×
Analiza

Manipulimi me statistika – Arma e fuqishme e Qeverisë Kurti

Insajderi
15 July 2022 - 15:22
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Rritje e punësimit, rritje ekonomike, rritje e pagave në sektorin privat dhe fshehje e borxheve të bizneseve ndaj shtetit janë vetëm disa nga përpjekjet e qeverisë Kurti për manipulimin e statstistikave. Gazeta Insajderi, zbuloi dy rastet e fundit të dështimit të ATK-së, në inkasimin e të hyrave: atë të mos përmbushjesh së planit për mbledhjen e rreth 100 milionëve për dy muaj, dhe rritja e borxheve të bizneseve.

Administrata Tatimore e Kosovës, në muajin maj dhe qershor nuk ia kishte dalë ta përmbushë planin që të mblidhte gati 99 milionë euro, por për këtë periudhë inkasuan vetëm 85 milionë.

Por pavarësisht kësaj, në konferencë për media doli drejtori, Ilir Murtezaj dhe ministri Hekuran Murati për tu mburrur se në periudhës 6 mujore ky institucion ka mbledhur 355 milionë euro të hyra tatimore.

Gazeta Insajderi, që ka siguruar dokumentet interne të ATK-së, në bazë të së cilave dëshmohet se gjatë muajit qershor kishin planifikuar të mblidhnin mbi 52 milionë euro tatime nga bizneset por inkasuan vetëm 42 milionë. Kurse në muajin maj nga 47 milionë sa planifikonin, kanë inkasuar vetëm 43 milionë euro.

Pavarësisht se këtij dështimi, në një konferencë për media të marten u shfaqën Ministri i Financave Hekuran Murati dhe Drejtori i ATK-së.

Ministri i Financave, Hekuran Murati e lavdërojë madje drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezaj, dhe stafin e tij për punën gjashtë mujore të këtij viti.

“I përgëzoj ATK dhe stafin për arritjet në gjashtë mujor, po ashtu edhe tatim paguesit sepse janë ata që e  mbajnë shtetin dhe ATK-në në këmbë, secili që paguan me rregull është kontributor i këtij shteti”, tha Murati para gazetarëve përcjell Insajderi.

Murati, madje u shpreh se për të rritur suksesin e ATK-së dhe shtetit duhet të ketë besim në institucione.

“Për planet si ministri dhe si qeveri jemi të interesuar të shohim forcim të institucioneve. Për të rritur suksesin është parakusht të ketë besim në institucione. Është i rëndësishëm formalizmi i ekonomisë. Kemi rritje të vazhdueshme të të hyrave”, deklaroi Murati.

Ndërsa vetë Ilir Murtezaj, duke folur për “suksesin” e periudhës 6 mujore ATK-së meritat ia linte disa faktorëve, si fuqizimit të kontrollit të brendshëm, efikasitetit në mbledhjen e borxheve e dixhitalizimit

“Si rezultat i përformancës dhe të hyrave tatimore, ATK-ja në shumë fusha është institucion lider në rajon. Gjatë periudhës 6 mujore jemi vlerësuar nga FMN-ja. ATK ndër objektivat kyçe ka pasur ofrimin e shërbimeve. Si rezultat është arritur që ATK të mbledhë gjatë 6 mujorit të hyrat mbi 355 milion euro tatime. Në krahasim me planin kemi rritje prej 26.5 milionë euro, apo 8.1 përqind”, tha Ilir Murtezaj.

Mbi 471 milionë euro borxhe të bizneseve ndaj ATK-së

Anipse Kryeministri Albin Kurti sa herë fliste për tatimet ka potencuar me tërë fuqinë se “bizneset janë çliruar nga korrupsioni dhe se tash po ia paguajnë shtetit tatimin”,  bizneset në Kosovë i kanë shtetit borxh 131 % më shumë sesa para dy vitesh.

Derisa se në janar të vitit 2020 borxhi i bizneseve ndaj shtetit ishte 357 milionë, sipas dokumentacioneve interne të ATK-së që ka siguruar Gazeta Insajderi del se ky borxh ka arritur në mbi 471 milionë euro

Vetëm në Departamentin e Tatimpaguesve të mëdhenj, del se shifra e borxhit të biznesve ka arritur në 55 milionë nga 20 milionë.

Sipas dokumenteve interene që ka siguruar Gazeta Insajderi nga ATK del se nga 79 milionë sa ishte borxhi në bizneset e “Prishtina 1”, në vitin 2022 ka arritur në 96 milionë.

Kurse bizneset e “Prishtina 2” siç janë të ndara nga ATKnga 35 milionë në 47 milionë ndërsa në “Prishtina 3”

Bizneset nga Gjilani nga shuma prej 29 milionë eurove ka arritur në 34 milionë euro. Derisa ato nga Ferizaj nga 39 milionë euro, i kanë borxh shtetit 49 milionë euro.

Bizneset e komunës së Prizrenit të cilat sipas Administratës Tatimore të Kosovës, janë ndarë në dy kategori i kanë shtet borxh në total nga 44 milionë euro në 47 milionë euro.  

Boxhi i bizneseve të Gjakovës nga 10 milionë është rritur në 12 milionë, i atyre të Pejës nga 27 milionë në 32 milionëeuro derisa bizneset e Mitrovicës nga 29 milionë në 38 milionë. 

Dy skandalet e fundit me ATK-në për të cilat raportoi Gazeta Insajderi, nuk janë rastet e vetme për të cilat u bënë përjekje të manipulohen shifrat.

Kryeministri Kurti, e zyrtarët e tjerë të qeverisë dhe partisë së tij, në vazhdimësi kanë lëshuar deklaratat për rritje ekonomike, rritje të punësimeve, e rritje të pagave në sektorin privat.

“Mendoj që kur kanë shpresa njerëzit më shumë shpenzojnë”, harxhimet e qytetarëve pas ngritjes së çmimeve Kurti i arsyeton me rritjen e besimit ndaj tij

E fundit është deklarata e kryeministrit Albin Kurti në Greqi.

Ai gjatë fjalimit të gjatë që e mbajti në simpoziumin Symi, përveç se tha janë shtuar mbi 25 mijë vende pune tha se edhe se njerëzit po shpenzojnë më shumë se kanë shpresa në qeveri. Duke mos përmendur fare rritjen enorme të produketeve bazë në Kosovë.  

“Kemi pasur stabilitet institucional që na mundësoi të kemi rritje impresive ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e parë dyshifrore ndonjëherë pas çlirimit, më 1999”.

“Pastaj kemi pasur rritje në investimet kapitale 10,3 për qind, i kemi shtuar 25,000 vende të reja në tregun e punës dhe kemi pasur rritje të eksporteve 83, 6 për qind përkundër bazës së ulët, eksportet janë rritur 83,6 për qind, procesimi i lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe sektorit të ICT”, tha Kurti në simpoziumin e Symit.    

Bislimi: Viti 2022 do të ketë rritje më të madhe ekonomike në rajon

Përveç kryeministrit Albin KUrti, edhe numri dy i Qeverisë Besnik Bislimi njihet për deklaratat e famshme të manipulimit të shifrave.

Derisa vitin e kalur flistet se si janë hapur një numër i madh i vendeve të punës, citonte edhe statsistika të një rritje të madhe.

Bislimi thoshte se përkundër pandemisë ka pasur rritje të të hyrave buxhetore për afërsisht një të tretën në krahasim me vitin 2020.

“Performanca buxhetore në tre muajt e parë të vitit 2022. Në bazë të statistikave që kam për datën 5 prill. Deri me datën 5 prill, kemi një rritje të të hyrave, sërish rritje të të hyrave buxhetore në raport me vitin paraprak për 25.4 për qind, do të thotë për një të katërtën apo diku 120 milionë kemi më shumë të hyra në buxhet sesa kemi pasur vitin e kaluar, e viti i kaluar ka qenë një vit jashtëzakonisht i mirë. Kjo tregon që përkundër brengave dhe përkundër dëshirës që të ngjallim një lloj panike të qytetarët për krizë ekonomike numrat e kundërshtojnë këtë në mënyrë të fuqishme”, ka thënë Bislimi.

Bislimi madje thoshte se shifrat për rritje ekonomike janë kokëforta.

“Rritja ekonomike nuk matet me vrojtime, ose me bindje, ose opinione, mirëpo janë statistika të vrazhda të cilat grumbullohen nga disa agjenci, nga Agjencia e Statistikave, nga Banka Qendrore, nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe do të ishte e palogjikshme të diskutojmë mbi vërtetësinë e këtyre shifrave. Ajo çka mund të diskutojmë, që i bie sferës normative, i bie që a mjafton kjo rritje ekonomike t’i adresojë sfidat me të cilat ballafaqohemi ose jo, mirëpo si e tillë nuk mund të kundërshtohet”, vijoi Bislimi.

Ndërsa për këtë vit Bislimi ka folur me siguri të plotë se do të jetë viti me rritjen më të madhe në rajon.

“Sektorët si energjia dhe makineria, janë shumë të rëndësishme për t’i shtyrë agjendat tona përpara, qeveria i ka mbështetur 21 kompani. Fokusi është te prodhuesit vendorë për t’iu mundësuar tregjet jashtë vendit. Qeveria jonë po shënon vitin e parë duke realizuar shumë politika sidomos në fushën e ekonomisë. Viti 2022 do të ketë rritje më të madhe ekonomike në rajon” tha Bislimi.

Por deklaratat e dy drejtuesve kryesor të Qeverisë, Kurti e Bislimi janë mohuar nga BSPK dhe njohës të ekonomisë.

Në tregun e Kosovës nuk ka krijim të vendeve të reja të punës, por vetëm lidhje kontratash me punëtorët që nuk i kanë pasur ato, thonë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës (BSPK) dhe profesorë të ekonomisë.

Shifrat e dhëna nga qeveria se në periudhën shtator 2020 – shtator 2021 “janë regjistruar mbi 25,000 vende të reja pune”, figuronin në të dhënat e ATK-së, por që kryetari i BSPK-së, Jusuf Azemi, këmbëngul se këto shifra nuk janë reale.

Sipas tij, ekziston vetëm mundësia që disa biznese t’iu kenë dhënë kontrata punëtorëve që nuk i kanë pasur ato, për të përfituar nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

“Nuk e besoj se janë krijuar 25 mijë vende pune, sepse, në të njëjtën kohë, kanë mundur të largohen nga puna 30 mijë punëtorë të tjerë. Kjo është shqetësuese për ne. Pastaj, një numër i punëtorëve kanë qenë duke punuar [pa kontrata] dhe bizneset i kanë futur në sistem të pagave, për shkak se Qeveria e Kosovës i ka stimuluar ato që t’i formalizojnë punëtorët”, thotë Azemi.

Ndërsa sipas ish-kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, bizneset kanë hapur vende të reja të punës, por një numër të konsiderueshëm të tyre e përbëjnë punëtorët që kanë qenë duke punuar, e që kontratat i kanë marrë rishtas.

“Rritja e pagave në sektorin privat është më e madhe se rritja e çmimeve”

Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje që është edhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Armend Muja ka deklaruar se rrogat në sektorin privat janë rritur me shume se çmimet.

“Prej janarit e deri më tash vlerësohet mesatarisht që inflacioni është rrit 9 për qind. Kështu thotë ASK-ja. Nëse i shikon rrogat e sektorit privat, sipas ASK-së, janë rritur 13 për qind që do të thotë pak përtej shkallës së inflacionit”, tha ai.

Mujës i patën reaguar ashpër njohësit e Ekonomisë.

Ish kryeministri, që ka mbajtur edhe mandatin e ministrit të Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se “rritja e të hyrave të shtetit është rezultat i shtrenjtimit të çmimeve”.

Sipas Hotit, Hekuran Murati dhe Armend Muja “po mashtrojnë ose nuk i kanë informatat elementare”.

“Nuk është rritur importi, ndërsa të hyrat po – kjo është rezultat i rritjes së çmimeve”, ka thënë Hoti.

Edhe ish këshilltari i kryeministrit Kurti,  Edison Jakurti, i reagoi ashpër Mujës, duke thënë se krahasimet e inflacionit të vitit 2022 me nivelin e pagave 2012-2021 nga ASK-ja nuk qëndrojnë nisur nga fakti që këtu kemi të bëjmë me disproporcion kohorë.

“Në bazë të të dhënave të ASK-së del se inflacioni në Kosovë gjatë 5 muajve të parë të këtij viti ka qenë rreth 9.7%. A e kanë ndjekur pagat këtë trend? ASK-ja nuk publikon të dhëna mujore për pagat. Të dhënat e fundit janë për vitet 2012-2021. Gjatë kësaj periudhe, norma vjetore e rritjes së pagës mesatare neto, në terma realë, vetëm në vitin 2014, në sektorin publik e për arsye elektorale, ka qenë më e madhe se norma e rritjes së inflacionit në këta 5 muajt e fundit”.

“Ndonëse ky krahasim mund të mos jetë i drejtë për shkak të a) faktit që rritja e pagave në 2014 nuk ka asnjë lidhje me inflacionin në 2022 dhe b) dallimit të kohëve që mbulojnë të dhënat (muaj vs. vite), është më i miri që mund ta bëjmë me të dhënat publike nga e kaluara. Prandaj, jo vetëm që nuk qëndron deri tani, por edhe gjatë tërë vitit 2022 është shumë pak e mundshme që rritja e pagave (sidomos në sektorin privat) ta përcjellë trendin e rritjes së çmimeve. Aq më pak ta tejkalojë atë”, tha Jakurti në reagimin e tij. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark