Çmenduria dhe xhihadizmi ndonjëherë janë të ndërlidhura. Këtë nuk e tregon vetëm historia tragjike e ndodhur së fundmi në Nice, por edhe një analizë e hetueseve të Parisit mbi të ashtuquajturit luftëtarë të huaj francezë. 10% e atyre që janë nisur për në Siri ose Irak, janë skizofrenë.
Diagnoza shoqëron shpesh vrasësit masivë amerikanë, dhe në fakt studimet e hetueseve europianë, që mbështeten edhe nga shumë psikologë po orientohen në këtë drejtim.
Bëhet fjalë për individë të izoluar në planin psikologjik, humbës në kontekstin social me një jetë familjare shpesh të trazuar apo me probleme, e shënjuar nga fraktura të thella, si për shembull një divorc i dhimbshëm, një shkarkim i papritur nga puna apo refuzimi i një borxhi.
Valvula e shfryrjes në këtë rast mund të jetë islami radikal. Të përballur me probleme personale dhe ekonomike, këta individë sublimojnë telashet e tyre në kauzën funadmentaliste, gjejnë tek ISIS-i një organizatë që i pret krahëhapur. Por jo të gjithë shndërrohen në luftëtarë në frontin e luftës. Ata që nuk mund të largohen në Lindjen e Mesme mund të riciklohen lehtësisht, “janë ujqërit vetmitarë që inkurajohen të veprojnë në vendet ku jetojnë”,
Nuk janë në gjendje të arrijnë në Lindjen e Mesme por kanë aftësinë të hapin zjarr jashtë një diskoteke apo të hipin në një kamion për të bërë kasaphanën. Atentatorët, të tillë si Bouhleli në Nice dhe Omar Mateen që shkaktoi masakrën në Orlando, e konsiderojnë veten viktima të padrejtësive, ndihen të kërcënuar, në luftë me të tjerët dhe mendojnë se gjesti ekstrem mund t’i shpëtojë.
Janë rritur si islamikë, edhe pse shpesh dinë shumë pak për besimin e tyre. Joshen nga premtimet për lavdi të predikuesve radikalë, kërkojnë një dalje nga skena prej martiri, duke imituar kështu atentatorët vetëvrasës.
Në këtë mënyrë emri i tyre nuk do të lidhet me një akt individual çmendurie i destinuar të harrohet shpejt, por me një sulm të një organizate të famshme si Shteti Islamik apo Al Qaeda. Kjo sipas tyre është edhe mënyra për t’u pastruar nga mëkatet dhe dështimet.