Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka nisur hetime lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.
Hetimet janë iniciuar pas informatave të pranuara gjatë procesit të rinumërimit të votave, ndërsa veprimet janë ndërmarrë me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Në kuadër të hetimit, janë intervistuar gjithsej 51 persona të dyshuar. Pas intervistimit, nëntë prej tyre janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.
Prokuroria ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të dyshuarve në procedurë. /Insajderi.org/