×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Mendoj që kur kanë shpresa njerëzit më shumë shpenzojnë”, harxhimet e qytetarëve pas ngritjes së çmimeve Kurti i arsyeton me rritjen e besimit ndaj tij

    Insajderi
    12 July 2022 - 13:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi

    Ka një javë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dalë të blejë bukë, perime apo edhe gjëra të tjera në Kosovë, dhe për të parë çmimet e fundit të këtyre produkteve – pasi është duke qëndruar Symi të Greqisë.

    Po, nga qëndrimi në ishull, i pari i ekzekutivit duket të jetë motivuar për një fjali interesante.

    “Mendoj që kur kanë shpresa njerëzit më shumë shpenzojnë sesa kursejnë…”, ka thënë Kurti nga Symi, duke aluduar se nuk ka rritje të çmimeve, por ka rritje të besimit të qytetarëve ndaj qeverisjes së tij, dhe kjo është arsyeja kryesore pse ata shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndoshta kryeministri nuk ka faj, se kur njeriu gjendet në një vend – sikur ai për momentin – edhe mendimet janë krejt të kundërta me realitetin.

    Për një pjesë të madhe të kosovarëve REALITETI i çdoditshëm është ky: rritet çmimi i bukës, rriteti çmimi i vajit, rritet çmimi i spinaqit, rritet çmimi i rrymës, naftës, për të mos vazhduar tek gjërat tjera që janë pak më luksoze…

    Lexo edhe:

    Rritja e çmimeve, protesta për rritje të pagave, dhe debati pozitë-opozitë

    Nga 40 centë deri në 60 centë sillet çmimi i bukës në Kosovë, varësisht nga furra që e prodhon dhe qyteti.

    Deri në fillim të vitit, çmimi ka qenë 35 centë. Në atë kohë ka pësuar rritje vende-vende deri në 50 centë.

    Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

    Hov më të madh atyre u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit.

    Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë dhe lufta mes tyre ka shkaktuar çrregullime në tregje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në muajin maj të këtij viti ka arritur në 12.5 për qind, nga 0.2 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Dhe, barra më e madhe e kësaj bie mbi qytetarë. Disa e kanë pensionin minimal 100 euro, e disa rrogën minimale nga 130 deri në 170 euro.

    Për çështjen e pagave të ulëta, me kërkesën për rritjen e tyre, muajve të fundit ka pasur disa protesta dhe greva të punonjësve publikë.

    Sindikalistët kishin mbajtur një protestë me kërkesa të njëjta edhe më 8 prill, kurse më 12 maj në disa nga institucionet publike është mbajtur një grevë njëorëshe.

    Ata kishin thënë se nuk mund të durojnë “shpërfilljen dhe mospranimin e dialogut social dhe mosrespektimin e profesionalizimit” nga autoritetet qeveritare, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, në Kuvendin e Kosovës, më 30 qershor, është mbajtur një debat për situatën e krijuar nga rritja e çmimeve.

    Partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa, duke reduktuar akcizën dhe normën e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në derivate të naftës dhe produkte të domosdoshme për tre muaj – me mundësi vazhdimi, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

    TVSH-ja është një tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime, ndërsa akciza është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, si ato energjetike, duhani apo alkooli.

    Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë se nëse reduktohet TVSH-ja, zvogëlohen të hyrat në Administratën Tatimore të Kosovës, që mbushin arkën e shtetit.

    Më 22 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar një udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës, i cili ka hyrë në fuqi më 27 qershor.

    “Tavani i çmimit” të tyre, tash për tash, përcaktohet çdo 24 orë. Maksimali për naftën është 1.84 euro, ndërsa për benzinën 1.75 euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Shtrenjtimi i rrymës, dhe protesta kundër

    Në fund të janarit në Prishtinë ishin mbajtur dy protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

    Njëra ishte organizuar nga Partia Sociademokrate (PSD) me mbishkrimet, ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr” dhe thirrjet “Populli i bashkuar ka për të fituar”.

    Kështu qytetarët patën shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë.

    Të njëjtat, në vazhdën e krizës globale energjetike, ZRRE-ja i ka miratuar më 8 shkurt, të cilat kishte thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.

    Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë.

    Ata paguajnë 12.5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5.9 centë gjatë tarifave të ulëta.

    Tarifa e lirë e energjisë elektrike në Kosovë vlen nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.

    Nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lirë vlen nga ora 23:00 deri në 8 të mëngjesit.

    Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, dy muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit për shtrenjtimin e rrymës, Gjykatës Themelore në Prishtinë e kishte pezulluar atë.

    ZRRE-ja kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, edhe kjo e fundit kishte vendosur ta pezullojë vendimin sipas të cilit ishte paraparë rritje e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve.

    Edhe ky vendim ishte apeluar nga ZReE në Gjykatën Supreme.

    Procesi gjyqësor vazhdon ende, por deri në vendimin përfundimtar, qytetarët do t’i paguajnë faturat me rritje, kanë paralajmëruar nga ZRRE-ja./Gazeta Insajderi/

    Shiko edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark