Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu po e sheh si problem implementimin e Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).
Lushaku-Sadriu ka thënë që sistemi ETIAS nuk vlen vetëm për Kosovën por për të gjitha shtetet e BE-së të cilat aplikojnë në Shengen.
Ndër të tjera ajo u shpreh dyshuese për menaxhimin e këtij sistemi nga ana e Kosovës.
“ETIAS është sistem i regjistrimit i bazës së të dhënave, por Kosova është larg për me instalu dhe apliku këtë sistem. Kur nuk mujmë me menaxhu një prokurorim për pasaport se di qysh kemi me menaxhu ETIAS-in.”, deklaroi Lushaku në Kanal10, përcjell Reporteri.net.
Tutje ajo ka përmendur kriteret që Kosova duhet t’i plotësojë për të arritur zbatimin final të liberalizimit të vizave.
“Nuk po them që shtyhet. Por, që është një obligim shumë i madh që kërkon seriozitet. Nëse kjo qeveri nuk di me menaxhu një tender me pasaporta, se di qysh ka me menaxhu krejt implementimin e marrëveshjes, se aty s’është vetëm një, por edhe 99 tjera.”, shtoi Lushaku.
Pas vendimit të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga 1 janari 2024 qytetarët mund të lëvizin pa viza në Evropë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore, por BE këtë e ka ndërlidhur me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.