×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Mbi 100 mijë euro shmangie, Dogana po e heton Federatën e Futbollit

    Insajderi
    12 May 2022 - 16:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Federata e Futbollit të Kosovës është duke u hetuar nga Dogana e Kosovës. Insajderi merr vesh që hetimi po zhvillohet për sjelljen e disa pajisjeve sportive që u deklaruan si donacion, por që dyshohet të jenë blerë. Deri tash dyshohet se shmangia doganore kalon vlerën mbi 100 mijë euro.

    Gazeta Insajderi

    Në janar të vitit 2021 Presidenti i Federatës së Futbollit Kosovar (FFK) Agim Ademi kishte udhëtuar në Turqi. U takua e nënshkroi një memorandum me presidentin e Federatës së Futbollit të Turqisë, Nihat Özdemir.

    Presidenti Özdemir ishte zotuar “që do të ndihmojë teknikisht dhe profesionalisht FFK-në”.

    Pas kësaj vizite Insajderi merr vesh se nga Turqia do të vinin në Kosovë, për nevoja të FFK-së, pajisje që vlera e tyre e kalon shifrën 700 mijë euro.

    FFK-ja këtë mall dyshohet se rrejshëm e deklaroi si donacion nga Turqia, por një hetim i Doganës së Kosovës nisi menjëherë.

    Në këtë mënyrë ka shmangur pagesën e obligimeve doganore për mallrat e importuar, pasi që ligji parasheh që për mallrat që janë donacione të hiqen obligimet doganore. Në këtë rast, këto mallrat nuk ishin donacion, por të blera me paratë e FFK-së, thonë burime të Insajderit.

    “Janë mbi 700 mijë euro mall që janë deklaruar si donacion, por ato janë blerë dhe shmangia tatimore shkon deri në mbi 100 mijë euro”, i kanë thënëInsajderit burime brenda Doganës.

    Sipas këtyre burimeve deri tash janë intervistuar afro dhjetë zyrtarë të FFK-së, përfshirë këtu edhe ish-zyrtarë të lartë të FFK-së, që janë suspenduar ose larguar nga Federata.

    Drejtimin e FFK-së edhe për një mandat e mori Agim Ademi, në një kuvend së paku të kontestuar publikisht ku ai mbeti i vetmi kandidat. Ata që e kontestonin rizgjedhjen e tij edhe për një mandat, në një dokumentar ekskluziv të InDoks kishin ngritur dyshime për keqpërdorime të shumta të Ademit.

    Shiko të plotë emisionin:

    Në këtë emision InDoks pati sjellë edhe rrëfimin ekskluziv të biznesmenit DritëroKadolli.Rasti për të cilin ka folur biznesmeni Kadolli është i vitit 2012, por për të cilin një herë është dënuar Agim Ademi dhe Muharrem Rama. Pati shumë zhvillime më tutje me ankesa e shtyrje seancash, madje edhe me dërgim të rastit në Gjykatën Supreme, derisa pjesë të akuzës edhe u vjetërsuan si pasojë e zvarritjeve në gjyqësor.

    Rasti për të cilin një herë u dënua Agim Ademi e Muharrem Rama, por Sami Hamiti nuk ishte i dënuar në këtë rast, lidhej me një veturë në atë kohë në modë, BMW X5. Ia kërkonin me ngulm e me kërcënime.

    Pjesë nga ky rast dhe aktakuzë, do të rigjykohen edhe një herë në Kosovë.

    Insporti po ashtu raportoi në mars të vitit 2021 se FFK-ja nën drejtimin e Agim Ademit  dyshohet për evazion fiskal për të hyrat nga aktivitetet komerciale, me rastin e shitjeve të biletave për vite me radhë.

    Siç kishte raportuar Insporti, para fillimit të pandemisë së Covid 19, ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në futboll sjellin mijëra tifozë në stadium, të cilët blinin biletat me çmime relativisht të larta, e jo të rralla ishin rastet kur këto bileta përfundonin në tregun e zi, për t’u rishitur edhe njëherë me çmime shumë më të larta.

    Në tetor të vitit 2019, Prokuroria Speciale e Shtetit kishte nisur hetimet për verifikimin e dyshimeve të ngritura për shitjen e biletave për ndeshjet e zhvilluara nga Kombëtarja e Kosovës, ku për çdo ndeshje kishte ankesa për parregullsi.Për zgjidhjen e këtij problemi, Federata e Futbollit të Kosovës, hapi një sistem online për blerjen e biletave, e pastaj autorizoi kompaninë Tiks.app, por as kjo formë nuk rezultoi e suksesshme.

    Megjithatë, tregu i zi i biletave të ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës dhe informaliteti nga personat fizik, nuk po del të jetë e vetmja formë me të cilën është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës.

    Insporti ka zbuluar një komunikim mes Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ku kjo e fundit konfirmon se Federata e Futbollit të Kosovës duhet të paguajë TVSH (Tatim mbi Vlerën e Shtuar), për aktivitete ekonomike siç është shitja e biletave.

    FFK, është organizatë joqeveritare, ndaj nuk konsiderohet person i tatueshëm për qëllimet e TVSH-ës, për pagesat që mund t’i pranojë nga anëtarësia apo donacione të ndryshme, por në rastin e aktivitetit komercial siç është rasti i shitjes së biletave, duhet të jetë pajisur me Pajisje Elektronike Fiskale (PEF), dhe në secilën biletë të paguhet TVSH në vlerë prej 18%.

    Federata e Futbollit të Kosovës, dyshohet se ka bërë shmangie të tatimit për vite me radhë, duke shitur bileta për ndeshjet e Kombëtare, por edhe të ndeshjeve tjera në nivel të klubeve, duke mos paguar TVSH-në, me dëmin ekonomik që besohet të jetë jashtëzakonisht i lartë.

    Që nga pranimi në FIFA dhe UEFA, Federata e Futbollit të Kosovës ka organizuar shumë ndeshje të Kombëtares së Kosovës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ku numri i biletave të shitura është mbi 200 mijë sosh, me çmimet zyrtare të cilat kanë variuar nga 5 euro deri në 80 euro.

    Në përllogaritje, siç raportoi Insporti, ku një biletë e shitur nga Federata e Futbollit të Kosovës gjatë viteve 2014 – 2019 merret se ka pasur çmimin mestar prej 15 euro, rezulton që FFK i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës mbi 500 mijë euro.

    Në komunikimin direkt mes ATK-së dhe FFK-së, të datës 24/09/2018, Administrata Tatimore e Kosovës, udhëzon Federatën e Futbollit të Kosovës që të pajiset me Pajisje Elektronike Fiskale (PEF), ku decidivisht thuhet se shitja e biletave e cila bëhet nga FFK, apo nga ndonjë kompani e kontraktuar, duhet të jetë me TVSH, si dhe furnizimi i tillë për konsumatorin final duhet të përcillet me kupon fiskal.

    Shitja e të drejtave TV të Përfaqësueses, të Superligës, të reklamave e shumë të hyrave të tjera të cilat janë bërë në kundërshtim me letrën nga ATK e cila ka udhëzuar FFK nga 2018 të lajmërohet në TVSH./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    24 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark