Lëvizja Vetëvendosje doli kundër Listës Serbe, por votoi për certifikimin e partisë së Aleksandër Jabllanoviqit, Partia e Serbëve të Kosovës, i cili ofendonte nënat gjakovare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të mos certifikojë Listën Serbe – partinë kryesore të serbëve në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kanë dalë kundër certifikimit të kësaj partie, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, duke përmendur që kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.
Megjithatë, LVV ka mbështetur certifikimin e një partie tjetër serbe – Partia e Serbëve të Kosovës, e udhëhequr nga Aleksandër Jabllanoviq, i cili është i njohur për deklaratat e tij fyese ndaj nënave gjakovare.
Partia numër 22: Partia e Serbëve të Kosovës që udhëhiqet nga Aleksandër Jabllanoviq
Në vitin 2015, Jabllanoviq, në cilësinë e ministrit për Kthim dhe Komunitete, kishte quajtur nënat gjakovare “egërsira”, pas një proteste në Gjakovë që kishte penguar pelegrinët serbë të vizitonin kishën për Krishtlindjet Ortodokse.
Deklaratat e tij kishin shkaktuar reagim masiv në publik dhe kishin çuar në protesta të mëdha.
Vetë Albin Kurti, atëherë opozitar, kishte udhëhequr protestat kundër Jabllanoviqit, duke i dhënë një ultimatum 48-orësh qeverisë së Isa Mustafës për ta shkarkuar atë nga posti i ministrit.
Protestat e kishin detyruar qeverinë të tërhiqej, dhe Jabllanoviqi ishte liruar nga detyra.
Por tani, mbështetja e Vetëvendosjes për certifikimin e partisë së tij ka ngritur pikëpyetje për konsistencën e qëndrimeve të saj.
Për certifikimin e Listës Serbe ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.
Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) parti në opozitë, ka abstenuar në votim, me arsyetimin se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike, ka vlerësuar që Lista Serbe i plotëson të gjitha kriteret për certifikim, por që ndan shqetësimet e përmendura nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Anëtarët e tjerë në mbledhjen e KQZ-së kanë thënë se Lista Serbe ka të drejtë të ankohet ndaj një vendimi të tillë, pasi Zyra për Regjistrimin e Partive Politike tashmë ka konfirmuar se kjo listë i plotëson të gjitha kriteret.
Zyra për Regjistrimin e Partive Politike është organ që vlerëson nëse një parti plotëson kriteret për pjesëmarrje në zgjedhje dhe ia dërgon rekomandimet panelit të KQZ-së.
Lista Serbe nuk është deklaruar pas vendimit të KQZ-së.
Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se moscertifikimi i kësaj partie është pjesë e parafushatës zgjedhore të partisë në pushtet.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të hënën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton “të eliminojë kundërshtarin e vetëm” në Kosovë, Listën Serbe.
“Kurti, me ndihmën e aleatëve të tij, synon të dëbojë popullin serb nga krahinat e jugut”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, pa ofruar më shumë hollësi.
Më vonë, Vuçiq ka thënë se ka biseduar edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për ato që i ka konsideruar shkelje të ligjit ndërkombëtar nga ana e Prishtinës, duke ia pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje.