Insajderi
Lajme

Mashtrimi në tender, kompania nga Gjakova futet në listë të zezë

Insajderi
05 May 2026 - 15:02
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Mashtrimi në tender, kompania nga Gjakova futet në listë të zezë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim që të diskualifikojë operatorin ekonomik “Norway Travel” me pronar Mergim Alija nga pjesëmarrja në të gjitha aktivitetet e prokurimit publik për një periudhë tremujore, duke e futur kështu në “listën e zezë” të prokurimit, shkruan Insajderi.

Ky vendim vjen pas kërkesës së Komunës së Gjakovës , e cila raportoi se kompania u tërhoq nga disa pjesë të një tenderi për transportin e nxënësve, veprim ky që sipas tyre shkaktoi dëmtimin e buxhetit komunal.

Çka thuhet në vendim?

Sipas dokumentit të lëshuar nga Paneli Shqyrtues i Prokurimit, operatori “Norway Travel” diskualifikohet nga pjesëmarrja në prokurimin publik për një periudhë prej tre muajve, konkretisht nga data 4 maj 2026 deri më 3 gusht 2026.

Ky vendim u mor pasi paneli vlerësoi se kompania ka vepruar në kundërshtim me nenin 99 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe nenin 25.9 të Rregullores për Prokurim.

Arsyeja kryesore lidhet me tërheqjen e operatorit nga lotet 4, 6, 7, 10, 37 dhe 53 të aktivitetit për transportin e nxënësve , veprim ky që e detyroi Komunën e Gjakovës të vazhdojë me ofertën e dytë me radhë, duke dëmtuar kështu buxhetin e autoritetit kontraktues.

Çka deklaroi kompania?

Kompania u mbrojt me deklarimin se tërheqja ishte vullnetare për arsye objektive ekonomike dhe mungesë kapaciteti, ndërsa mohoi kategorikisht paraqitjen e të dhënave të rreme apo dokumenteve të falsifikuara.

“OE Norway Travel, në përgjigjen e dhene ka deklaruar se subjekti ynë ekonomik është tërhequr vullnetarisht nga loti i fituar para nënshkrimit të kontratës, për arsye objektive ekonomike dhe mungesë kapaciteti për realizimin e shërbimit në përputhje me kushtet e ofertuara. Nuk është paraqitur asnjë e dhënë e rreme; Nuk është dorëzuar asnjë dokument i falsifikuar; Nuk ka pasur asnjë element mashtrimi apo deklarimi të pavërtetë gjatë procedurës së prokurimit“, kanë deklaruar nga kompania.

OSHP-ja konstatoi se dështimi në dorëzimin e dokumentacionit pas njoftimit për synim të dhënies së kontratës mbetet bazë për sanksionim.

Rrjedhimisht, hodhi poshtë pretendimet e operatorit, duke argumentuar se dështimi në përmbushjen e detyrimeve pas shpalljes fitues çon automatikisht në procedurë diskualifikimi.

Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë, por pala e pakënaqur mund të nisë padi në gjykatën kompetente brenda 30 ditësh./Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark