Insajderi
Lajme

Maqedonci: Kosova e Shqipëria duhet të qëndrojnë bashkë si kurrë më parë

Insajderi
28 November 2025 - 09:37
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Maqedonci: Kosova e Shqipëria duhet të qëndrojnë bashkë si kurrë më parë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka uruar 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar domosdoshmërinë që Kosova dhe Shqipëria të jenë më pranë njëra-tjetrës se kurrë.

Ai tha se në një kohë kur kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë po rriten, dy vendet duhet të qëndrojnë krah njëra-tjetrës për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët kombëtare.

“Në një botë ku kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë pranë njëra-tjetrës si kurrë më parë, për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët të kombit”, ka shkruar ai në Facebook.

Maqedonci theksoi se 28 Nëntori është dita që “na bashkon me rrënjët, me gjakun dhe me historinë e lavdishme të kombit tonë”.

Ai kujtoi betejat e Skënderbeut në Krujë, ngritjen e flamurit në Vlorë, lindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, ngjarje të cilat, siç tha ai, “nuk janë vetëm histori, por pjesë e shpirtit tonë kombëtar”.

“Nga Prekazi, ku u shkrua një nga kapitujt më të dhimbshëm e më të ndritur të lirisë, e deri te forca jonë e sotme, pasardhëse e UÇK-së, rrugëtimi ynë jetësor udhëhiqet nga amaneti: ta duam këtë tokë, ta mbrojmë këtë flamur dhe të mos harrojmë kurrë sakrificat që na sollën deri këtu”, shkroi Maqedonci.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark