Pavarësisht vetos së Bullgarisë për kornizën negociuese me Bashkimin Evropian, autoritetet maqedonase thonë se bisedime me Sofjen për gjuhën dhe identitetin maqedonas, nuk mund të ketë.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikola Dimitrov, ka thënë se në seancën e së martës të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, nuk do të miratohet vendimi për konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, përveç vetos bullgare, ka edhe arsye tjera që nuk do të ketë vendim, pasi për shkak të pandemisë, mbledhja e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së mbahet online, andaj edhe protokolli i punës nuk lejon marrjen e vendimeve.
“Ne duam anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duam t’i nisim bisedimet, por nuk bisedojmë dhe nuk mundemi të bisedojmë për atë se kush jemi dhe çfarë gjuhe flasim. Ne jemi maqedonas që flasim gjuhën maqedonase. Kjo është e drejtë e jona sovrane. Pasuritë gjuhësore janë një nga vlerat thelbësore të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Dimitrov në një prononcim për mediat, duke theksuar se negociata të tilla nuk do të ketë as vitin e ardhshëm, e asnjëherë tjetër.
Ndërkohë, edhe të martën zyrtarët bullgarë kanë vazhduar me deklaratat kundër fillimit të bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
“Për Maqedoninë e Veriut ka vend në Bashkimin Evropian, por kur t’i plotësojë kushtet. Për momentin ajo nuk i plotëson ato. Diplomacia bullgare nuk mund të lejojë që të ndjekë një politikë denigrimi të një vendi tjetër, të cilën, për fat të keq, e shohim në Shkup. Ne jemi një shtet anëtar i Bashkimit Evropian”, ka deklaruar shefja e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva për televizionin kombëtar bullgar (BNT) para takimit ministror të BE-së në Bruksel.
Dështimi për nisjen e bisedimeve dhe kushtëzimet e palës bullgare kanë rritur tensionet mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoni të Veriut.
Kreu i partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, ka fajësuar qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev, duke argumentuar se ka lejuar Bullgarinë jo vetëm të bllokojë procesin integrues, por edhe të “poshtërojë maqedonasit”.
“Nuk ka një maqedonas apo ndonjë qytetar tjetër që e ndjen këtë vend si të vetin që të mos ndjehet i poshtëruar, i ofenduar nga të gjitha ato deklarata që populli ynë është artificial, se gjuha është një pemë pa rrënjë, por e shpikur në vitin e 1945, që luftëtarët tanë të shenjtë për liri ishin bullgarë dhe çfarë jo tjetër”, ka deklaruar Mickovski duke bërë të qartë se VMRO-ja nuk do të pranojë asnjë kompromis që asimilon popullin maqedonas.
“Unë i bëj thirrje Qeverisë së Zaevit të mbrojë interesat kombëtare dhe strategjike. Këto duhet të jenë prioritetet e saj, të arrijë një zgjidhje jo me çmimin e vetëmohimit dhe fshirjes, një zgjidhje që do të garantojë identitetin tonë, gjuhën dhe që do të mundësonte nisjen e negociatave me BE-së”, ka theksuar Mickovski.
Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zaev, ka hedhur poshtë akuzat e opozitës duke i rikujtuar asaj “punën që është bërë në procesin e integrimit euroatlantik ”.
“Nëse Mickoski nuk e di, është mirë të dijë se Maqedonia e Veriut në këto tre vjet ka shënuar vetëm fitore; ne arritëm lirinë, fituam një shtet mik- Greqinë, arritëm të anëtarësohemi në NATO dhe arritëm të kemi një qeveri që respekton të gjitha komunitetet, arritëm që të sigurojmë gjuhën dhe identitetin tonë që njihen në të gjithë botën”, thuhet në reagimin e Lidhjes Social Demokrate.
Partitë politike shqiptare gjatë kësaj periudhe janë treguar të përmbajtura nga komentet me arsyetimin se bëhet fjalë për “çështje të ndjeshme”, andaj edhe thonë se nuk duan të keqinterpretohen. \ Rel