Pas ndeshjes së 1/8 së finales së Kupës së Botës, ku Franca eliminoi Paraguajin, një debat i madh ka shpërthyer për shkak të një postimi të senatorës paraguajane Celeste Amarilla, drejtuar kapitenit të Francës, Kylian Mbappé.
Amarilla publikoi një mesazh me përmbajtje fyese dhe raciste, i cili shkaktoi reagime të forta në opinionin publik dhe në botën e futbollit.
Pas këtyre deklaratave, Mbappé reagoi përmes rrjeteve sociale, duke e dënuar ashpër gjuhën e përdorur ndaj tij dhe duke e cilësuar sjelljen e senatorës si të papranueshme.
“Zonjë Celeste Amarilla, ju jeni një grua e neveritshme dhe e padenjë për postin tuaj. Ju nuk e përfaqësoni Paraguajin, një vend që ka treguar pasion dhe nder gjatë gjithë garës. Për shkak të padijes suaj dhe racizmit tuaj të hapur, bota tashmë e ka harruar rrugëtimin dhe përpjekjet historike që lojtarët tuaj kanë bërë gjatë këtij Botërori, duke u lënë vend një figure që jep imazhin më të keq të mundshëm të vendit tuaj. Nuk do të lejoj kurrë që persona si ju të kenë lirinë të përhapin urrejtje dhe racizëm në mbarë botën”, tha Mbappe.

Deklaratat e senatorës vijnë pas një raportimi mediatik që pretendonte për një situatë tensioni mes Mbappé dhe portierit Orlando Gill pas ndeshjes.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, duke hapur debat të gjerë mbi gjuhën e urrejtjes dhe sjelljen e zyrtarëve publikë në rrjetet sociale.