Avdullah Hoti, Memli Krasniqi, Ramush Haradinaj do të marrin pjesë në takimin tradicional të “Lutjeve të Mëngjesit”, ku pjesëmarrës do të jenë liderë botërorë, deputetë, diplomatë, kongresmenë, senatorë e zyrtarë të lartë të shtetit amerikan. Por, deri tani nuk dihet nëse do të marrin pjesë Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, Kryeministri, Albin Kurti e Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, shkruan Insajderi.
Edhe disa deputetë të opozitës kanë konfirmuar se janë ftuar të marrin pjesë në këtë event, por nuk ka asnjë përgjigje nga deputetë e pozitës. Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga qeveria e presidenca për të kuptuar, nëse krerët e shtetit janë ftuar nga Amerika.
Por, asnjëra palë nuk janë përgjigjur.
Ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti sot përmes një shkrim në Facebook, ka njoftuar se do të niset drejt SHBA-ve.
“Sot, me disa kolegë deputetë, udhëtoj për Uashington për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Kongresin Amerikan — një ngjarje vjetore që mbledh politikanë nga shumë vende të botës. Gjatë tri ditëve të qëndrimit në Uashington do të takoj kongresistë e senatorë dhe miq e mbështetës të Kosovës nga ShBA-ja dhe vende të ndryshme”, ka shkruar ai.
I ftuar në “Lutjet e Mëngjesit” që organizohet nga Kongresi Amerikan është edhe ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Kryetari Haradinaj ka udhëtuar për në SHBA, ku pritet të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve te Mëngjesit dhe gjithashtu do të zhvillojë takime të tjera me zyrtarë të administratës amerikane si dhe kongresmenë e senatorë”, thuhet në përgjigjen nga zyra e Haradinajt.
“Kryetari Memli Krasniqi, në fillim të javës do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krasniqi do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit”, thuhet në komunikatën e partisë për media.
Prishja e raporteve Kurti-SHBA
Në media janë publikuar komunikimet mes ambasadorit të Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli dhe ministrisë së Jashtme të Kosovës. Potencohet edhe frustrimi i SHBA-ve me sjelljen e Qeverisë Kurti në raport me ngjarjet në veri.
Ambasadori Ilir Dugolli, kishte pasur një bisedë të vështirë telefonike me Drejtorin e Zyrës për Çështje të Evropës Juglindore në DASh, z. Martin McDowell.
“Nuk ka dyshim që Serbia do të shfrytëzoj çdo mundësi për ta paraqitur Kosovën në dritë të keqe dhe për fat të keq tani ka mjaft municion për një gjë të tillë” – thotë ambasadori Dugolli t’i ketë thënë McDoëell në bisedën telefonike.
Dugolli në raportin e tij ankohej se sjellja e shtetit nikoqir, SHBA-ve, është “larg më brutale” seç mund të paraqitet në publik.
Përplasje mes zyrtarëve amerikan dhe kryeministrit Kurti ka pasur edhe për çështjen e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ambasada Amerikane ka thirrur për nesër një takim me shoqërinë civile dhe institucionet për të diskutuar modalitetet e mundshme të Asociacionit
“Nuk është koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë drejt SHBA-së për takime zyrtare”
Kujtojmë që pak muaj më parë, Ambasada amerikane ua kishte shtyrë vizitat edhe disa zyrtarëve të pushtetit, përfshirë ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën.Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me vizitën, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta. Vizita do të realizohet dhe për shkak të interesimit, datat do t’ua kumtojmë me kohë”, njoftonte Haxhiu.
Njësoj sikurse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe Kryetari i komunës së Podujevës, njëherit anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi nuk mundi të udhëtoi për në Amerikë.
Anulimi i vizitës së Bulliqi për në SHBA erdhi për shkak të situatës në Veri të Mitrovicës.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, zëdhënësi i komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i cili tha se vizita është shtyrë për një datë tjetër.
“Takimin e ka shty ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi që me sa kam informacione kanë pas me marrë pjesë edhe disa komuna të tjera. Kryetari ka apliku për vizë amerikane, i është lëshu viza për pesë vjet, ka qenë i planifikum takimi për javën e ardhshme. Por sipas informacioneve që i kam unë, ministri Elbert Krasniqi ka kërkur që vizita me u shty. Arsyeja tjetër është edhe situata në Veri”, na Zhitia për Insajderin.
Sa mysafirë nga Kosova do të marrin pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje nga organizatorët e takimit tradicional “Lutjet e Mëngjesit”, për të kuptuar se sa persona nga Kosova janë ftuar të marrin pjesë në këtë event.
Por, të njëjtit kanë refuzuar të japin detaje duke thënë se organizimi është privat.
“Mbledhja e NPB-së është një ngjarje private që është e mbyllur për shtyp. Ne nuk japim asnjë informacion në lidhje me listën tonë të të ftuarve”, thuhet në përgjigje.
Historik i shkurtër për takimin tradicional “Lutjet e Mëngjesit”
Tradita e “Lutjeve të Mëngjesit” mbahet çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbahet të enjten e parë të muajit shkurt.
Në lutjet e përbashkëta mblidhen presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anëtarë të Kongresit, politikanë amerikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga qindra vende të botës.
Kjo traditë ka nisur nga koha e presidentit Dëight Eisenhoëer, më 1953. Senatori i atëhershëm Franck Carlson nga Kanzasi kishte ftuar spontanisht presidentin Eisenhoëer në Senat për një lutje të përbashkët për suksesin e Qeverisë.
Cilësohet si ngjarje e madhe vjetore, me mijëra të ftuar nga të paktën 100 vende të ndryshme. Përveç miqësisë, “Lutja e Mëngjesit” ofron mundësi të mjaftueshme për rrjetëzim ndërkombëtar midis liderëve.
Aty zhvillohen takime të ndryshme, dreka e darka, por ngjarja kryesore është mëngjesi i të enjtes, kur aty do të flasë edhe presidenti i SHBA-së.
Megjithatë, edhe për “Lutjet e Mëngjesit” janë hedhur kritika.
Kundërshtimet e zakonshme janë se mëngjesi krijon një rrugë të pasme për Presidentin dhe se paratë blejnë akses në takime të rëndësishme.
/GazetaInsajderi