Insajderi
Lajme

Lulzim Peci: Zënia e spiunëve serbë, pjesë e një politike afatgjatë të Beogradit

Insajderi
25 August 2026 - 20:03
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Lulzim Peci: Zënia e spiunëve serbë, pjesë e një politike afatgjatë të Beogradit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Politologu Lulzim Peci ka reaguar pas rasteve të fundit të arrestimit të personave të dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë, duke thënë se këto zhvillime janë pjesë e një politike afatgjatë të Beogradit ndaj Kosovës.

Peci ka shkruar se rrënjët e kësaj politike, sipas tij, mund të gjenden te koncepti i “transversales së gjelbër” të Slobodan Millosheviqit, i cili pas çlirimit të Kosovës, sipas Pecit, u transformua në synim për ta paraqitur dhe potencialisht shndërruar Kosovën në një “Çeçeni të dytë”.

Ai ka bërë një krahasim me Çeçeninë, duke thënë se Rusia e shndërroi atë nga një vend sekular i udhëhequr nga gjenerali Xhohar Dudajev në një territor të sunduar nga Ramzan Kadyrov.

Sipas Pecit, këtij qëllimi “i kanë shërbyer shumë edhe qarqet islamiste vendore, me apo pa vetëdije”, të cilat, siç pretendon ai, kanë punuar në dobësimin e identitetit evropian dhe nacionalizmit sekular të shqiptarëve, si dhe të karakterit laik të shtetit të Kosovës.

“Në këtë të fundit, as politika në Kosovë nuk ka mbetur prapa!”, ka shkruar Peci.

Në fund, ai u është drejtuar atyre që, sipas tij, nuk i kanë besuar më herët paralajmërimeve për këto zhvillime.

“Tani, pasi po e shihni edhe ju që nuk e besonit, ndërsa ata që ju paralajmëronin për këtë i kërcënonit madje edhe me vrasje, çfarë keni për të thënë?”, ka përfunduar ai. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark