Në vitin e fundit skena politike e Kosovës ka pësuar ndryshime të mëdha në atë që u përkufizua si “një klasë e re politike”.
Përveçse në pozita të reja, krerët e shtetit dhe liderët e partive opozitare, i takojnë një moshe thuajse të njëjtë.
Vjosa Osmani, 40 vjeçare
Presidentja Osmani 40 vjetorin e saj e ka festuar në pozitën e presidentes së shtetit. Osmani më 17 maj të këtij viti ka mbushur plot 40 vjet.
Para se të zgjidhej në postin e presidentes, Osmani ka qenë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në pesë mandate.
Dy palë zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë e nxorën Vjosën si gruan deputete më të votuar në historinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Albin Kurti 47 vjeçar
7 vjet më i vjetër është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i partisë më të madhe të vendit, Lëvizja Vetëvendosje, më 24 mars ka mbushur 47 vjet.
Kurti është kryeministri i katërt dhe i gjashtë i Republikës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Kurti ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tre mandate me radhë, , shkruan Reporteri.
Ramush Haradinaj, 54 vjeçar
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në korrik të këtij viti ka mbushur 54 vjet.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-kryeministri i Kosovës, e kreu i AAK-së, ka lindur më 3 korrik 1968, në fshatin Gllogjan të Deçanit.
Prej datës 3 dhjetor 2004 deri më 8 mars 2005 ka qenë Kryeministër i Kosovës dhe që nga data 9 shtator 2017, është zgjedhur përsëri si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe shërbeu deri më 3 shkurt 2020.
Ramush Haradinaj ishte komandant në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi 42 vjeçar
Kreu i PDK-së Memli Krasniqi, këtë vit e ka festuar ditëlindjen e 42-të si kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend.
Ai ka lindur me 25 janar në vitin 1980. Memli Krasniqi ka një karrierë të gjatë në politikë.
Ai është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës më 3 korrik në Konventën e jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së.
Para se të futej në politikë, Krasniqi për shumë vite është marrë me muzikë dhe ka punuar në projekte të ndryshme muzikore.
Lumir Abdixhiku, 39 vjeçar
Më i riu në moshë nga politikanët e lartpërmendur është Lumir Abdixhiku. Abdixhiku ka lindur më 22 prill të vitit 1983.
Njësoj si Krasniqi, edhe Abdixhiku mori drejtimin e parisë më të vjetër në vend, vitin e kaluar.
Pas dorëheqjes së Isa Mustafës dhe pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke u renditur partia e tretë, Abdixhiku u bë Kryetar i Partisë.
Abdixhiku është kryetari më i ri i LDK-së që nga themelimi i kësaj partie.