Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje në inspektimin e parave që jepen nga bizneset për klube sportive për sponzorizim. Në gjetjet e tyre, ata thonë se as Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) e as Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk janë në dijeni për gjendjen e sponzorizimit të sportit nga bizneset private.
Në raportin e auditorit thuhet se kompani të caktuara kanë paguar shuma më të vogla të tatimit sesa që kanë qenë të obliguara, në emër të zbritjeve për sponzorizim të sportit. ZKA’ja thotë se ka identifikuar rreth 352 biznese që kanë diferenca ndërmjet shumës së sponzorizimit dhe zbritjeve të tatimit, shkruan Gazeta Insajderi.
“Nga shënimet të cilat kemi pranuar për këto 45 biznese nga ATK, rreth 490,347 euro nuk janë transferuar në llogari të organizatave sportive dhe as nuk janë paguar shtetit si tatim i obliguar. Po ashtu nga kjo analizë e të dhënave shihet se nga mostrat e përzgjedhura 45 klube kanë përfituar sponsorizim në vlerë prej 1,083,246 euro duke mos poseduar vërtetim nga MKRS për sponsorizim të sportit”, thuhet në gjetjet e ZKA’së.
Tutje, shtohet se 129 klube përfituese të sponzorizimit nuk kanë dorëzuar informatat në ATK në përputhshmëri me ligjin në dispozicion.
Për krejt këto, sipas ZKA’së, ATK’ja ka gjobitur vetëm dy kompani për mos-deklarim të saktë të tatimeve.
“ATK ka gjobitur vetëm dy kompani për mos deklarim të saktë të tatimeve. Kontrolli ju është referuar kompanive të cilat kishin deklaruar zbritje në tatim pa u pajisur me vërtetim nga MKRS”, thuhet në gjetje.
Lirimi nga tatimi i kompanive pa vërtetime nga MKRS me qëllim të sponsorizimit të aktiviteteve sportive në vlerë 1,083,246 euro dhe po ashtu, mos transferimi i mjeteve për sponsorizim në klube në vlerë 490,347 euro, ka shkaktuar dëmtim të buxhetit të Kosovës në shumën prej 1,573,593 euro për vitet 2020-2022.
Gazeta Insajderi gjatë ditës raportoi sot se si Ministra e Kulturës që drejtohet nga Hajrulla Çeku i Vetëvendosjes, është kapur nga Auditori i Jashtëm duke shpenzuar para në fushën e sportit përmes subvencioneve, e para të arkës shtetërore këto për të cilat nuk ka raporte. Në disa raste është gjetur që ka dhënë para edhe pa thirrje publike fare.
Konflikt interesi i mundshëm brenda MKRS-së në favor të firmave private
Praktika që është duke e aplikuar MKRS ngre shqetësime për konflikte të mundshme interesi brenda komisionit përgjegjës për lëshimin e vërtetimeve të sponsorizimit dhe vlerësimin e shpenzimeve të fondeve, thuhet në raportin ZKA-së.
“Kur një komision i vetëm ngarkohet me të dyja funksionet, ekziston një rrezik i natyrshëm që procesit të vlerësimit t’i mungojë paanshmëria dhe integriteti i nevojshëm. Ky konflikt i mundshëm mund të rrezikojë besueshmërinë e procesit të vlerësimit dhe integritetin e rezultateve të raportuara”, thuhet në këtë raport, shkruan Insajderi.
Për të adresuar këtë shqetësim, disa vende ose organizata miratojnë praktika që përfshijnë komisionet e veçanta për këto dy funksione thelbësore.
Kjo ndarje shërben për të rritur përgjegjshmërinë, transparencën dhe besueshmërinë e përgjithshme të procesit të vlerësimit të sponsorizimit.
“Rregullorja e MKRS-së përcakton se i njëjti komision do të trajtojë lëshimin e vërtetimeve të sponsorizimit dhe vlerësimet e shpenzimeve të fondeve, megjithatë miratimi i një qasjeje apo praktike më të mirë që përfshin ndarjen e këtyre detyrave mund të ndihmojë në zbutjen e konflikteve të mundshme të interesit dhe të përforcojë besueshmërinë e procesit të vlerësimit”, thuhet në raport dhe bëhet me dije se “ndarja e detyrave të punës përputhet me standardet ndërkombëtare dhe promovon transparencën dhe llogaridhënien në menaxhimin e sponsorizimit”.
Zyra Kombëtare e Auditimit po ashtu ka konfirmuar gjetjet e hulumtimit të Gazetës Insajderi të bëra dy vite më parë.
Gazeta Insajderi afro dy vite më parë kishte raportuar për një aferë korruptive brenda MRKS’së.
Një hulumtim i Insajderit pati zbuluar se si Qeveria Kurti lejoi një gjakderdhje financiare brenda Ministrisë e ku në këtë skemë ishin përfshirë një organizatë-joqeveritare e papërvojë nga Mitrovica. Rrjedhimisht, 80 mijë euro dyshohej të janë abuzuar nga drejtuesit e MKRS-së.
Projekti ishte për krijimin e një baze të të dhënave për sportistë, e që ishte propozuar në fillim që të bëhej nga vet ministria, dhe atë për 40 mijë euro, por MKRS-ja nën drejtimin e Çekut punën ia dha OJQ-së Cohesion’ (Center for Health Education and Inclusion – Qendra për Edukim Shëndetësor dhe Gjithëpërfshirës), për një shumë mbi 120 mijë euro.
E më e keqja: puna kurrë nuk u krye.
ZKA në raportin e vecantë për shpenzimin e parave të shtetit në fushën e sportit nën qeverinë e Kryeministri Albin Kurti, ka konfirmuar këtë raportim të Insajderi.
“Një OJQ përfituese e projektit “databaza sportive në Kosovë” nuk ka dorëzuar produktin/raportin final me kohë për të cilin Ministria kishte paguar 121,430 euro. Për më shumë, edhe pas dorëzimit të produktit, Ministria as nuk e ka shqyrtuar e as pranuar të njëjtin përmes komisionit për të vlerësuar apo maksimizuar përfitimin nga ky projekt”, thuhet në raport.
Për pasojë, vlera për paranë e shpenzuar nuk është materializuar. MKRS nuk ka strategji për zhvillimin e sportit dhe kjo ka ndikuar në mos përcaktimin e prioriteteve dhe qëllimeve se ku duhet të përqendrohet Ministria për të arritur progres në fushën e sportit, konstaton Auditori i Jashtëm.
Sipas këtij institucioni, duke marrë parasysh që Ministria nuk e ka shfrytëzuar as shqyrtuar raportin final të përfituesit edhe pas afër 9 muajve për të cilin kishte paguar 121,430 euro, tregon për keq menaxhimin e të gjithë procesit lidhur me këtë subvencionim dhe rrjedhimisht mos arritje të vlerës për paranë e shpenzuar. /Insajderi.org/