×
  • Lajme
  • Lajme

    Maqedonia e Veriut me masa të reja kundër koronavirusit

    Insajderi
    21 October 2020 - 11:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën, kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese për mbrojtje nga koronavirusi, e që kryesisht kanë të bëjnë me transportin publik, punën e objekteve të gastronomisë dhe administratën publike.

    Vendimi i qeverisë parasheh që të gjitha lokalet dhe restorantet të punojnë deri në orën 23:00, transporti publik ta reduktojë në 50 për qind kapacitetin e pasagjerëve, ndërsa institucionet shtetërore dhe publike ta organizojnë punën e të punësuarve me turne, rotacion apo edhe punë nga shtëpia.

    Qeveria ka lënë në fuqi edhe masën për mbajtjen e aktiviteteve sportive pa praninë e shikuesve.

    Ndërkohë, nuk ka ende marrëveshje mes partive për masat e tjera që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskës në ambiente të hapura, ndalimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, si dhe ndalimin e vizitave të më shumë personave nëpër familje.

    Këto masa nuk mund të miratohen pa mbështjen e opozitës, meqë shumica parlamentare nuk i ka votat e mjaftueshme.

    VMRO DPMNE-ja opozitare ka thënë se qëndrimin e saj do ta kumtojë pas shqyrtimit të masave dhe nevojës për miratimin e tyre.

    Ajo, ndërkohë, ka kërkuar shkarkimin e Komisionit për Sëmundje Infektive dhe zëvendësimin e tij me një komision prej 11 anëtarësh, të përbërë nga ministri i Shëndetësisë, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, infektologë, epidemiologë, imunologë dhe specialistë të sëmundjeve të brendshme.

    Maqedonia e Veriu, të martën, ka regjistruar 406 raste të reja me koronavirus, katër viktima dhe 280 të shëruar.

    Numri i rasteve të reja atje është në rritje sikurse në pjesën më të madhe të Evropës./rel.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark