×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Mbrojtja e Shalës kërkon që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak

    Insajderi
    07 June 2023 - 11:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mbrojtja e Pjetër Shalës përmes një parashtrese lidhur me shqyrtimin e njëmbëdhjetë të paraburgimit, ka kërkuar nga Paneli i Dhomave së Specializuara të Kosovës (DhSK) që Shalës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

    “Mbrojtja me respekt kërkon nga Paneli që t’i japë fund ndalimit të vazhdueshëm të të akuzuarit dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm ose vendosjen e tij në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë, duke iu nënshtruar çdo kushti që konsiderohet i përshtatshëm”, thuhet në parashtresë.

    Aty thuhet se mbrojtja mban qëndrimin e saj se ekzistojnë masa të përshtatshme alternative ndaj paraburgimit dhe që duhet të merren parasysh. “Për shembull, kërkesa që i akuzuari të qëndrojë në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë mund të zbusë mjaftueshëm çdo rrezik të mundshëm që vjen nga lirimi i përkohshëm i të akuzuarit”, thuhet tutje.

    Po ashtu, sipas mbrojtjës, i akuzuari përsërit gatishmërinë e tij për t’u angazhuar dhe për të dhënë çdo garanci që konsiderohet e përshtatshme për të qëndruar në shtëpinë e tij, për të mos ndryshuar vendbanimin e tij, për të dorëzuar pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit, për të raportuar çdo ditë në policinë belge ose autoritete të tjera të rëndësishme, t’i nënshtrohet monitorimit të ngushtë nga autoritetet, të paraqitet dhe të kthehet në gjykatë sa herë që urdhërohet për ta bërë këtë, dhe/ose t’i nënshtrohen çdo kushti tjetër që konsiderohet i përshtatshëm dhe i urdhëruar nga Paneli.Po ashtu, thuhet se mbrojtja i mbështet plotësisht parashtresat e saj të mëparshme mbi paligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarit.

    Mbrojtja thekson se nuk ka pasur asnjë provë apo material tjetër me kusht që të tregojë se i akuzuari ka ndërhyrë ose mund të ndërhyjë me ndonjë dëshmitar në procedurë. Versionin e redaktuar publik të kësaj parashtrese mund ta gjeni në gjuhën angleze.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark