Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizimit pritet të jenë sfidat kryesore me të cilat do të ballafaqohen prokurorët kosovarë gjatë vitit të ardhshëm. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se në vitin e ardhshëm lufta e Prokurorisë kundër korrupsionit do të jetë e pakompromis.
Kryeprokurori i Shtetit, Lumezi, shprehet i vendosur për t’i shkuar deri në fund rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë vitit 2017.
Ai thotë se viti 2016 ka qenë i suksesshëm për Prokurorinë vendore, por thotë se në vitin 2017, prokurorët do të jenë të pamëshirshëm në luftën kundër të keqes që po i kanoset Kosovës, shkruan Zëri.
Kryeprokurori Lumezi ka folur edhe për gatishmërinë e prokurorëve vendorë për t’i hetuar rastet e profilit të lartë pas marrjes së kompetencave nga prokurorët e EULEX-it, si dhe aktin e vjedhjes në shtëpinë e tij të ndodhur para një muaji.