Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka vendosur që të mbyllë për publikun seancën lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë, për shkak të mbrojtjes së dëshmitarit të mbrojtur, të njohur si A2.
Prokurori Naim Abazi propozoi mbylljen e seancës gjatë dëgjimit të dëshmitarit, duke argumentuar se kjo është në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, të cilat lejojnë mbrojtjen e dëshmitarëve në raste të tilla.
Ky propozim u kundërshtua nga avokati Lubomir Pantoviq, mbrojtës i të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq, i cili deklaroi se prokuroria nuk ka ofruar arsye të mjaftueshme për të justifikuar mbylljen e shqyrtimit gjyqësor.
Gjykata, megjithatë, vendosi që seanca të mbahet e mbyllur për publikun, duke garantuar mbrojtjen e identitetit dhe sigurinë e dëshmitarit A2.