×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Mbi 14 mijë euro për derivate – Këto janë shpenzimet tjera të Komunës së Drenasit

    Insajderi
    15 September 2022 - 16:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komuna që drejtohet nga Ramiz Lladrovci, ka shpenzuar mbi 14 mijë euro për derivate, rreth 3 mijë euro për dreka e darka zyrtare dhe mbi 400 euro për një udhëtim të kryetarit në Turqi. Gazeta Insajderi, ka siguruar listën e shpenzimeve pas kërkesës për qasje në dokumente publike.

    Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka realizuar një udhëtim zyrtar në muajin maj në Turqi ku ka marrë pjesë në një program lidhur me zhvillimin ekonomik.

    Lladrovci për katër ditë të qëndrimit në Ankara, tërhoqi nga zyra e financave ka tërhequr, shumën prej 1 mijë e 150 euro. Sipas komunës Lladrovci prej tyre ka shpenzuar vetëm 440 euro gjatë qëndrimit atje. 150 euro për meditje dhe 290 euro për bileta dy drejtimëshe, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nga shuma e tërhequr sipas zyrës së financave, Lladrovci i ktheu buxhetit të komunës, 710 euro që nuk i kishte shpenzuar.

    Gazeta Insajderi, ka kërkuar nga Komuna e Drenasit shpenzimet e zyrtarve komunal për meditje, udhëtime, dreka-darka, e derivate gjatë këtij viti.

    “Gjatë periudhës janar-13 shtator (deri me sot) 2022, kryetari dhe nënkryetari, nuk kanë shpenzime për dreka dhe darka zyrtare, por shpenzimet për këto kategori, mund t’i gjeni ne këtë komunikim në raportin e analitikes të detajuar ku paraqiten shpenzimet për secilin program, pra ka shpenzime nga drejtoritë komunale, por jo nga kryetari dhe nënkryetari”, thuhet në përgjigjen e komunës.

    Për kategorinë shpenzime për derivate, sipas këtyre dokumenteve në total del se komuna ka shpenzuar 14 mijë e 488 euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas sqarimit nga komuna në këto shpenzime të derivateve janë përfshirë 13 vetura të këtij institucioni përfshirë edhe veturën e kryetarit Lladrovci.

    “Ndërsa sa i përket shpenzimeve të derivateve, komuna këtë shpenzim e ka të organizuar ne një program (drejtori), pra kemi kontratë me Operatorin Ekonomik dhe të gjitha shpenzimet e derivateve kryhen nga programi i Drejtorisë së Administratës. Komuna e Drenasit, ka gjithsej 13 vetura, duke përfshirë edhe veturën e kryetarit dhe ne bashkëngjitje gjeni raportin analitik të detajuar për shpenzimin e kësaj kategorie”, thuhet në përgjigjen e komunës.

    Drenasi shpenzon 2 mijë e 500 euro për dreka e darka zyrtare

    Pavarësisht se kryetari Ramiz Lladrovci dhe nënkryetari Arben Shala, nuk kanë shpenzuar para të taksapaguesve për dreka e darka zyrtare, del se drejtoritë nuk e kanë kursyer buxhetin për këtë kategori shpenzimi.

    Sipas listës së shpenzimeve, del se kjo komunë ka shpenzuar 2 mijë e 547 euro. Këto shpenzime për dreka zyrtare përfshijnë edhe ato të vitit të kaluar, faturat e të cilave janë paguar në fillim të këtij viti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në këtë shpenzime përfshihen drekat zyrtare të Drejtorisë së Arsimit, Drejtorisë së Administatës, Drejtorisë për Financa dhe atë për Kulturë.

    Drejtoria e Administratës së Arsimit ka shpenzuar 650 euro me rastin e pritjes së mysafirëve nga Shqipëria me rastin e njëzetvjetorit të shkollës “Gani Elshani” dhe binjakëzimit me shkollën “Pjetër Arbnori” Fushë-Arëz.

    Komuna e Drenasit për Ditën ndërkombëtare të Gruas ka shpenzuar 457 euro. Ndërsa, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka paguar 308 euro dhe është për rastin e Sofrës Poetike “Ymer Elshani”.

    Drejtoria e Administratës ka shpenzuar 260 euro në një drekë për përfundimin e vitit.

    100 euro ka shpenzuar Drejtoria e Financave për një drekë për punëtoret me rastin e mbylljes së vitit.

    Dreka për punëtorët në fund vit i kushtoi Drejtorisë së Kulturës 125 euro. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark