Dritan Dragusha
“Mirëmengjesi, jam Gerald Baliles na Zyra e Këshillit të Departmentit të Drejtësisë.
Po Zotëri.
Zotëri Bradlee, jam vë në dijeni nga Sekretari i Mbrojtjes se materiali i publikuar në The Washington Post këtë mëngjes, përmban informacione që lidhen me mbrojtjen kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe është i klasifikuar si Top Sekret. Si i tillë, publikimi i këtij materiali drejtëpërsëdrejt ndalohet nga dsipozita e Ligjit të Spiunazhit, Kapitulli 18, Kodi i Shteteve të Bashkuara, Paragrafi 793. Për më tepër, publikimi i mëtutjeshëm do të shkaktoj dëme të pariparueshme në mbrojtjen e interesave të Shteteve të Bashkuara. Sipas kësaj, ju kërkoj me respekt që të mos vazhdoni me publikimin e mëtutjeshëm të informacioneve tjera të kësaj natyre dhe më njofto që ke bërë aranzhimet për kthimin e këtyre dokumenteve të Departmentin e Mbrojtjes.
Faleminderit për telefonatën, zotëri Baliles. Me gjithë respektin, refuzoj!”.
Kjo është kthesa më e madhe në historinë e medias, ku media nuk i nënshtrohet presionit të pushtetit. Këtë moment na e ilustron shumë bukur filmi The Post, i regjisorit Steven Spielberg, e që flet për luftën e Amerikës në Vietnam. Katër qeveri amerikane i kishin fshehur të dhënat rreth numrit të madh të humbjeve të ushtarve në atë luftë. Ky është momenti më i kthjellët kur media dhe pushteti i ndajnë rrugët. Interesi i publikut për mediat vendoset në plan të parë. Media ka ndjekur dhe ndjek gjithëmonë këtë rrugë dhe jo pa gabime. Është një trekëndësh që e përcjell një informatë: pushteti, media dhe publiku. Kur pushteti është jotransparent, është detyrë e medias që ta shpërfaqë para publiku këtë jotransparencë. Prandaj, lufta e pushtetit është që sa më shumë t’i vë nën kontrollë mediat, e nëse nuk mundet, atëherë t’i frikësoja ato. S’do mend se shpeshherë ka media që janë korruptuar e edhe friksuar ose edhe janë bërë një me pushtetin. Mirëpo, këto situata janë të qarta sidomos kur regjimet janë jodemokratike.
Çka e vështërson situatën janë vendet demokratike, ku qeveritë apo zyrtar shtetëror abuzojnë me pozitat e tyre publike, pastaj kontakti me të vërtetën bëhet shumë i vështirë. E vështirë ishte të vihej edhe deri tek e vërteta në rastin që e trajton filmi The Post, sepse ishin katër president amerikan që e kishin heshtur një nga çështjet më të rëndësishme të asaj kohe. Vet presidenti Richard Nixon kishte nxjerrë vendim që mos të publikohen dokumentet sekrete, mirëpo gazeta The Washington Post nuk kishte zgjedhur heshtjen. Gjithashtu, transformimet që kanë ndodhë në fushën e teknologjisë i kanë dhënë një formë të re medias. Sot, siç e dimë, media në përgjithësi dhe gazetaria në veçanti janë të disperzivizuara aq shumë sa që kufiri I përcaktueshmërisë është i vështirë. Natyrisht se kjo e ekspozon pastaj edhe më shumë median karrëshi pushtetit. Çka e bën serioz problemin e raportimit, nxjerrjes në publik të informatës, është kur informata cilësohet nga pushteti si top-sekret ose konfidenciale. Ndërhyrja e medias këtu e acaron marrëdhënien me pushtetitn. Mirëpo, media jeton për këtë fakt, sepse ajo e di që kur një informatë është top-sekret ose konfidenciale, është për faktin se ajo fshihet nga publiku. Media gërmon vazhdimish për t’i zbuluar këto top-sekretet e pushtetit. Janë serldet e saj. Ajo çka është sekret shtetëror për një qeveri, për median është lajm. Për median nuk ka informatë që nuk është lajm. I tillë duhet parë edhe lajmi që doli në publik nga media “Insajderi”, sepse çka përbën informatë konfidenciale për Qverinë dhe për vet Ministrin e Shëndetësi, për median nuk është i tillë. Vet cilësimi konfidenciale përbën top-lajm për publikun.
Plasimi në publik i lajmit se kishte një ofertë/kontratë që parashihte të vinin në Kosovë gjysmë milioni vaksina dhe se një e tillë nuk ishte nënshkruar, atëherë kjo jo vetëm që paraqet lajm, por do të duhej që përgjegjësit të thirren në përgjegjësi. E gjithë kjo në kulmin e pandemisë. Dhe çfarë ndodhë, në vend se dikush të jap dorëheqje, e që të hetohet nga prokuroria se çka në të vërtetë ka ndodhur, Ministri i Shëndetsisë me lehtësi e padurueshme i kërkon prokurorisë që të hetoj gazetarët që e kanë nxjerrë konfidencialitetin e pushtetit në publik. Me këtë gjest insistohet që media të paraqitet si armiku i popullit dhe i qeverisjes së mirë. Mbase pushtetet e papërgjegjshme zakonisht këtë bëjnë, që dështimet e tyre t’ua mveshin medias. Përvec që është përgjegjësi legjitimiteti përmes votës, përgjegjesi është edhe sjellja me këtë legjitimitet të dhënë. E, besoj se vota nuk u është dhënë që probelmet ekzistenciale sikurse vaksinat të bëhen konfidenciale. Ndërsa sjellja e këtillë me media është tregues se sa respektohet fjala e lirë dhe sa është përbrendësuar kultura demokratike. Edhe sikur lajmi i plasuar të ishte i pavërtetë, Ministri i Shëndetësisë nuk do të duhej t’i bënte thirrje prokurorisë për hetim. Mbase, Ministri i Shëndetësisë do të duhej të merrej me shëndetin publik edhe ashtu të rënduar, e assesi ta luaj rolin e agjentit hetues.Edhe për “qeverinë më të mirë në botë”, ka nevojë për media edhe nëse kjo media është e keqe.