Mbesa e motrës së komunistit jugosllav, Fadil Hoxha, bëhet nënkryetare e Vetëvendosjes - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Mbesa e motrës së komunistit jugosllav, Fadil Hoxha, bëhet nënkryetare e Vetëvendosjes

    Insajderi
    25 October 2022 - 21:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Emri i Mrika Limani-Myrtajt si nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje u prit me befasi, pasi ajo njihej shumë pak nga strukturat e LVV-së.

    Pas zgjedhjes së organeve të reja drejtuese të partisë së kryeministrit Albin Kurti, debati po vazhdon edhe më tutje, pasi që emrat e deridjeshëm u eliminuan pa asnjë sqarim, kurse të rinjtë u ngjitën në skenë. Të njëjtit po vlerësohen se nuk kanë dhënë ndonjë kontribut me peshë në LVV, kurse të përjashtuarit janë ata që për më shumë se 15 vjet ishin konsistentë në betejën e tyre për ta sjellë Kurtin në pushtet.

    Nga drejtimi i partisë u përjashtuan Liburn Aliu, Salih Zyba, Hydajet Hyseni, Gani Krasniqi, Avni Dehari dhe shumë deputetë të LVV-së që rrugëtuan me Kurtin, që u rrahën dhe u arrestuan për “kauzën e pushtetit”. Në anën tjetër, në krye të partisë u pozicionuan Elvis Hoxha, Boiken Abazi, Dejona Mihali, Arbër Zaimi, por edhe Mrika Limani Myrtaj, emër anonim deri në ditën e zgjedhjes si e dyta e partisë, shkruan Demokracia.com.

    Megjithatë, kjo e fundit po del të jetë e njohur mirë për Kurtin.

    Demokracia.com ka mësuar se Mrika Limani Myrtaj është mbesa e motrës së Fadil Hoxhës, Myrvete Hoxha-Limanit, e cila si familje ishte kuadër komunist i ish-Jugosllavisë, sistem që sundoi gjatë në Kosovë duke sjellë shumë vuajtje e dhimbje për popullin shqiptar.

    Për gjyshen e Mrika Limani Myrtajt, Myvete Hoxha – Limani, kishte shkruar një kolumne edhe motra e Mrikës, Lura Limani.

    “Gjatë gjithë kësaj kohe, Myrvetja ishte anëtare aktive e komiteteve dhe sekretariateve të ndryshme partiake në Gjakovë, Prizren e Prishtinë. Për shkak të aktivizimit të theksuar, u emërua anëtare e Kryesisë Krahinore të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës (LSPP). Ndërmjet viteve 1974 dhe 1986 ishte drejtoreshë e të gjitha enteve parashkollore në Prishtinë, ku u angazhua aktivisht për zgjerimin e numrit të kopshteve dhe përmirësimin e gjendjes së objekteve nën mbikëqyrjen e saj”, shkruan Lura Limani, ndër tjerash për gjyshen e saj në kolumnen e botuar në vitin e kaluar në Kosovotwopointzero.

    Se Mrika dhe Lura janë motra konfirmohet edhe nga postimet e tyre në rrjetet sociale.

    Mrika Limani Myrtaj me zgjedhjen e saj nënkryetare e dytë e LVV-së ia ka zënë vendin Fatmire Mulhaxhës – Kollçakut.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark