Nismapër Kosovën ka akuzuar kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja se ka investuar mbi tre milion euro në rrugën e cila e lidh lagjen “Arbana” dhe “Dardania”, e cila tash e sa vite e shfrytëzon vetëm një familje.
Përmes një kumtese për medie, NISMA e ka akuzuar për krim e korrupsion kryetarin e Prizrenit nga radhët e PDK-së.
“Investimet e pamatura dhe te pa analizuara për shumë vite e shoqërojnë qeverisjen komunale në Prizren, e cila ditëve të fundit në theks të veçantë ka hapur shumë tenderë për investime në fusha të ndryshme, deri sa në anën tjetër ka projekte që kanë filluar tash e tetë vjet dhe nuk kanë përfunduar, siç është rasti i shtëpisë së kulturës në Zhur dhe në Hoçë të Qytetit”, thuhet në njoftimin e NISMA-s.
Memorandumet për financime të përbashkëta ndërmjet Ramadan Mujes dhe disa ministrive, sipas kumtesës, nuk janë asgjë tjetër, përveç mashtrim që praktikohen gjatë viteve zgjedhore.
Në fund kumtesa thotë se qytetarë të Prizrenit me të drejtë shprehin revoltën përmes peticioneve dhe protestave të ndryshme, lidhur me punimet që po i hap komuna e Prizrenit. /Insajderi.com