Insajderi
Hulumtime/Analiza

Masa e madhe e produkteve “fajtor” për çmimet e ndryshme në raft e arkë -VIPROS arsyetohet pas dënimeve nga Inspektorati

Insajderi
13 October 2026 - 16:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Masa e madhe e produkteve “fajtor” për çmimet e ndryshme në raft e arkë -VIPROS arsyetohet pas dënimeve nga Inspektorati
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka shqiptuar dy dënime me gjobë në vlerë totale prej 2,000 eurosh ndaj subjektit afarist “VIPROS” Sh.P.K. (Njësia nr. 4 në Prishtinë), pasi ka konstatuar mospërputhje mes çmimeve të ekspozuara në rafte dhe atyre të faturuara në arkën fiskale.

Si u zbuluan shkeljet dhe sa u dënua kompani?

Sipas vendimeve zyrtare të Inspektoratit të Tregut, shkeljet u evidentuan pas ankesave të konsumatorëve dhe inspektimeve të realizuara në terren:

Vendimi i datës 30.04.2026: Inspektorati konstatoi se produkti „Kotany Grill Perime” (105 gr) kishte të ekspozuar në raft çmimin prej 2.09 €. Mirëpo, gjatë pagesës në arkën fiskale, ky produkt iu faturua konsumatorit me çmim prej 2.29 €. Për këtë shkelje të nenit 26 (paragrafët 7 dhe 8) të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, VIPROS u dënua me gjobë prej 1,000.00 €.

Vendimi i datës 28.05.2026: Pas një ankese tjetër dhe dhënies së një afati 7-ditor për eliminimin e parregullsive, re-inspektimi dëshmoi se produkti „Kofsha Pule Drumstik SARA” kishte çmimin e vendosur prej 3.55 € në raft, ndërsa në arkë kaloi me çmim 3.79 €. Inspektorati konstatoi dështim në garantimin e çmimit të barabartë dhe aplikoi një tjetër gjobë prej 1,000.00 € sipas nenit 137 të po këtij ligji.

Arsyetimi i VIPROS: Numri i madh i produkteve dhe ndërrimi i stafit

I kontaktuar nga Insajderi, subjekti afarist VIPROS Sh.P.K. ka sqaruar se mospërputhjet e çmimeve nuk janë pjesë e ndonjë politike apo praktike të qëllimshme të kompanisë, por rrjedhojë e faktorëve operativë dhe gabimeve njerëzore.

Kompania deklaroi se përpiqet të tregojë kujdes maksimal për përputhshmërinë e çmimeve dhe se kryen kontrolle në pikat e shitjes. Mirëpo, siç arsyetohen ata, vëllimi i madh i artikujve e bën të vështirë menaxhimin pa gabime.

“Në periudha të caktuara realizojmë kontrolle të përgjithshme të çmimeve në pikat tona të shitjes, me qëllim identifikimin dhe korrigjimin e çdo mospërputhjeje eventuale. Megjithatë, duke pasur parasysh numrin e madh të produkteve dhe ndryshimet e vazhdueshme të çmimeve, në raste të izoluara mund të ndodhin gabime si rezultat i pakujdesisë apo neglizhencës njerëzore. Këto raste nuk paraqesin politikë apo praktikë të qëllimshme të kompanisë”.

Më tej, nga VIPROS theksuan se një faktor tjetër që ka ndikuar në këto lëshime është edhe angazhimi i punonjësve të ri.

“Ndryshimet në staf dhe angazhimi i punonjësve të rinj mund të sjellin herë pas here edhe gabime operative, prandaj i kushtojmë rëndësi të veçantë trajnimit dhe mbikëqyrjes së tyre.”

Lidhur me masat e ndërmarra pas dënimeve nga Inspektorati i MINT-it, kompania bëri me dije se ka kërkuar reagim më rigoroz nga stafi brenda pikave të shitjes për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla:

“Pas rasteve të evidentuara janë kërkuar kontrolle më të kujdesshme të çmimeve dhe respektim më rigoroz i procedurave nga stafi përgjegjës. Qëllimi ynë është që konsumatori të ketë gjithmonë informacion të saktë dhe transparent për çmimin e produktit që blen“. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark