Insajderi
Lajme

Marrëveshje në Zyrën e Kryeministrit: Partitë shqiptare garojnë bashkë në zgjedhjet në Serbi

Insajderi
29 September 2026 - 22:28
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Marrëveshje në Zyrën e Kryeministrit: Partitë shqiptare garojnë bashkë në zgjedhjet në Serbi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se partitë politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat do të mbahen më 25 tetor.

Sipas Kurtit, marrëveshja për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” është arritur sot në Zyrën e Kryeministrit, pas bisedimeve mes përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare, shkruan Insajderi.

Pjesë e marrëveshjes janë Shaip Kamberi nga PVD, Visar Memeti nga APN, Nagip Arifi nga PD, Agim Sabedini nga PDSH, Shqiprim Musliu nga LPD, Sami Salihu nga LR, Armend Aliu nga AL dhe Naser Aziri nga UDSH.

Në takimin ku u arrit marrëveshja morën pjesë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, si dhe përfaqësues nga Medvegja dhe Pazari i Ri.

Kurti ka thënë se bashkimi politik në një listë të përbashkët synon të forcojë përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.

Ai ka ngritur edhe çështjen e përfaqësimit të garantuar të shqiptarëve të Luginës, duke e krahasuar atë me ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, ka deklaruar Kurti.

Në njoftimin e tij, kryeministri ka përmendur edhe çështjen e pasivizimit të adresave, përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike dhe zhvillimit ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Kurti ka thënë se pjesë e angazhimit janë edhe ruajtja e gjuhës, kulturës, simboleve dhe identitetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, për të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e tyre”, ka thënë Kurti. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark