×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Luljeta Aliu-Krasniqi padit Policinë e Kosovës, kërkon 100 mijë euro kompensim për diskriminim

    Insajderi
    11 February 2023 - 15:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prishtinë– Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca për rastin ku paditësja Luljeta Aliu-Krasniqi ka ushtruar padi për diskriminim dhe kompensim të dëmit jomaterial, në vlerë prej 100 mijë euro ndaj Policisë së Kosovës, gjegjësisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe pesë zyrtarëve përgjegjës për diskriminim dhe për shkelje të të drejtave të njeriut.                                         

    Në seancën e sotme, përfaqësuesja e autorizuar e paditëses Aliu-Krasniqi, avokatja Rina Kika, ka kërkuar nga gjykata që të paditurit të parë t’ia shtojë edhe gjashtë të paditur të tjerë, sipas kërkesës për ndryshim dhe plotësim të padisë, dhe atë ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pesë zyrtarëve përgjegjës për diskriminim dhe për shkelje të të drejtave të njeriut, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Avokatja Kika, në fjalën e saj hyrëse deklaroi mbi rrjedhën e ngjarjeve, ku mes të tjerash theksoi se paditësja më 31 mars 2017, ka shkuar në Polici për ta denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje dhe shkelje të urdhrit mbrojtës, pasi që i njëjti ia kishte ndërprerë krejtësisht të ardhurat për mbulimin e shpenzimeve të jetesës dhe për rritjen e dy fëmijëve të mitur.

    Sipas saj, Policia kishte refuzuar t’ia regjistrojë rastin, me gjithë faktin  që paditësja ia kishte përcjellë përmes e-mailit aktvendimin për lëshimin e urdhrit mbrojtës të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Pas ankesës së paditëses ndaj zyrtarit policor për mosregjistrimin e rastit, Policia e Kosovës në dy vendimet për ankesën e ka arsyetuar zyrtarin policor, duke konstatuar se ai ka pasur të drejtë të mos e regjistrojë denoncimin për shkak se paditësja ka pasur veshur “një maicë me rripa dhe një fustan tejet të shkurtër” .

    Përfaqësuesja e paditëses, tutje shtoi se mosregjistrimi i rastit dhe vendimet në procedurë administrative që e kanë legjitimuar refuzimin e regjistrimit të denoncimit, janë të kundërligjshme dhe paraqesin diskriminim në bazë gjinore, përkatësisht janë në kundërshtim me nenin 24 të Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje që përcakton se Policia e Kosovës duhet t’i regjistrojë të gjitha denoncimet për dhunë në familje që parashtrohen para saj.

    Po ashtu, sipas saj mosregjistrimi është në kundërshtim me procedurën standarde të hetimit të rasteve për dhunë në familje nga Policia e Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtje nga Diskiminimi.

    Në këtë rast, paditëses pretendohet se i është shkaktuar shqetësim emocional dhe psiqik, siç thuhet se dëshmohet edhe nga raporti mjekësor i dorëzuar para kësaj gjykate.

    Sipas përfaqësueses së paditëses, lidhur me këtë rast, Avokati i Popullit ka dhënë mendim juridik në të cilin mes të tjerash thuhet se Avokati i Popullit ka konstatuar se Policia e Kosovës, me rastin e refuzimit të regjistrimit të rastit të ankueses, ka dështuar të ndërmerrte masa parandaluese dhe efektive për të penguar dhunën në familje, për të mënjanuar rrezikun ndaj viktimës dhe ka mundur të sillte edhe pasoja serioze për të.

    Pas deklarimeve të tilla, seanca ka vazhduar me administrimin e provave materiale nga gjykatësja e rastit, Anita Morina.

    Në këtë seancë, nuk ishte prezent askush nga pala e paditur edhe pse sipas gjykatëses Morina, e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata.

    Në fjalën e saj përfundimtare, përfaqësuesja e paditëses kërkoi nga gjykata që padinë ta pranojë si të bazuar, të konstatojë se ka pasur shkelje të rënda diskredituese nga zyrtari policor dhe diskriminim në bazë gjinore në të gjitha vendimet që kanë legjitimuar mosveprimin e zyrtarit policor.

    Pas deklarimit të përfaqësueses së paditëses, seanca e sotme ka përfunduar.

    Sipas padisë, paditësja Luljeta Aliu-Krasniqi më 8 prill 2019, ka parashtruar ankesë ndaj vendimit të Drejtorisë Rajonale të Policsë, para Komisionit për Ankesa dhe Shpërblime të Policisë së Kosovës, me të cilën ka kërkuar që të anulohet vendimi i Drejtorisë Rajonale të Policisë për shpalljen si të pafajshëm të togerit Agim Hajrizi, të ndërmerren masa ligjore për shkelje të rënda, si dhe të procedohet rasti sërish në Inspektoratin e Policisë për hetim të veprave penale.

    Mirëpo sipas padisë, më 10 maj 2019, Komisioni për Ankesa i Policisë Rajonale, merr vendim me të cilin e refuzon si të pabazuar ankesën e paditëses dhe e vërteton vendimin e kapitenit Fehmi Hoti, për shpalljen e togerit Agim Hajrizi, i pafajshëm.

    Sipas Komisionit të Ankesave, paditësja me asnjë provë nuk ka argumentuar pretendimet e saj dhe se provat e paraqitura në aknesë nuk paraqesin dëshmi të mjaftueshme dhe nuk dërgojnë në konstatimin e një gjendjeje tjetër faktike nga ajo që është konstatuar nga vendimi i ankimuar.

    Andaj, pas pranimit të këtij vendimi paditësja ka parashtruar padi për konfliktin administrativ në qershor të vitit 2019 pranë Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Përmes padisë, paditësja ka kërkuar që të anulohen tri vendimet e lëshuara nga Policia e Kosovës, të vërtetohet se i padituri i parë toger Agim Hajrizi ka kryer shkelje të renda diskredituese dhe të vërtetohet se refuzimi i regjistrimit të denoncimit është diskriminues në bazë të gjinisë.

    Tutje përmes padisë, paditësja ka kërkuar të vërtetohet se të paditurit – Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, toger Agim Hajrizi, kapiten Fehmi Hoti, nënkolonel Valdet Beqiri, Major Tush Markaj dhe Major Ahmet Xhosha, me anë të vendimeve dhe veprimeve diskriminuese i kanë shkaktuar paditëses dëm jomaterial për shkak të vuajtjeve psiqike të shkaktuara nga trajtimi në Polici dhe cenimi i të drejtave të personalitetit.

    Tutje, ka kërkuar nga gjykata që t’i detyrojë të paditurit, t’ia kompensojnë paditëses Luljeta Aliu- Krasniqi, dëmin jomaterial në vlerë prej 100 mijë euro nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm si dhe të njëjtit të urdhërohen që të publikojnë në media aktgjykimin, përmes të cilit është vërtetuar shkelja e të drejtës së trajtimit të barabartë.

    Po ashtu, paditësja përmes padisë ka kërkuar që t’i shqiptohet të paditurit – Policia e Kosovës, gjoba në shumën prej  1 mijë e 350 euro, në përputhje me nenin 23, paragrafi 2 i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

    Tutje, paditësja ka kërkuar që të paditurve: toger Agim Hajrizi, kapitenit Fehmi Hoti, nënkolonelit Valdet Beqiri, majorit Tush Markaj dhe majorit Ahmet Xhosha, t’iu shqiptohet gjobë për kundërvajtje prej 1 mijë e 50 euro secilit veç e veç për kryerjen e veprimeve diskriminuese ndaj paditëses. /BetimipërDrejtësi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark