Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se synimi kryesor i institucionit që ai e drejton, është luftimi i suksesshëm i të gjitha llojeve të krimeve.
“Luftimi i këtyre llojeve të krimit duhet të jetë sfidë, jo vetëm e Prokurorit të Shtetit, por edhe e të gjitha organeve shtetërore dhe e shoqërisë kosovare. Për këtë qëllim do të bashkëpunohet me të gjitha organet për zbatimin e ligjit e sidomos me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore dhe me institucionet tjera”, është shprehur kryeprokurori Lumezi.
Këtë synim Lumezi e shfaqi pas takimit që e ka pasur me Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imerin, Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, si dhe Shefin e Departamentit Special Anti Korrupsion në Policinë e Kosovës, Shemsi Haziri.
Gjithashtu, Lumezi ka kërkuar nga Millaku dhe Maxhuni, që t’i japin prioritet të gjitha indiceve si dhe pretendimeve të cilat kanë bazë të arsyeshme se është kryer apo është duke u kryer ndonjë vepër penale, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Lumezi po ashtu ka biseduar për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit, dhe koordinimit sa më të mirë ndërmjet këtyre institucioneve me qëllim të ngritjes së efikasitetit të punës së tyre dhe luftimit të korrupsionit, krimeve ekonomike dhe krimeve financiare.
Po ashtu, ai ka kërkuar nga të pranishmit që të harmonizojnë, koordinojnë dhe të ndërmarrin veprime konkrete për prononcimet publike, të cilat janë bërë nga personat zyrtar në emisionet televizive./Insajderi.com