Gjykimi në mungesë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të akuzuarve të tjerë për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës do të nisë më 21 dhjetor 2026. Të akuzuarit dyshohen për përfshirje në vrasjen e 107 civilëve gjatë luftës në Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se seanca fillestare në këtë rast është caktuar për datën 21 dhjetor 2026, në orën 09:30, nën kryesimin e gjyqtarit Leon Përlaska.
Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, në mesin e 20 të akuzuarve janë Milovan Kovaçevic, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladirmir Bozhoviq, Robert Dobruna, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Milan Radoiçiq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.
Gjykata ka bërë të ditur se gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, me propozim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
“Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtit kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Institucioni gjyqësor u ka bërë thirrje të 20 të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.
“Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve të tjera kompetente”, thuhet në njoftim.
Aktakuza u ngrit më 6 gusht 2026
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 6 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj 20 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, duke propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë. Rasti ka të bëjë me vrasjen e 107 civilëve, ndërsa në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq.
Më herët, më 27 mars 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhërarrest ndaj Radoiçiqit dhe 19 të pandehurve të tjerë për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
“Betimi për Drejtësi” kishte siguruar urdhërarrestin, përmes të cilit urdhërohej shoqërimi i menjëhershëm i të pandehurve: Milovan Kovaçevic, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladirmir Bozhoviq, Robert Dobrunaj, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Milan Radoiçiq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.
Çfarë përshkruan aktakuza për vrasjen e 107 civilëve?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme (PJP), dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit e tjerë, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor.
Të pandehurit e tjerë, të identifikuar në aktakuzë me inicialet P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A., akuzohen për pjesëmarrje në këtë operacion në cilësinë e pjesëtarëve të njësive të lartpërmendura.
Sipas përshkrimit të Prokurorisë, gjatë operacionit, të pandehurit fillimisht i kishin ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat.
“Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë për ngritjen e aktakuzës.
Radoiçiq akuzohet edhe për sulmin në Banjskë
Përveç këtij rasti, Milan Radoiçiq akuzohet edhe për sulmin terrorist në Banjskë, ku dyshohet se ka pasur rolin e organizatorit të grupit.