×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Takimi me pronarët miliarder të KEDS’it- Si u bë dje Kurti paçavër, njeri i shitur dhe mbështetës i krimit?

    Insajderi
    20 October 2023 - 12:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Albin Kurti i datës 5 korrik 2012 nuk ka asgjë të përbashkët me Albin Kurtin e datës 19 tetor 2023. Dje kryeministri ka takuar pronarët miliarder të KEDS’it. Nihat Ozdemirin e Ahmet Çalikun. I ka lavdëruar. I ka cilësuar si investitorë të huaj. Ka folur me ta për “përparimin ekonomik të Kosovës”.

    Para njëmbëdhjetë viteve thoshte se marrëdhëniet e mira me pronarët e KEDS’it i kanë vetëm njerëzit e shitur, paçavrat dhe ata që e kanë vendin në burg. I referohej ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Këtë privatizim do ta luftojmë pa pushim, pa kursim dhe përgjithmonë”, ishte një premtim i bujshëm i Albin Kurtit opozitar që shpërndahej me të madhe nëpër rrjete sociale nga aktvistët e Vetëvendosjës.

    Kjo deklaratë e tij ishte bërë saktësisht me 5 korrik të vitit 2012. Mbahej interpelancë lidhur me privatizmin e KEDS’it.

    Por, njëmbedhjetë vite më vonë Kurti e ka ngritur flamurin e bardhë. Ka shpallur ndërprerjën e kësaj lufte.

    Dje i ka takuar pronarët miliarder të KEDS’it. I ka pritur në zyrën e kryeministrit. Nihat Ozdemirn e Ahmet Çalikun. I pari është pronar i korporatës “Limak”, i dyti pronar i korporatës “Çalik Holding”. Këto dy korporata kanë në pronësi KEDS’in.

    Me dy miliarderët nga Turqia, Kurti dje ka bërë aleancë. Ka biseduar me ta për mundësitë e përparimit ekonomik të Kosovës.

    Para 11 viteve deklaronte se kush bashkëpunon me këta dy miliarderë është njeri i shitur dhe paçavër.

    Takimi i pa publikuar në rrjete sociale- Kurti lidh aleancë me pronarët e KEDS’it

    Në asnjë llogari të rrjeteve sociale të Kurtit nuk gjendet njoftimi dhe fotot nga ky takim. Në Facebook ka postuar dje lavdërimet e tij për historianin Noel Malcolm, një përmbajtje e pëlqyeshme për aktivistët e “Vetëvendosjës”.

    Por, detajet nga takimi i papëlqyeshëm për militantët janë shpërndarë vetëm në një njoftim qeveritar nëpërmes e-mailit. është përzgjedhur kjo rrugë komunikimi me publikun që nuk bie shumë në sy të militantëve.

    Aty gjenden detaje që mund të mos i pëlqejnë anëtarëve të partisë në pushtet.

    Aty gjendet një foto e përbashkët e Kurtit me pronarët miliarder të KEDS’it: Nehat Ozdemirit e Ahmet Çalikut. Të tretë janë buzagaz.

    Ky veprim bie në kundërshtim me deklaratën e tij të para njëmbëdhjetë viteve. Kuri i thoshte Thaçit “Mos u zgërdhini”, në seancën kur flitej për privatizimin e KEDS’it.

    Përpos kësaj fotoje, detaj i papëlqyeshëm për aktivistët e partisë në pushtet është edhe përmbajtja e këtij takimi.

    Kurti me Ozdemirin e Çalikut ka folur për mundësitë e përparimit ekonomik të Kosovës. Tjetër bindje kishte Kurti para njëmbëdhjetë viteve. Pohonte se ata që bashkëpunojnë me pronarët e KEDS’it, ish-kryeministri Thaçi dhe ish-ministri Beqaj, e kanë vendin në burg.

    “Takimi u karakterizua me frymë bashkëpunimi dhe përkushtim të përbashkët për nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë”, thuhe në njoftimin e djeshëm qeveritar.

    “Gjatë diskutimeve, Özdemir dhe Çalik shprehën interesimin e tyre për investime të mundshme që mund të kontribuojnë në përparimin ekonomik të Kosovës. Ata theksuan ekspertizën e kompanive të tyre në projektet e energjisë dhe infrastrukturës, duke përfshirë energjinë e ripërtëritshme”, theksohet në këtë njoftim.

    Po ashtu, në këtë njoftim qeveritar tregohet se çfarë mendimi ka tash Kurti si kryeministër për dyshën Ozdemir e Çalik. I vlerëson me notën më të lartë. I llogaritë për investitorë të huaj, ndërsa si opozitarë i vlerësonte si zhvatës e të kriminalizuar.

    “E i pari i qeverisë ritheksoi zotimin e institucioneve të Kosovës për të krijuar kushte të favorshme, konkurrencë të barabartë dhe transparencë për investitorët e huaj”, theksohet në njoftim.

    Kurti më 2012 për Ozdemirin e Çalikun e KEDS- Kush bashkëpunon me ta është njeri i shitur dhe paçavër, e ka vendin në burg

    Në vitin jo shumë të largët, më 2012, Kurti shtyhej fizikisht me policët. Protestonte kundër pronarëve të KEDS’it, dy njerëzve që i takoi dje dhe i vlerësoi si investitorë të huaj.

    Po ashtu, ishte radikal në paralament kundër tyre. Nuk linte gjë të zezë pa thënë kundër KEDS’it dhe qeveritarëve të asaj kohe.

    Iu bënte thirrje Ozdemirit e Çalikut që të tërhiqeshin nga blerja. I kërcënonte se kur të vinte në pushtet do t’i përzinte.

    “Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë korporatave Çalik dhe Limak që të mos e blejnë distribucionin e KEK-ut, që të tërhiqen dhe të mos e keqpërdorin Kosovën duke përfituar nga kjo qeveri e korruptuar. Ata mund t’i kenë marrëdhëniet e mira me këto dy paçavra (Thaçin e Beqajn),  por jo me Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, thoshte Kurti,  i cili dje foli si bashkëpunëtor i shkëlqyeshëm i këtyre dy miliarderëve, duke u shndërruar në paçavër para tyre.

    Fjalën paçavër nuk e kishte përdorur vetëm njëherë gjatë fjalimit të tij kundër ish-kryeministrit Thaçi e ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj.

    E kishte përdorur edhe kur i kishte vlerësuar si njerëz të shitur që e kanë shitur shumë lirë KEDS’in.

    ” Sepse kaq keq dhe kaq lirë KEK-un mund ta shesin vetëm njerëzit e shitur. Këta njerëz të shitur nuk e kanë vendin në Qeveri por e kanë vendin në burg për krimin që ia bënë shoqërisë dhe pronës publike. Kryeministri Thaçi dhe Ministri Beqaj janë paçavra në duart e huaja të cilët tashmë më shumë fëlliqin sesa pastrojnë për shkak të ndyrësisë që i ka mbuluar”, kishte thënë Kurti më 2012.

    Por, tash pas njëmbëdhjetë vitesh nuk gjendet asnjë fjali në njoftimin qeveritar të takimit të djeshëm në të cilin ceket se Kurti i është ankuar Ozdemirit e Çalikut për çmimin e lirë të blerjës. Gjenden lavdërime të Kurtit për shefat e KEDS’it, duke i lartësuar me epitetin si investitorë të huaj. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark