Procesi gjyqësor në rastin e rezervave shtetërore, ku e përfshirë është ministrja Rozeta Hajdari, ka nisur me përplasje të forta mes Prokurorisë dhe mbrojtjes, kryesisht rreth qasjes në dokumentet e klasifikuara dhe hapjes së seancave për publikun, shkruan Insajderi.
Prokurori i rastit ka kërkuar që seancat gjyqësore të jenë të hapura për publikun dhe mediat, duke theksuar rëndësinë e transparencës.
Sipas tij, mbyllja e seancës duhet të bëhet vetëm në raste të veçanta, kur shqyrtohen pjesë të aktakuzës që përmbajnë informacione sekrete apo gjatë dëshmive të dëshmitarëve anonimë.
Në anën tjetër, avokati mbrojtës i ministres Hajdari, Florent Latifaj, e ka kundërshtuar ashpër këtë qëndrim, duke theksuar se dokumentet në fjalë përbëjnë sekret shtetëror dhe nuk mund të shqyrtohen nga persona që nuk posedojnë certifikatë sigurie.
“As ne avokatët, as policët nuk kemi të drejtë t’i shohim këto dokumente. Madje, sipas ligjit, qasje nuk duhet të ketë as prokurori dhe as gjyqtari,” ka deklaruar Latifaj në seancë.
Mbrojtja është thirrur në një mendim të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri (AMIK), sipas të cilit personat pa certifikatë sigurie nuk guxojnë të kenë qasje në dokumente të klasifikuara. Po ashtu, Latifaj ka theksuar se materialet mund të shqyrtohen nga gjykata vetëm pas deklasifikimit të tyre nga institucioni përkatës.
Sipas mbrojtjes, trajtimi i këtyre dokumenteve në seanca të hapura, apo qasja e palëve të paautorizuara, përbën shkelje serioze të rregullave të sigurisë kombëtare.
“Po tentohet që dokumentet të na jepen edhe neve, që edhe ne të bëhemi pjesë e një procesi të paligjshëm që përbën edhe vepër penale. Konsideroj që pa u bërë deklasifikimi i dokumenteve, asnjë seancë të mos mbahet e hapur,” ka thënë Latifaj përcjell Insajderi.