Ismet Osmani, I njohur me nofkën “Curri”, tash e gjashtë muaj po konsiderohet i arratisur. Ai s’i është përgjigjur drejtësisë nëpër seanca gjyqësore, ku është arsyetuar se ka probleme familare dhe shëndetësore.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar një dokument që pretendon se dëshmitë e ofruara para gjykatës për gjendjen e tij shëndetësore janë të falsifikuara.
Ndaj “Currit”, të akuzuar për fajde, gjykata ka kërkuar që t’i marrë 50 mijë eurot e dhëna për dorëzani.
Sidoqoftë, tash e gjashtë muaj ai po konsiderohet i arratisur.
Vetë “Curri” dyshohet të ketë qenë i përfshirë në tentim-vrasjen e ndodhur në prill të këtij viti në Graçanicë, për të cilën raportoi Insajderi.
Amir Osmani, i biri i Ismet Osmanit të njohur me nofkën “Curri”, ishte i përfshirë në gjuajtje me armë zjarri me grupin e Mentor Beqirit.
Që të dy për këtë vepër penale ndodhen në paraburgim.
“Gjykata Themelore Prishtinë përkundër ngarkesës ka proceduar me këtë rast, e vërtet që ka pas disa herë shtyrje por që kanë qenë me kërkesa të arsyetuara, por asnjëherë për shkak të prokurorisë apo palës së dëmtuar. Në seancën e fundit e parapare me 01 korrik 2024, është shtyer se ka munguar i akuzuari Ismet Osmani dhe mbrojtësi i tij nuk ka paraqit asnjë arsye te besueshme dhe të artikulueshme për arsyet e mungesës, seanca ka qenë publike dhe e monitoruar edhe nga shoqëria civile ku mbrojtësi i të akuzuarit Osmani – zt.Besnik Berisha nuk ka prezantuar asnjë prove apo adresë se ku gjendet i akuzuari që mungon në seancë pasi i njëjti ka qenë në masën e dorëzanisë. Prokurori për shkak shkeljes së masës ka kërkuar siç e parasheh KPPRK të hiqet dhe te zëvendësohet me masën e paraburgimit. Jashtë seance Trupi gjykues ka vendosur të miratoj këtë kërkesë të ligjshme. Vendimi i Gjykatës së Apelit për të dëmtuarin dhe mua si përfaqësuese e tij ka qenë shokues dhe i pakuptueshëm, duke pasur parasysh se dispozitat e KPPRK janë të qarta tek rastet e shkeljes se dorëzanisë që në këtë rast janë përmbushur, dhe ky vendim ndikon në zvarritje të rastit”, Av. Teute Xhema, mbrojtëse e Faton Dalladakut.