A.B. është ndaluar për 48 orë si i dyshuar për veprën penale “shpëlarje e parave”.
Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale me anë të një komunikate. Në komunikatë thuhet se i dyshuari përfitonte para përmes mashtrimeve nga qytetarët e Gjermanisë dhe Kosovës, si dhe depononte të hollat në llogaritë bankare të subjekteve në pronësi të tij.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka arrestuar të martën një person të dyshuar me incialet A.B. A.B. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “shpëlarje e parave”. I njëjti dyshohet se paratë e përfituara përmes mashtrimeve të qytetarëve të ndryshëm në Republikën e Gjermanisë dhe në Republikën e Kosovës, i kishte deponuar në formë të parasë së gatshme në llogaritë bankare të subjekteve në pronësi të tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria bën të ditur se do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë ndaj të dyshuarit. /Insajderi.org/