Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ia bënin shumë gajle popullit në opozitë sa herë që kishte probleme të furnizimit të rregullt me energji elektrike. Njëra fliste nga foltorja e Kuvendit, e tjetra konferencë për media.
Haxhiu në një konferencë për media kërkonte llogaridhënie nga qeveria për mungesë të furnizimit të energjisë elektrike dhe “faturave të fryera”. Sot, ajo s’e ka thënë asnjë fjalë në kohën kur disa zona të Kosovës po përballen me kriza të energjisë elektrike, derisa temperaturat janë në minus, shkruan Insajderi.
LEXO EDHE:
“Të dashura gazetare e gazetarë, faleminderit që po e përcjellni këtë konferencë për media, ku do ta trajtojmë problemin me mungesën e energjisë elektrike dhe faturat e papërballueshme për qytetarët por po ashtu edhe… Me gjithë këto probleme, deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje nga qeveria për mungesën e energjisë elektrike, faturat e fryera”, deklaronte Haxhiu.
Në anën tjetër, në një interpelancë në Kuvendin e Kosovës, Nagavci thoshte se po shqetësohej se po shihte lajme për reduktime të energjisë elektrike. Madje thoshte se reduktimet ndodhnin në ditët e ftohta të dimrit. Njësoj sikurse Haxhiu, as ajo s’ka reaguar lidhur me krizën energjetike.
“…Lajmet si: Do të vazhdojnë reduktimet e energjisë elektrike, këto janë vendet që do të mbesin pa energji elektrike, rikthehen reduktimet… E kështu me radhë. Edhe pse furnizimi i pandërprerë bazike dhe elementare për një shoqëri normale. Reduktimet e ashpra që ndodhën muajve të fundit, ndodhën në tërë Kosovën, në ditë të ftohta të dimrit duke dëmtuar kështu qytetarët anembanë komunave të Kosovës ballafaquar me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, duke ua vështirësuar mjaft jetën e tyre”, deklaronte ajo.
Pushteti për reduktime p fajësojnë konsumatorët. Po thonë se është mbingarkuar sistemi nga konsumi i tepërt i rrymës. Po bëjnë apel për kursim, shkruan Insajderi.
“Sipas informatave nga operatorët e rrjetit, KOSTT dhe KEDS, vështirësitë e fundit në furnizimin me energji elektrike në disa zona të Kosovës janë rezultat i mbingarkesës së sistemit elektro-energjetik e jo nga mungesa e energjisë elektrike”, u tha në një njoftim të Ministrisë së Ekonomisë sot.
Një deputete e zëshme në opozitë për çështjen e rrymës, ka zgjedhur heshtjen para këtij problemi me të cilën po përballen qytetarët e Kosovës. As Fitore Pacolli e partisë në pushtet s’e ka thënë asnjë fjalë për mungesën e furnizimit të rregullt të rrymës.
Gjithsesi, Pacolli reagonte ndryshe kur ndalej rryma në Kosovë sa Vetëvendosja ishte në opozitë. Një status i saj në ‘Facebook’ qarkulloi nëpër rrjete sociale, ku Pacolli thoshte se s’i intereson a ka prishje, KEDS po shkelte të drejtat e qytetarëve me ndërprerjen e furnizimit të energjisë elektrike.
“Nuk na intereson ne a ka prishje. Ne paguajmë shërbimin ndërsa nuk na intereson fare se si kompania do ta sigurojë atë. Qytetarët duhet të furnizohen me rrymë. A u privatizua distribucioni i KEK-ut me premtimin se do të përmirësohet shërbimi? Ky nuk është shërbim por maltretim. Secili qytetarë dhe të gjitha bizneset, që janë dëmtuar nga këto ndërpreje të gjata të rrymës, të deponojnë padi kundër KEDS. KEDS duhet të kompenzoj secilin për dëmet që i ka shkaktu secilit, bash secilit”, kishte shkruar Pacolli si opozitare. /Insajderi.org/
Vetëm dy ditë para kësaj, Pacolli shqetësohej për privatizimin e distribuimit të energjisë elektrike. Thoshte se i është besuar një kompanie që ka në interes vetëm shtimin e kapitalit.
“Kur qytetarët vonohen të kryejnë obligimet ndaj KEDS, kompania ndal furnizimin me rrymë. E përveç se qytetari duhet të paguaj borxhin qytetari obligohet të paguaj edhe shërbimin për kyçje. E edhe kur KEDS duhet të përditësoj të dhënat e klientëve në sistem nuk provon të kontaktoj me klientin por e bënë shkyçjen e klienti detyrohet të lë punën, të paraqitet në zyrat e KEDS, të pres radhën e të ua jap të dhënat që t’ia përditësoj të dhënat kompanisë. E pastaj duhet t’i thërrasë disa herë e ndoshta përfundon edhe 48 orë pa rrymë derisa të ka kohë kompania të bëjë rikyçje”, thuhej ndër të tjera.