit nuk po prodhojnë sa duhet.
Duke pasur parasysh numrin total të vdekjeve nga Covid-19 brenda Bashkimit Evropian që tani është më shumë se 462.800, dhe me pjesë të mëdha të kontinentit që ndodhen nën bllokim, ndërhyrja mund të jetë një çështje morale dhe kontraktuale.
Gjithsesi,në praktikë këto lloj vendimesh kanë pasoja globale për jetë a vdekje në një pandemi. Sekuestrimi i dozave në një fabrikë, që janë të destinuar të shkojnë diku tjetër, do të thotë privimi i të tjerëve nga ilaçi që të shpëton jetën. Kjo qasje i bën më të mundshme sjelljet e tjera hakmarrëse, siç u pa vitin e kaluar në luftën për pajisjen me maska dhe ventilorë.
Kanadaja është detyruar të sqarojë publikisht popullsinë e saj se ligjet e BE-së, nuk do të prekin furnizimet e tyre me vaksina. Nga frika e ndërprerjes së dërgesave të veta, Britania e Madhe e ka paralajmëruar Bashkimin Evropian se pret që të respektojë kontratat e saj me kompaninë, ose sipas asaj që raportoi Daily Mail “BE nuk mund t’i marrë vaksinat tona”. Po sikur India, prodhuese e gjysmës së sasisë së vaksinave në botë, të fillonte të vendoste kufizimet e veta?Fokusimi tek kushtet e kontratës, ka të ngjarë të ketë një efekt të kundërt.
Kushtet e bëra publike të marrëveshjes së AstraZeneca me BE-në, tregojnë se kompania i premtoi vërtet të bënte “përpjekjet e saj më të mira” për të arritur objektivat e saj mbi sasitë që do të prodhonte, por kjo është një çështje që duhet të zgjidhet nga juristët.
Disa vende i porositën paraprakisht vaksinat e tyre përpara BE-së, paguan një çmim shtesë, dhe madje ndihmuan në financimin e zhvillimit të produktit. Për shembull Valneva, një kompani bioteknike me seli në Francë, ka rënë dakord t’a furnizojë Britaninë e Madhe me 60 milion doza të vaksinës së saj kandidate anti-Covid për shumën 470 milion euro. Gjithashtu ajo po kryen investime për të zgjeruar kapacitetin e saj të prodhimit në fabrikën që ka në Skoci.
Kreu i financave të kompanisë, David Lawrence, tha se negociatat me BE-në janë ende duke u zhvilluar. Kontrollet e rrepta të BE-së mbi shpërndarjen e vaksinave nuk do ta përshpejtonin procesin, ndërsa bashkëpunimi me Britaninë e Madhe po.
Ne sapo mbyllëm muajin e parë të një fushatë globale vaksinimi, që do të zgjasë deri në fund të vitit 2022 në Kinë dhe Indi, dhe deri në vitin 2023 për më shumë se 85 vende të varfra. Qeveritë kanë dukshëm përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre. Por ajo do të duhet të ekuilibrohet është mos lënia pa vaksinuar për një kohë të gjatë e pjesëve të tjera të planetit, diçka kjo shumë e rrezikshme sidomos duke pasur parasysh lloje të reja të Covid-19 që po shfaqen gjatë gjithë kohës.
Duke pasur parasysh angazhimin e mirëpritur të SHBA-së me COVAX, një bashkëpunim i 92 vendeve për të siguruar shpërndarje më të drejtë të vaksinave, është koha që bota e pasur të japë shembullin e saj duke bashkëpunuar për një ndarje më të mirë të sasive të vaksinës që janë në dispozicion. A është më mirë që të vaksinohen njerëzit më të rrezikuar në një vend fqinj përpara atyre që janë më pak të rrezikuar në vendin tonë? Kontratat nuk do të na e tregojnë këtë, bashkëpunimi po. / Bloomberg